Bordi Këshillëdhënës i Lëvizjes FOL zhvillojë mbledhjen e radhës për vitin 2013
Prishtinë, 13 qershor 2013 – Bordi Këshillëdhënës i Lëvizjes FOL ka mbajtur të enjten mbledhjen e radhës për vitin 2013. Në këtë mbledhje janë paraparë dhe është diskutuar për raportin vjetor të punës dhe atë financiar për vitin 2012 dhe për iniciativën e Lëvizjes FOL për anëtarësimin e Kosovës në Open Government Partnership-OGP.
Anëtarët e Bordit në mënyrë unanime miratuan raportin e punës dhe atë financiar për vitin 2012 pas prezantimit nga ana e menaxhmentit të Lëvizjes FOL. Gjithashtu në këtë takim Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL informojë anëtarët e Bordit rreth iniciativës që FOL ka marrë për anëtarësimin e Kosovës në iniciativën globale për transparencë dhe mirëqeverisje pra në Open Government Partnership-OGP. Ndër të tjera Petrit Zogaj tha se “OGP është një iniciativë shumë palëshe, ku përfshihen qeveritë, shoqëria civile si dhe sektori i biznesit që synon të promovojë transparencën, fuqizimin e qytetarisë aktive, luftën kundër korrupsion si dhe shfrytëzimin e teknologjisë së re për të fuqizuar qeverisjen e mirë”. Duke pas parasysh nivelin e lartë të korrupsionit në vend, mungesën shqetësuese të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, Lëvizja FOL duke u mbështetur nga Ambasada Britaneze në Kosovë pret interesim si nga Presidenca, Qeveria e Kosovës, institucione tjera si dhe sektori privat për anëtarësim në këtë organizatë. Ai tha se FOL ka arritur që të vendos kontaktet e para me Open Government Partnership-OGP dhe gjithashtu ka hartuar planin i cili parasheh veprimet që Kosova duhet të ndërmarrë në mënyrë që në prill të vitit 2014 të jetë anëtare e kësaj organizate.
Bordi Këshillëdhënës i dha mbështetje dhe e përkrahi këtë iniciativë të Lëvizjes FOL, e cila duhet parë si presion publik ndaj institucioneve tona për të bërë sa më transparente shpenzimet publike të tyre.
Mbledhja e Bordit ka vazhduar me pika të tjera të rendit të ditës ku edhe njëherë është rikonfirmuar mbështetja e plotë e tij karshi angazhimeve të Lëvizjes FOL në promovimin e luftës anti-korrupsion, ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.