Ministri Liburn Aliu të ndërpresë fushatën denigruese ndaj aktivistes Shpresa Loshaj
Prishtinë, 3 dhjetor 2021 – Ne, të poshtëshënuarit, kundërshtojmë fushatën denigruese të ministrit Liburn Aliu ndaj aktivistes Shpresa Loshaj dhe shprehim indinjatën tonë të thellë për ndërhyrjen e tij në lirinë e shprehjes dhe aktivizmin në Kosovë.
Më 22 nëntor 2021, Ministria e Mjedisit publikoi në faqen e saj në “Facebook” një tekst përmes së cilit njoftonte se është përpiluar një ‘koncept dokument’ për restaurimin e “Zallit të Rupës”. Të njëjtën ditë, znj. Loshaj publikoi një reagim përmes së cilit ngriti shqetësime serioze për qasjen e ministrisë ndaj restaurimit të kësaj zone, kritikoi ministrin Aliu për mungesë të transparencës dhe për vazhdimin e politikave të njëjta të qeverive të kaluara karshi mjedisit.
Më 24 nëntor, z. Aliu organizoi konferencë për shtyp me të cilën lansoi fushatë denigruese kundër znj. Loshaj. Duke e shënjestruar atë me emër dhe mbiemër, ai akuzoi znj. Loshaj për shpifje, i kërkoi asaj që të tregojë ‘kujdes’ përpara se të flasë dhe i mbajti ligjëratë në distancë se me cilat kauza do të duhej të merrej ajo. Fushatën dengiruese ndaj saj ministri Aliu e vazhdoi edhe në emisionin “Rubikon” të transmetuar një ditë pas konferencës. Kjo fushatë u vazhdua edhe nga zyrtarë të tjerë të Ministrisë, siç ishte rasti i këshilltarit të ministrit Lulzim Bauman, i cili lansoi akuza të ngjashme përmes komenteve në profilin online të znj. Loshaj.
Deklaratat e ministrit Aliu janë nënçmuese, përbuzëse dhe kërcënuese dhe kanë për qëllim të ulin kredibilitetin e znj. Loshaj në sytë e publikut, frikësimin e saj si dhe heshtjen e kritikës ndaj Ministrisë për vendimet që merr. ‘Udhëzimet’ e një Ministri se me çfarë duhet të merret një aktiviste janë ndërhyrje e shtetit në të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar lirshëm në temat që i konsiderojnë me interes të përgjithshëm. Ministri Aliu, është politikan i fuqishëm, njëri ndër njerëzit më të votuar në vend dhe flet nga pozita e tij si drejtues i Ministrisë së Mjedisit. Është shqetësuese që ai shfrytëzon pushtetin e tij dhe resurset e shtetit për të organizuar konferenca shtypi për frikësimin e aktivistëve të shoqërisë civile, me të cilët kishte bashkëpunuar ngushtë përpara se të vinte në pushtet.
Konsiderojmë se shënjestrimi i znj. Loshaj nga ministri Aliu është ndërhyrje e shtetit në aktivizmin qytetar dhe cenim i lirisë së shprehjes. Fushata ndaj znj. Loshaj është fushatë ndaj të gjithë aktivistëve dhe aktivisteve në Deçan dhe Kosovë dhe pjesëtarëve tjerë të shoqërisë civile, të cilët kanë guximin që të përfshihen në kauza të ndjeshme me interes të përgjithshëm për të kontribuar në përmirësimin e mjedisit dhe jetës në Kosovë.
Znj. Loshaj është aktiviste e mirënjohur për mbrojtjen e mjedisit, puna e saj dhe e aktivistëve të tjerë ka bërë që degradimit të natyrës në Deçan t’i ndalet hovi, gjë për të cilën ajo është shpërblyer me katër çmime.
Kërkojmë nga ministri Aliu që të tregojë nivel të lartë të tolerancës ndaj kritikës, të përmbahet nga deklarata të tilla në të ardhmen, të ndalojë fushatën denigruese ndaj znj. Loshaj dhe të punojë me transparencë të plotë dhe të mbrojë interesin e publikut.
Organizatat dhe aktivistët nënshkrues (sipas rendit alfabetik):
Ardian Ndrecaj, ATRC, Ballkan Green Foundation, Balkan Sunflower Kosova, CEL Kosova, Community Building Mitrovica, CSGD, Çohu!, D4D, Debate Center, Demokraci Plus, DokuFest, Ec Ma Ndryshe, Flutura Kusari, Fondacioni Lumbardhi, Forumi për Iniciativa Qytetare, GAIA SCI Kosovo, GLPS, Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), IKS, KCSF, KDI, KFOS, KMDLNj/CDHRF, KRCT, Lëvizja FOL, ODK, OMM “Gjethi” Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), PIPS, Pishtarët, Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K), Qendra për Politika dhe Avokim, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Qytetarë Aktivë, Rina Kika, Rrjeti i Grupit të Grave, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Syri i Vizionit, Shoqata e Intelektualeve të Pavarur të Deçanit, YIHR Kosova, YMCA Movement.