FOL Hapur me Prokurorinë në qytetin e Gjilanit dhe Ferizajt
Gjilan-Ferizaj, 22 qershor 2011 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin e radhës në komunën e Gjilanit dhe atë të Ferizajt, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këto debate kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, z. Ismet Kabashi, z. Jetish Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, znj. Rabije Jakupi, Kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Gjilan, z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë dhe z. Shukri Jashari , Kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Ferizaj.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se “Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës synohet që përmes informimit direkt të qytetarëve, medieve dhe shoqërisë civile, nga ana Kryeprokurori i Kosovës, kryeprokurorëve të qarqeve dhe ata komunale, të ngritët niveli i transparencës së këtij institucioni “.
Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi tha se prokuroria e shtetit përmes kësaj fushate synon që prokuroria dhe prokurorët të jenë më afër qytetarëve, të i informojë ata me punën e prokurorisë dhe të i inkurajojë ata që të bashkëpunojnë ngushtë me prokurorinë”. Sipas tij viti 2010 ka qenë një vit i suksesshëm për prokurorinë ku “edhe pse prokurorët janë përballur me një vëllim të madh të punës, kualiteti i kësaj pune matet me vendimet pwr konfirmimin e lendeve, ky në 95% të lëndëve të prokurorisë janë konfirmuar nga ana e gjykatave”. Gjithashtu, sipas kryeprokurorit janë krijuar parakushtet normale që prokuroria të jetë një institucion i pavarur, ku “baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm, krijimi dhe kompetencat e Këshillit Prokurorial dhe ligjet e miratuara në vitin e kaluar për gjykatat dhe prokurorinë”. Z. Kabashi në debatin e realizuar në Ferizaj tha së më ligjin e aprovuar vjet mbi gjykatat, komuna e Ferizajt do të bëhet me Gjykatë dhe Prokurori Themelore në vitin 2013.
Debati ka vazhduar me Kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, z. Jetish Maloku, i cili bëri një prezantim të shkurtër të punës së kësaj prokurorie për vitin 2010 dhe pjesën e parë të vitit 2011. Ai tha se “gjatë vitit 2010 kanë qenë rreth 335 lëndë, prej tyre janë ngritur 312 kallëzime penale që kanë përfshirë 422 persona të moshës madhore ku ky numër i lëndëve është shumë më i madh se sa në vitin 2009”. Sipas tij, lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar i është dhënë prioritet nga ana e prokurorisë së qarkut në Gjilan, ku “për vitin 2010 janë proceduar 8 raste, prej të cilave 6 janë zgjidhur dhe 2 janë nën hetime ndërsa për gjashtë mujorin e parë të vitit 2011 janë 10 rast, ku 7 nga to janë zgjidhur dhe 3 janë nën hetime”. Z. Maloku potencoi me qëllim ngritjen e transparencës së prokurorisë janë ndërmarrë shumë hapa që ky institucion të jetë i hapur për publikun si njëri nga elementet kryesore të kthimit të besimit të qytetarëve në këtë institucion.
Znj. Rabije Jakupi, Kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Gjilan, pasi bëri një prezantim të shkurtër të raportit të punës së kësaj prokurorie për vitin 2010, tha se “Prokuroria Komunale e Gjilanit është njëra nga prokuroritë më të suksesshme në Kosovë për sa i përket procedimit të lëndëve në gjykata dhe zgjidhjes së tyre”.
Në debatin e zhvilluar në Ferizaj, i pranishëm ishte edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, z. Aleksandër Lumezi, i cili tha se kjo prokurori është më e ngarkuara sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar. Në këtë kontekst kjo prokurori “ka ngritur 12 aktakuza që kanë të bëjnë me korrupsion”.
Ndërsa z. Shukri Jashari, Kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Ferizaj, tha “se në këtë prokurori janë të angazhuar 4 prokurorë dhe se nga deri në qershor te vitit 2011 janë 1343 lëndë me persona të moshës madhore dhe 122 lëndë me persona të mitur”. Ai shtoi se kjo prokurori zbaton planin që çdo ditë të pranojë qytetarë në zyret e kësaj prokurorie me qëllim ngritjen e nivelit të transparencës së institucionit të prokurorisë.
Pas kësaj diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.