FOL: Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsion të mos bëhet “kopje” e institucioneve tjera
Prishtinë, 15 shkurt – Sot me iniciativën e Presidentes së Republikës është mbajtur takimi i parë i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsion. Konsiderojmë se themelimi i këtij Këshilli duhet të jetë hap vendimtar në rritjen e efektivitetit të aktiviteteve institucionale në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.
FOL vlerëson se ky Këshill duhet të angazhohet njëmend në ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe rezultateve të prekshme, e assesi të reduktohet në fjalime retorike dhe boshe të zyrtarëve të lartë institucionalë në luftë kundër korrupsionit.
FOL kërkon nga Këshilli të ndërmerr hapa konkretë në sendërtimin e aktiviteteve të përbashkëta institucionale në luftë kundër korrupsionit, e assesi të shndërrohet në një nga mekanizmat e deritanishëm që nuk kanë dhënë rezultate konkrete.
FOL konsideron se korrupsioni vazhdon të dëmtojë proceset e shtet-ndërtimit, ato të demokratizimit dhe qeverisjes cilësore.
Raportet e rregullta të Lëvizjes FOL kanë vënë në pah mungesën e koordinimit ndërmjet institucioneve që kanë përgjegjësi luftën kundër korrupsionit. Në shumë raste kemi kërkuar që të krijohet një platformë që mundëson një shkëmbim më të mirë të informatave ndërmjet këtyre institucioneve.
Megjithëse FOL nuk është pjesë e këtij Këshilli, ajo do ta bëjë monitorimin e vazhdueshëm të punës së tij.