“FOL Hapur” – Zbatimi e Ligjit për Gjykatat dhe Lufta Kundër Korrupsionit
Prishtinë, 24 Qershor 2011-Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të Forumit “FOL Hapur”, ku është diskutuar për zbatimin e Ligjit për Gjykatat dhe luftën kundër korrupsionit. Të ftuar për të diskutuar mbi këtë temë ishin Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci dhe Drejtori për Parandalim të Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Jetullah Aliu. Përveç kësaj, gjatë këtij debati është publikuar edhe Raporti pesë-mujor i aktiviteteve institucionale në luftë kundër korrupsionit (Janar-Maj 2011).
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, deklaroi se edhe vetë gjyqësori e pranon dhe nuk është i kënaqur me të arriturat e deritanishme. “Problemi është nevoja për gjyqtarë shtesë, pasi që aktualisht një gjyqtarë mesatarisht ka 2000 lëndë në punë. Me qëllim te koordinimit të punëve dhe rritjes së besimit e qytetarëve, kemi hartur strategjinë për zgjidhje të lëndëve mbi bazën e viteve, ku qëllimi i saj është që lëndët të procedohen ashtu siç kanë arritur në gjykatë” , tha ai.
Sipas tij, niveli motivimit të stafit administrativ është i vogël edhe këto kanë qenë kushtet pse nuk ka mundur të instalohet nga një zëdhënës nëpër Gjykata, ku qytetarët do të mund të informohen më shumë. “Për të ardhur tek një sistem me të vërtet i besueshëm duhet kohë. Vetëm procesi i riemërimit i ka marrë së paku dy vjet dhe ne po mendojmë që në të ardhmen të mos emërohet asnjë gjykatës pa u hetuar mirë e kaluara e tij”. Prandaj, sistemi gjyqësor është në reformim e sipër, tha ai.
Ndërkaq, drejtor për Parandalim të Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Jetullah Aliu, tha se AKK-ja vazhdimisht e ka potencuar se korrupsioni në Kosovë ekziston dhe në përmasa shqetësuese dhe këtë e tregojnë edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare. Sipas tij, rekomandimi i fundit i AKK-së ka qenë që Ligji për Prokurimin publik të amandamentohet. “Në raportin e fundit që kemi bërë publik, rreth deklarimit të pasurisë, na kanë dalë shumë milionerë, e që në këtë vend të varfër siç është Kosova e me një pagë të tillë është e vështirë të arrihet ajo pasuri”, tha Aliu. Sipas tij AKK-ja është duke punuar edhe sa i përket konfliktit të interesit, ku deri më tani janë duke u hetuar 30 raste për të cilat dyshohet se zyrtarët e lartë janë në konflikt interesi.
Analist i politikave në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, gjatë prezantimit të Raporti pesë-mujor të aktiviteteve institucionale në luftë kundër korrupsionit (Janar-Maj 2011), tha se Qeveria e Kosovës nga 80 vendime sa i ka marrë gjatë kësaj periudhe, vetëm 1 ka qenë në luftën kundër korrupsionit, përderisa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur më shumë aktivitete në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij institucionet publike kanë shënuar një prapakthim sa i përket luftës kundër korrupsion.