FOL Hapur me Prokurorinë në qytetin e Prizrenit
Prizren, 24 qershor 2011-Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin në komunën e Prizrenit, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këto debate kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, z. Ismet Kabashi, Kryeprokurori i Shtetit, Prokurorja e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, znj. Ervehe Gashi, Kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prizren, z. Enver Sokoli.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se “sot është dita e tretë dhe debati i pestë ku Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës synohet që publiku të informohet për punën dhe rezultatet e prokurorisë së shtetit dhe prokurorive tjera të qarkut dhe ato komunale”.
Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi tha se “qëllimi i kësaj fushate është që opinioni publik të njoftohet për sistemin prokuroria, aktivitetet e prokurorisë dhe rezultatet e punës së prokurorisë në njërën anë dhe në anën tjetër që të marrim informata dhe ankesa nga ana e publikut në mënyrë që të përmirësojmë imazhin dhe të ngrisim nivelin e efikasitetit dhe transparencës së prokurorisë”. Gjithashtu sipas kryeprokurorit janë krijuar parakushtet normale që prokuroria të jetë një institucion i pavarur, ku “baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm, krijimi dhe kompetencat e Këshillit Prokurorial dhe ligjet e miratuara në vitin e kaluar për gjykatat dhe prokurorinë”. Në këtë kontekst sipas tij duhet të merret parasysh se prokuroria ka ngritur akuza kundrejt 249 komisionerëve të partive politike që dyshohen për keqpërdorim të procesit zgjedhor të vitit të kaluar. Me ligjin e ri në vitin 2013, prokuroria themelore e cila do të krijohet në komunën e Gjakovës do të përfshijë dy komuna që aktualisht janë nën Prokurorinë e Qarkut të Prizrenit, komunën e Rahovecit dhe atë të Malishevës përfundoi fjalimin e tij Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi.
Debati ka vazhduar me Prokuroren e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, znj. Ervehe Gashi, tha se “kjo prokurori ka 6 prokuror dhe si përparësi mund të konsiderohet ndërtimi i objektit të ri të kësaj prokurorie e cila ka avancuar punën e Prokurorisë së Qarkut të Prizrenit”. Për sa i përket institucioneve që kanë bërë kallëzime penale janë policia, përcjellë nga qytetarët, Agjencioni Anti-Korrupsion dhe Administrata Tatimore. Lëndët që kanë të bëjnë më korrupsion kanë qenë prioritet i prokurorisë së qarkut “ku kemi proceduar 13 lëndë, 10 nga to kanë përfunduar në paraburgim, 1 është hedhur poshtë dhe në 2 janë pushuar hetimet”.
Z. Enver Sokoli, kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Prizren tha se “gjatë vitit 2010 i kemi pasur rreth 3223”. Ai tha se prioritet i kësaj prokurorie ka qenë lufta kundër korrupsionit, lëndët për komisionerët e zgjedhjeve, lëndët për të mitur. Sipas tij “vetëm në vitin 2011, janë 34 lëndë që kanë të bëjnë me korrupsion”.
Pas kësaj diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.