Ejup Bajrami merr Çmimin për Guxim Qytetar për vitin 2011
Prishtinë, 23 Dhjetor 2011. Në një ndej të organizuar për fundvit, Lëvizja FOL ndau për herë të tretë Çmimin për Guxim Qytetar. Përderisa në dy vitet e fundit ky çmim ju nda z. Rufki Suma, kandidat i pavarur që fitoi zgjedhjet për kryetar të Komunës së Hani të Elezit dhe znj. Ajnishahe Shala-Halimi, në këtë vit ky çmim ju nda z. Ejup Bajrami.
z. Bajrami që nga viti 2002 ka filluar angazhimin e tij qytetar kundër ndërtimeve të paligjshme. Ai për shkak të angazhimit të tij në lëvizjet kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, në fund të viteve të “80-ta është diferencuar ideo-politikisht. Ndërkaq, pas përfundimit të luftës është angazhuar në Prishtinë, ku jeton që nga viti 1965, duke bërë në këtë mënyrë denoncimin e ndërtimeve të paligjshme në kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Z. Bajrami është njëri nga themeluesit e OJQ-së “Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës”, ku me këtë organizatë ai ka ushtruar padi të shumta ndaj Komunës së Prishtinës, institucioneve tjera qeveritare, kompanive të ndryshme ndërtuese, por edhe ndaj qytetarëve të papërgjegjshëm.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, tha se “Lëvizja FOL duke ndarë çmimin për Guxim Qytetar njeh dhe mbështet kontributin e çmuar dhe të guximshëm të individëve të cilët pa hezitim mbrojnë interesin publik të Republikës e Kosovës”. Ai më tej shtoi se “duke parë angazhim e z. Bajrami, në parandalimin dhe ndalimin e ndërtimeve ilegale në lagjet e ndryshme të Prishtinës, shumë qytetarë filluan të mobilizohen dhe të kundërshtojnë ndërtimet e “egra””.
Genc Salihu, Kryesues i Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL duke dorëzuar çmimin, deklaroi se “është nder për mua që të ndaj këtë çmim e aq më shumë kur kihet parasysh se z. Ejup Bajrami ka dëshmuar sukses në iniciativën e tij dhe ne duhet ta çmojmë këtë guxim”. “z. Bajrami është shembull i palodhshëm i angazhimit qytetar, duke vazhduar të rezistojë përballë praktikave abuzive edhe në moshën e tij prej pensionisti, Çmimi për Guxim Qytetar 2011 mbanë me plot meritë emrin e tij”, përfundoi fjalimin e tij Genc Salihu. .
Me rastin e pranimit të çmimit z. Ejup Bajrami deklaroi se e pranoj këtë çmim më shumë kënaqësi dhe njëkohësisht edhe më shumë përgjegjësi. Ai tha se “ky çmim e ka dëshmuar qëllimin e iniciativës sime dhe disa qytetarëve të Prishtinës, e gjithashtu ky çmim dëshmon se ne nuk duhet të ndalemi asnjë herë së mbrojturi interesin publik, që njëherësh është edhe vet interesi ynë”.