Debati: Investimet Publike në Infrastrukturën Rrugore: Transparenca dhe Llogaridhënia
Pejë, 19 prill 2011 – Lëvizja FOL, ka organizuar debatin e radhës me komunat: Pejë dhe Gjakovë, me temën “Investimet Publike në Infrastrukturën Rrugore: Transparenca dhe Llogaridhënia”. Pjesëmarrës në këtë debat kanë qenë zyrtarët komunal të këtyre komunave, shoqëria civile, media dhe qytetarë të këtyre komunave.
Fillimisht z. Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, shprehu keqardhjen për mos pjesëmarrjen në këtë debat të zyrtarëve komunal nga komuna e Deçanit, Klinës e Istogut, duke e konsideruar këtë si mungesë të vullnetit për të diskutuar publikisht rreth temës së debatit. Sipas tij, Lëvizja FOL ka filluar të implementoj këtë projekt duke u bazuar në shkallën e lartë të investimeve në infrastrukturën rrugore dhe nivelin e ultë të transparencës që i ka përshkuar realizimin e projekteve në këtë sektor. Ai shtojë se qëllimi i debateve nëpër komuna është për të trajtuar trendin e investimeve publike në infrastrukturën rrugore nga niveli qendror dhe lokal në komuna, gjendja aktuale, planet për të ardhmen si dhe niveli i transparencës dhe llogaridhënies së këtyre investimeve.
Debati ka vazhduar me Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publik në Komunën e Gjakovës, z. Bernard Frrokaj, i cili deklarojë transparenca dhe llogaridhënia në KK të Gjakovës është në nivel të kënaqshëm sa i përket investimeve publike të realizuara në këtë komunë. Sipas tij “zyra e informacionit ë kësaj komune është në dispozicion të qytetarëve për çdo kërkesë që ata kanë, çdo mbledhje është e hapur për media, qytetarë, shoqëri civile e organizata ndërkombëtare si dhe më e rëndësishmja është se në këtë komunë në bazë të ligjeve secili qytetarë mund të ketë qasje në kontratat për secilin projekt që kjo komunë realizon”. Si fenomen negativë ai e cilësoj “tendencën që investimet komunale të planifikohen dhe orientohen nga niveli qendror, gjë e cila është kompetencë ekskluzive e kryetarit të komunës”. Sa i përket investimeve në infrastrukturën rrugore nga ana e Qeverisë së Kosovës në këtë komunë ai u shprehë se “kjo komunë është anashkaluar dhe se 7 projektet që kjo komunë i ka dërguar për financim nga niveli qendror ende nuk ka marrë asnjë përgjigje rreth statusit të kërkesës së tyre”.
Drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Pejës, z. Naim Sahiti tha se “ne si komunë jemi të pakënaqur me nivelin e investimeve qendrore në komunën tonë, ku për vitin 2008 në infrastrukturën rrugore janë investuar 5.3 milion euro, 2009 rreth 2 milion euro, në vitin 2010 asnjë investim dhe në vitin 2011 rreth 500 mijë euro”. Sipas tij Qeveria e Kosovës nuk e bënë ndarjen e buxhetit në bazë të kritereve dhe prioriteteve. Këtë ai e dëshmon edhe më faktin së “kësaj komune nuk i është kthyer asnjë përgjigje për 11 projekte që i ka dërguar për financim nga ana e Qeverisë së Kosovës”. Ai me tej shtoj se “për vitin 2011, KK e Pejës për investime në rrugë ka ndarë rreth 1.7 milion euro dhe kjo ndarje buxhetore është bërë në bazë të disa kritereve e nevojave dhe debateve të realizuara me qytetarë të kësaj komune”.
Pas prezantimit nga ana e zyrtarëve, diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje për disa projekte qe për disa vite ende nuk janë realizuar dhe u shpreh një pakënaqësi e theksuar për mungesën e transparencës për projektet në fjalë.
Ky aktivitet u mundësua me përkrahje të USAID përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga ISC ” Instituti për Komunitete të Qëndrueshme.