FOL: Të bëhen transparente konkluzionet e bisedimeve Kosovë-Serbi

Prishtinë, 7 korrik 2011: Lëvizja FOL kërkon nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi që t`i njoftoj qytetarët e Republikës së Kosovës me konkluzionet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre bisedimeve, për çfarëdo konkluzioni apo marrëveshje duhet të njoftohen edhe qytetarët e Kosovës. Transparenca dhe llogaridhënia në këtë proces bisedimesh me Serbinë do të ndihmonte në shumë aspekte, përfshirë nevojën që qytetarët e Kosovës e kanë për t`u siguruar se vendi do të përfitoj nga ky proces.

Në fillim të Qershorit në Forumin FOL Hapur është diskutuar për biesdimet Kosovë-Serbi. Konkluzionet e dala nga ky diskutim ishin se status quo në Kosovë po ndihmon krimin në veri të vendit, pastaj se Kosova është futur në negociata pa përgatitje paraprake të opinionit publik, pa strategji për pronësi publike në këtë proces si dhe është thënë se transparenca e këtyre bisedimeve është qenësore për të rritur mbështetjen e publikut për ndonjë marrëveshje eventuale.

Këtu mund të shkarkoni raportin nga diskutimi në FOL Hapur për bisedimet Kosovë-Serbi – http://levizjafol.org/images/uploads/files/Sfida_e_Dialogut_Kosove-Serbi.PDF