Adem Meta fiton Çmimin për Guxim Qytetar 2012
Prishtinë, 28 Dhjetor 2012 – Lëvizja FOL në një ndejë të organizuar për fundvit, ndau për herë të katërt Çmimin për Guxim Qytetar. Ky çmim i’u nda z.Adem Meta. Z.Adem Meta, jurist me profesion si dhe nje aktivist i palodhshëm gjatë njëzetë viteve të fundit. Kontribut të çmueshëm z.Meta dha në përudhën e paraluftës ku ka qenë sekretar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive në Skenderaj e mandej edhe si gazetar, që nga themelimi i gazetës Koha Ditore, duke informuar opinionin vendor e ndërkombëtarë me zhvillimet e bujshme të asaj kohe.
Pas daljes publike të UÇK-së në vitin 1997, përmes informimit të opinionit ai ka luajtur rol të rëndësishëm në popullarizimin dhe prezantimin e aksioneve të UÇK-së si dhe prezantimin e represionit të ashpër të policisë serbe ndaj popullatës civile. Përkundër rreziqeve të mëdha për jetën, Ademi ka shoqëruar nëpër zonat e luftës dhe mbarë territorin e Komunës, gazetarët e medieve vendore e ndërkombëtare si dhe delegacionet e shumta ndërkombëtare. Gjatë gjithë luftës, kudo qe ka qenë Ademi ishte burim i besueshëm dhe shumë kooperativë për të gjithë ata qe dëshironin të mësojnë për realitetin e asaj kohe.
Pas lufte Z.Meta ka vazhduar të mbetet shumë aktiv në shoqërinë civile (KMDLNj, KAC-i). Si gazetar në vazhdimësi ka qenë kritik ndaj të gjitha parregullsive të pushtetit aktual të pasluftës për çka ka fituar disa mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare, por për shkak të profesionalizmit të tij ai, sidomos nga viti 2008, ka hasur edhe në vështirësi të mëdha në punë. Ato kanë kulmuar nga fushata zgjedhore e fundvitit 2010 në komunën e Skenderajt, e po vazhdojnë edhe sot, jo vetëm duke e penguar në ushtrimin e lirë të punës së gazetarit por edhe duke e kërcënuar dhe sulmuar në forma të ndryshme. Nga kërcënimet nuk janë kursyer as familja e tij. Z.Meta vazhdon të jetë zë i besuar dhe i cmuar për informim objektiv dhe të drejtë për qytetarët e Komunës së Skenderajt dhe më gjërë.
Halil Matoshi, publicist njëherit edhe anëtarë i Bordit Këshillëdhënës nga Lëvizja FOL, tha se “Lëvizja FOL duke ndarë çmimin për Guxim Qytetar njeh dhe mbështet kontributin e çmuar dhe të guximshëm të z.Meta, i cili është një shembull i mirë i gazetarisë profesionale si dhe guximit, ai më tej shtoi se z.Meta duhet të jetë një shembull i mirë për gazetarinë në Kosovë.
Ndërsa, Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv në FOL tha se: Lëvizja FOL po mbyll këtë vit, sikur se edhe tre vitet e tjera, më një ngjarje, e cila po tenton të mbështes, të mbroj dhe të falënderoj individët, të cilët, edhe pse kanë hasur në vështërsi gjatë kryerjes së punës së tyre të përditshme, nuk janë ndalur në asnjë moment për të informuar publikun, për të hapur debat për çështje të caktuara dhe për t’i mbrojtur kauzat e tyre të drejta. Z.Meta, është një shembull i një qytetari të devotshëm, i cili nuk bën kompromise më parimet, duke qenë I gatshëm të pranoj edhe rreziqet që mund t’i vijnë.
Fituesit e këtij Çmimi në tre vjetet e fundit ishin: z. Rufki Suma, kandidat i pavarur që fitoi zgjedhjet për kryetar të Komunës së Hani të Elezit, znj. Ajnishahe Shala-Halimi poashtu edhe z.Ejup Bajrami, ndërsa këtë viti ky çmim i’u nda z.Adem Meta.