FOL mirëpret fillimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Open Government Partnership (OGP)
Prishtinë, 9 korrik 2013 – Lëvizja FOL mirëpret vendimin e sotshëm të Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave për anëtarësimin e vendit në organizatën Open Government Partnership (OGP).
FOL prej vitit 2012 e këtej ka kërkuar nga institucionet e vendit që të marrin hapat e duhur për anëtarësimin e Kosovës në këtë Organizatë kaq të rëndësishme për ndërtimin e një qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe institucioneve të tjera. Në kuadër të përpjekjeve të saja, për të koordinuar veprimet dhe hapat institucionalë drejt këtij anëtarësimi, FOL gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të OGP-së, si dhe me institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu Presidencën dhe Qeverinë. Prandaj, vendimi i sotshëm është një hap i duhur dhe konkret në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në OGP.
Në të njëjtën kohë, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Open Government Partnership nuk është si qëllim në vetvete, por para së gjithash dhe mbi të gjitha nënkupton marrjen e përgjegjësive të mëdha brenda, por edhe në aspektin ndërkombëtar të Kosovës sa i përket ngritjes së nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Përgjegjësitë e secilit vend anëtar janë si më poshtë:
– Transparenca Fiskale – Publikimi me kohë i dokumenteve esenciale të buxhetit dhe një sistem i hapur buxhetor;
– Qasja në informata – Ligji për qasje në informata i cili garanton të drejtën e publikut për t’u informuar dhe për qasje në të dhënat e qeverisë;
– Publikimi i të dhënave për zyrtarët publik ose të zgjedhur – Publikimi i të dhënave për të ardhurat dhe pasurinë e zyrtarëve publikë ose të zgjedhur;
– Angazhimi qytetar – Pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve në politik-bërje dhe vendim-marrje.
Përparimi në këto katër fusha do të matet me indikatorë objektiv dhe rezultatet do të verifikohen nga ekspertë ndërkombëtarë. Varësisht nga rezultatet e matjes vendet edhe do të vlerësohen nëse janë apo jo të përshtatshme për anëtarësim. Për t’u vlerësuar si të përshtatshme për anëtarësim vendet që pretendojnë të anëtarësohen duhet të marrin 75% nga pikët maksimale.
Hapi tjetër është zhvillimi i një ‘Plani Nacional të Veprimit’. Në këtë Plan përshkruhen zotimet për veprime konkrete për qeverisje të hapur. Zotimet janë të strukturuara rreth disa sfidave kyçe me të cilat përballen të gjitha qeveritë, e ato sfida janë: Përmirësimi i shërbimeve publike, Rritja e integritetit publik, Menaxhimi më efektiv i burimeve publike, Krijimi i komuniteteve më të sigurta dhe Rritja e llogaridhënies së korporatave. Për më tepër, zotimet duhet të reflektojnë katër principet kryesore të qeverisjes së hapur: Transparencë, Pjesëmarrje qytetare, Llogaridhënie,Teknologji dhe Inovacion. Qeveritë duhet të fillojnë hartimin e këtij Plani duke paraqitur veprimet e tyre të deritanishme dhe strategji e programe të vazhdueshme lidhur me sfidat kyçe të përcaktuara nga vetë ato. Zotimet mund të ndërtohen mbi bazën e veprimeve të ndërmarra deri tash, të identifikojnë hapa të rinj për vazhdimin e reformave ose të iniciojnë veprime në fusha krejtësisht të reja.
Duke qenë në një niveli të lartë të korrupsionit, me mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënie tejet të ulët, ka bërë që qytetarët të humbin besimin e tyre në institucionet publike. Duke qenë në këtë nivel të qeverisjes, vendimi i marrë sot nga Qeveria e Kosovës është një obligim i madh për funksionimin e brendshëm të institucioneve tona, në raport me qeverisjen e hapur, llogaridhënien dhe përgjegjësinë ndërkombëtare që rrjedhimisht vjen me këtë rast.
Open Government Partnership (OGP) është një iniciativë shumëpalëshe ku përfshihen qeveritë, shoqëria civile dhe sektori i biznesit, që synon të sigurojë zotime për veprime konkrete nga qeveritë për të promovuar transparencën, fuqizimin e qytetarisë aktive, luftën kundër korrupsionit, dhe shfrytëzimin e teknologjisë së re për të fuqizuar qeverisjen e mirë.
Kjo iniciativë zyrtarisht ka filluar së funksionuari më 20 Shtator 2011, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, tani është plotësisht funksionale dhe ka bërë ndikimin e saj në hapjen e qeverive, gjegjësisht rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Me këtë rast 8 qeveritë e shteteve themeluese (Brazili, Indonezia, Meksiko, Norvegjia, Filipinet, Afrika e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) kanë miratuar deklaratën e OGP dhe kanë shpallur ‘Planet Nacionale të Veprimit të vendeve te tyre.
Përveç qeverive të shteteve themeluese, deri me 17 Prill 2012 edhe 39 qeveri të shteteve tjera e kanë miratuar deklaratën e OGP-së dhe kanë zhvilluar ‘Planin Nacional të Veprimit’, kurse deri me 24 Prill 2013 edhe 10 qeveri të shteteve tjera kanë miratuar zyrtarisht deklaratën e OGP-së dhe kanë zhvilluar Planin Nacional të Veprimit.
Nga rajoni shtetet të cilat kanë miratuar deklaratën e OGP-së dhe kanë zhvilluar dhe dorëzuar në komitetin mbikëqyrës Planin Nacional të Veprimit’ janë: Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe Turqia.