Konsultim publik për Partneritetin për Qeverisje të Hapur në Komunën e Mitrovicës
Mitrovicë, 19 mars 2014 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me CBM në Mitrovicë si anëtare të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Partneritetin për Qeverisje të Hapur sot kanë organizuar konsultimin publik në Komunën e Mitrovicës me qëllim përgatitjen e Planit Nacional të Veprimit 2014-2016. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve komunale, të shoqërisë civile, media dhe qytetarë të interesuar.
Florentina Hajdari – Hajra nga CBM pas një prezantimi të shkurtër të historikut të krijimit Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH (për më shumë ju lutem referojuni historikut të PQH-së: http://www.ogpkosova.org/what-does-open-government-mean/), tha se ne si organizatë e kemi mbështetur këtë iniciativë. Ajo tha se sot përmes këtij debati tentojmë të identifikojmë problemet me të cilat përballen qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës sa i përket qasjes në institucione publike.
Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL, prezantojë shkurtimisht hapat që janë ndërmarrë dhe që duhet ndërmerren nga Kosova me qëllim anëtarësimin e saj në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Ai tha se është themeluar Grupi Koordinues i cili është i përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve dhe përfaqësuesve të sektorit privat, i cili Grup ka për mision hartimin e Planit Nacional të Veprimit për Kosovën. Ai tha se Grupi Koordinues ka vendosur që Plani të fokusohet në 4 sfidat kryesore të parapara dhe sugjeruara nga PQH, gjegjësisht: Përmirësimi i shërbimeve publike, Rritja e integritetit publik, Menaxhimin e burimeve publike në mënyrë më efikase dhe Rritja e llogaridhënies korporatave. Ai gjithashtu tha se kjo fushatë e konsultimeve publike do të shërbejë për rritjen e gjithpërfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në këtë proces dhe gjithashtu për mbledhjen e propozim aktiviteteve konkrete, e që do të përfshiheshin në Planin Nacional të Veprimit të Republikës së Kosovës.
Hajrullah Mustafa, nga OJQ ‘Shtëpia e Shokut’ tha se duke e parë se kemi probleme të mëdha të shkëputjes nga politika mbahet ky plan krejtësisht të pavarur nga ndikimet politike. Ai tha se institicionet e pavarura nuk po mund të funksionojnë si të tillë. Sipas tij, Kosova në aspektin legjislativ ka arrit shumë, por në atë ekzekutiv punë është ndryshe, pikërisht për arsye të ndërhyrjes së politikës.
Skender Kerolli, nga Shoqata e të Vërberëve tha se qasja në komunë është shumë e vështirë. “Ka dy muaj që nuk kemi arrit ta realizojmë një takim me kryetarin përkundër kërkesave të shumta. Po ashtu problem i madh është edhe punësimi i të verbërve të cilët edhe nësë kanë përfunduar fakultet nuk arrijnë të punësohen”.
Ragip Hyseni nga KVRL deklaroi se fokusi duhet të jetë te seleksionimi i punëtoreve. “Siç është tani punësimet në baza partiake dhe kjo bënë që ai person i caktuar do ti kryejë shërbime partisë. Duhet të ketë transparencë më të madhe sa i përket punësimit, dhe kriteret e konkurseve të jetë të qarta, sepse tani për tani konkursi është sa për sy e faqe, madje ka raste kur shpallen pas punëtori ka filluar punën”
Florentina Hajdari – Hajra nga CBM theksoi se është mirë nëse përbrenda komunës formohen komisione gjithëpërfshirëse, ku do të ishte edhe shoqëria civile por edhe expert të asaj fushe, për cilën është hapur konkursi. Sipas saj, planifikimi buxhetor i bërë vitin e kaluar ka qenë i hapur, por në këto takime nuk janë bërë analiza paraprake se cilat janë nevojat më emergjente për qytetarët e asaj pjese ku takohen. Po ashtu është vërejtë se nuk bëhen analiza as të kostove të atyre projekteve. ‘Ka ndodh që ato projekte që janë premtu gjatë planifikimeve buxhetore, realizimi i tyre nuk është përfshi në buxhet të komunës por tek donacionet e huaja”.
Lulzim Hakaj, Iniciativa qytetare për të drejtat e njeriut, kërkoj që të ketë më shumë vëmendje tek specifikimet e kriteteve të konskurseve të veçanta.
Ramadan Uka nga OJQ ‘Eko-Trepca’ tha se zakonisht bëhet emërimi i drejtorëve pas asnjë përvojë pune paraprake andaj duhet rregulluar kjo çështje ngase edhe pse janë staf politik, kryetarët duhet të kenë kujdes në emërimet e tyre.