FOL takoi Kryetaren e Gjakovës znj. Mimoza Kusari-Lila rreth transparencës në Prokurimin Pubik
Gjakovë, 14 Janar 2014 – Në vazhdën e kërkesave nga Lëvizja FOL drejtuar gjashtë komunave të Kosovës, përfaqësues nga Lëvizja FOL, sot janë takuar me Kryetaren e Komunës Gjakovë znj. Mimoza Kusari-Lila. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth mundësisë së bashkëpunimit në mes Komunës së Gjakovës dhe Lëvizjes FOL e në veçanti rreth mundësisë së monitorimit të proceseve të prokurimit publik në Komunën Gjakovë.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, fillimisht uroi Kryetaren Kusari-Lila për zgjedhjen si Kryetarja e parë grua në Kosovë. Pastaj, diskutimi u orientua në fillimin e një fryme të bashkëpunimit që komunat në përgjithësi dhe shoqëria civile duhet ndërtuar. Një ndër fushatë më të ndjeshme në këtë process bashkëpunimi është është monitorimi I procesit të prokurimit public. Ky monitorim synohet të bëhet me qëllim të rritjes së nivelit të transparencës dhe llogaridhënies në këtë sektor, përmes të cilit mekanizëm shpenzohet një pjesë e madhe e parasë publike dhe po ashtu se monitorimi do të ndikojë në parandalimin e keq-përdorimeve, keq-menaxhimeve dhe korrupsionit në këtë sektor dhe do të ndikojë në respektimin e ligjit dhe procedurave gjatë realizmit të proceseve të prokurimit. Përveç kësaj ai potencoi edhe nevojën që zyra për komunikim me publikun të jetë aktive dhe e hapur dhe të përmirësohet qasja e qytetarëve në dokumente publike.
Kurse kryetarja e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila shprehu interesimin dhe gatishmërinë e saj si kryetare komune për mundësitë e bashkëpunimit. Ajo më tutje potencoi se “është shumë e interesuar që të ndryshoj kahjen që ka karakterizuar qeverisjen deri më tani në Gjakovë, duke rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies dhe duke menjanuar parregullsitë në zhvillimin e të gjitha proceseve në Komunën e Gjakovës.
Në fund të takimit të dy palët u pajtuan që në një afat të shkurtër kohor të nënshkruajnë një Memorandum të Bashkëpunimit në bazë të te cilët do të realizohet monitorimi i procedurave të prokurimit publik në Komunën Gjakovë dhe për bashkëpunim edhe në fusha të tjera.