Bord-i i OSHP-së të shqyrtojë 279 ankesat e deponuara prej Gushtit të 2013
Prishtinë, 26 mars 2014 – Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, pas një periudhe gati 8 mujore është ri-funksionalizuar me emërimin e anëtarëve të rinj të Bord-it nga ana e Kuvendit të Kosovës në seancën e datës 20 Mars 2014. Gjatë periudhës 01 Gusht 2013 – 20 Mars 2014, kur OSHP nuk ka kryer funksionin e tij për shqyrtimin e ankesave në procedura të prokurimit publik, në këtë institucion janë deponuar gjithsej 279 ankesa në lidhje me procedura të ndryshme.
Mirëpo, sipas informacioneve të fundit që kanë dal në opinionin publik edhe nga vet udhëheqësit e këtij institucioni, Bord-i i OSHP-së përveç 24 ankesave, të cilat janë deponuar pas datës 14 Shkurt 2014, 255 ankesa të tjera nuk do t’i shqyrtojë fare me arsyetimin se të njëjtave ju ka skaduar afati ligjor për shqyrtim. Këto procedura të prokurimit do të mbesin që të vendosen nga zyrtarët përkatës të prokurimit në autoritetet kontraktuese relevante.
Lëvizja FOL vazhdimisht ka shprehur shqetësimin se mos-funksionimi i OSHP-së ka krijuar mundësi për keqmenaxhim, keqpërdorim dhe korrupsion në prokurim publik.
FOL vlerëson se mos shqyrtimi i ankesave të deponuara gjatë periudhës kur OSHP ka qenë jo-funksionale dhe lënia e tyre për vendimmarrje në gjykimin e zyrtarëve të prokurimit publik do të krijojë:
1. Mundësi për keqmenaxhim, keqpërdorim dhe korrupsion në prokurim publik.
2. Dëmton interesin e operatorëve ekonomik, dhe
3. Krijojë precedent për raste të tjera ku organet që janë të obliguara me ligj të ndajnë drejtësi të refuzojnë të bëjnë një gjë të tillë.
Prandaj, Lëvizja FOL kërkon që Bordi i OSHP-së të mos delegojë përgjegjësinë e tij tek zyrtarët e prokurimit, por të gjejë mundësi që ankesat e deponuara t’i shqyrtojë qoftë edhe me procedurë të përshpejtuar dhe të vendosë ashtu siç edhe obligohet me ligj. Ne, konsiderojmë që çdo formë tjetër e të vepruarit është tejet e rrezikshme dhe mund të krijojë mundësi abuzuese nga autoritetet kontraktuese.