Gjashtë mujori i këtij viti i zbehtë, vetëm 14 lëndë kundër korrupsionit të zgjidhura nga Gjykatat
Prishtinë, 4 Shtator 2013 – Lëvizja FOL ka publikuar sot raportin e saj “Monitoruesi i Korrupsionit’ – Shifrat e Korrupsionit në Kosovë” për periudhën Janar-Qershor 2013, në të cilin përfshihen statistikat e përmbledhura të institucioneve relevante në fushë kundër korrupsion për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
Kenan Tora, nga Lëvizja FOL, tha se “ky raport është një produkt i radhës i punës së ekipit të Lëvizjes FOL në monitorimin e korrupsionit dhe vazhdën e përpjekjeve për vëmendje dhe mbështetje më të shtuar ndaj luftës kundër korrupsion. Sipas tij që nga viti 2010 Lëvizja FOL ka bërë përpjekje që të prezantojë në formë të shifrave punën e institucioneve në luftën kundër korrupsion, ku në përputhje me këtë edhe vet Komisioni Evropian në Raportin e Fizibilitetit për Kosovën ka kërkuar që të ketë standardizim të statistikave rreth veprimeve institucionale të ndërmarra në luftën kundër korrupsion.
Elbasan Racaj, hulumtues në Lëvizjen FOL duke iu referuar të gjeturave të këtij raporti tha se “Departamentet e Krimeve të Rënda të Prokurorive Themelore si dhe Speciale të Kosovës kanë pranuar në punë gjithsejtë 279 kallëzime penale kundrejt 637 personave”. Sipas tij nga viti paraprak “Prokuroria e Kosovës ka trashëguar 281 kallëzime penale, ndërkaq në fund të periudhës raportuese kanë mbetur të pazgjidhura 1140 kallëzime penale kundrejt 404 persona. Po ashtu, Prokuroritë Themelore, kanë zgjidhur 359 raste ndërkaq, nuk kanë përfunduar hetimet ende ndaj 177 personave”.
Më mirë sipas këtij raporti nuk qëndrojnë as Gjykatat e Rregullta Themelore të Kosovës, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore kanë zgjidhur vetëm 14 lëndë nga të cilat; 2 lëndë kanë përfunduar më dënim me burg; 5 lëndë dënim me gjobë; 5 lëndë dënime me kusht dhe; 2 lëndë kanë marrë dënime të tjera. Ndërkaq, po këto gjykata i kanë gjithsejtë 225 lëndë të pazgjidhura në fund të kësaj periudhe raportuese.
Ndërkaq, statistikat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) nga Policia e Kosovës, pasqyrojnë se ky departament në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013 kanë hetuar në total 389 raste dhe kanë arrestuar gjithsejtë 49 zyrtarë të ndryshëm publikë. Përveç kësaj, DHKEK ka dërguar 226 raste në Prokurori me kryerës të njohur; 5 raste me kryerës të panjohur dhe 18 raste me Raport të Veçantë të Prokurorit.
Më tej, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë 183 vendime nga të cilat vetëm 1 ka qenë në “luftë” kundër korrupsion. Ndërsa po duke ju referuar statistikave të këtij raporti Kuvendi i Kosovës nga 26 seanca plenare sa ka mbajtur gjithsejtë, në katër prej tyre ka diskutuar për luftën “kundër” korrupsion: a) Shqyrtimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017; b) Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale; c) Shqyrtimi i propozim-Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017 dhe d) Shqyrtimi i raportit të punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit për vitin 2012.