Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorit i pa njohur për zyrtarët komunal në Prizren

Prizren, 06 Gusht – Lëvizja FOL në kuadër të serisë së debateve nëpër komuna për “Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve” ka mbajtur sot takimin e radhës në qytetin e Prizrenit me temën “Pakoja Ligjore Anti-Korrupsion: Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve”. Në këtë debat u diskutua për nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve anti-korrupsion, respektivisht Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve, si dhe se sa zyrtarët publikë denoncojnë parregullsitë, veprimet e kundërligjshme apo edhe rastet korruptive brenda institucioneve të tyre përkatëse.

Hapjen e takimit e bëri Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL, me ç’rast prezantoi të gjeturat e hulumtimit që Lëvizja FOL ka bërë rreth zbatueshmërisë së Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve. Ndër të tjera ai tha se 73.6% e zyrtarëve janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ndërsa 23.4% nuk janë fare të informuar për ekzistimin e ligjit në fjalë. Tutje, Racaj ka shtuar që, zyrtarët publikë kane njohuri edhe më të pakta kur bëhet fjale për përmbajtjen e ligjit, ku vetëm 15.3% e këtyre zyrtarëve deklarohen të kenë njohuri të thella, 60% deri diku, 21% pak, kurse 4% deklarohen të mos kenë fare njohuri përmbajtjesore.

Në anën tjetër, Ruzhdi Rexha nën-Kryetari i Komunës së Prizrenit tha se, “për ligjin në fjalë është njoftuar nga Lëvizja “FOL” me rastin e pranimit të ftesës për tryezë. Ai më tej tha se ky ligj bie në kundërshtim me ligjin për shërbyesit civil, respektivisht me nenin 56 të këtij ligji, i cili I detyron zyrtarët publikë të ruajnë fshehtësinë brenda vendit të punës.” Ai po ashtu tha se, “Ky ligj ngatërrohet në masë të madhe me Agjencinë Kosovar për Inteligjencë. Tutje Rexha tha se, “Komuna e Prizrenit me 16 Korrik të këtij viti, me një akt-vendim ka caktuar personat përgjegjës, ku njëri ndër ta mendohet të jetë personi zyrtar për pranimin e informatave lidhur me parregullsitë brenda Komunës, duke u bazuar gjithnjë në këtë ligj.”

Në anën tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren e sheh si të domosdoshëm zbatimin e këtij ligji në praktikë, duke rekomanduar në të njëjtën kohë ndryshimin e emërtimit të ligjit. Ai tutje shtoi se, “ka zyrtarë të cilët denoncojnë parregullsitë”, mirëpo pa dhënë ndonjë shifër konkrete.

Komunitetin e bizneseve në këtë tryezë e përfaqësoi, Liman Asllani, duke cekur se ligji në vete përmban konfuzitet dhe i cili ligj shpesh ngatërrohet me Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Ai po ashtu shtoi se ligji ka shumë të meta, duke mos mbrojtur fillimisht identitetin e informatorit, dhe duke cekur se informatorit përmes këtij ligji të drejtat ia mbron eprori i tij.

Nga ana tjetër Arbër Rexhaj nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se, “denoncuesit duhet të inkurajohen në rast dhënies së informatës.” Tutje ai shtoi se, “drejtësia në Komunën e Prizrenit është e politizuar dhe selektive”. Rexhaj theksoi se, “në Prizren ka raste që kanë përfunduar me largim nga puna si pasojë e raportimit të aferave korruptive.”

Munir Basha nga Partia Konservatore tha se, “ligji ka të meta dhe nuk ofron mjaftueshëm mbrojtjen e informatorëve.” Tutje ai shtoi se, “duhet të ketë vullnet politik që të luftohet korrupsioni në Komunën e Prizrenit.” Pikërisht, mungesa e vullnetit politik ka bërë që ky ligj të shoqërohet me shumë të meta.

Po ashtu, edhe pjesëmarrësi Afrim Tejeci nga Shoqata e Zejtarëve Afaristë në Prizren, theksoi se zbatimi i këtij ligj duhet të kishte ndikim tek bizneset e vendit. Mungesa e sigurisë së informatorëve, raportimet nga ana e tyre dhe mungesa e mbrojtjes nga ana e strukturave komunale, sipas Tejecit, do kenë pasoja edhe në investimet e jashtme në Kosovë.

Elmedina Baxhaku përfaqësuese nga shoqëria civile, repsktivisht nga OJQ “Ec më Ndryshe”, tregoi përvojën e saj praktike si monitoruese e komunës së Prizrenit, duke theksuar se, zyrtarët kanë frikë të japin një dokument i cili është publik e lëre më të denoncojnë ndonjë parregullsi brenda Komunës së tyre. Tutje ajo shtoi se, “duhet të bëhet një promovim më i madh i ligjit dhe se zyrtarët përgjegjës për pranimin e informatave duhet të përcaktohen sa më shpejtë nga ana e vendimmarrësve në komunën e Prizrenit.

Bari Zenelaj nga organizata “ATTA” shtoi se, gabimet janë duke u bërë gjatë draftimit të ligjit, meqë në shumë raste nuk thirren personat kompetent në përpilimin e këtij ligji. Ai tutje tha se, nuk ka pasur debate publike për ligjin dhe se po i njëjti ligj duhet të amandamentohet.

Galeria e aktivitetit

Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorit i pa njohur per zyrtaret komunal ne Prizren

Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorit i pa njohur per zyrtaret komunal ne Prizren2

Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorit i pa njohur per zyrtaret komunal ne Prizren3

Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorit i pa njohur per zyrtaret komunal ne Prizren4