FOL prezanton hapat konkret që do të ndikonin në rritjen e transparencës në sistemin gjyqësor

Prishtinë, 29 maj 2017 –  Lëvizja FOL ishte pjesë e takimit të rregullt mujor të Kryetarëve të Gjykatave Themelore dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës ku prezantoi disa nga hapat konkret që do të ndikonin në ngritjen e transparencës në sistemin gjyqësor, rrjedhimisht edhe rritjen e besimit të qytetarëve .

Pika e parë e cila u diskutua në këtë takim ishte anulimi i seancave dhe publikimi i arsyeve të mos mbajtjes së tyre. Gersi Gashi, nga Lëvizja FOL, tha “përderisa gjykatat në shumicën e rasteve nuk janë fajtore për mos mbajtje dhe shtyrje të seancave, perceptimi në publik nuk është i tillë”.

Një faktor që luan rol në këtë perceptim është edhe mungesa e publikimit të arsyeve të mosmbajtjes së seancave. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, u shpreh që kjo do të ishte një hap i rëndësishëm në ngritjen e besimit të qytetarëve, dhe përderisa ka mungesë të resurseve që një gjë e tillë të arrihet për të gjitha lëndët, mund të fillohet me disa prej tyre, si rastet në të cilat interesimi i media dhe publikut në përgjithësi është më i lartë. Stephanie Lefeuvre, nga Komisioni Evropian, theksoi që anulimi i seancave, the arsyeja e anulimit të tyre, do të jetë pjesë e indikatorëve të CePej-it dhe Sistemi Elektronik për Menaxhim të Lëndëve, prandaj duhet të fillohet me kohë.

Pika e dytë e diskutimit ishte anonimizimi dhe publikimi i të gjitha aktgjykimeve, përfshirë edhe akgjykimet që nuk janë përfundimtare, dhe të ekzekutueshme.. Gersi Gashi, theksoi bazën ligjore që e lejon këtë, që nga konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Përderisa nuk kishte kundërshtime nga asnjë i pranishëm rreth kësaj, kryetarët e Gjykatës Themelore të Prizrenit dhe asaj të Pejës pohuan që një gjë e tillë duhet të ndodhë. Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, z. Ymer Hoxha, theksoi se neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është burim i të drejtës në vendin tonë, dhe me këtë parashihet zbatimi drejtpërdrejtë i marrëveshjeve/ konventave ndërkombëtare,  prandaj publikimi i të gjitha aktgjykimeve duhet të jetësohet. Kryesuesi i KGJK-së, shtoi që përderisa ligji mbi gjykata ndalon publikimin e të gjitha aktgjykimeve, së pari duhet të ndryshohet ligji dhe pastaj të procedohet me ndryshime të tjera.

Sa i përket çështjes së anonimizimit, përderisa nuk kishte kundërshtime rreth mos-anonimizimit të rasteve kishte pohime nga disa kryetarë që një gjë e tillë duhet të rishikohet. Një rishikim të tillë e përkrah edhe Lëvizja FOL, dhe propozon që  të ketë takime ndërmjet KGJK-së, kryetarëve, dhe Agjencisë për Mbrojtje të të Dhënave Personale, për të përpiluar një rregullore e cila në të njëjtën kohë mbron të dhëna personale, por gjithashtu nuk mbron më shumë se që duhet. Për më tepër, kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, dhe ai i Gjykatës Themelore në Ferizaj e mbështetën idenë e publikimit të aktgjykimeve pa anonimizim fare, pasi që sipas tyre në momentin që aktgjykimi është publik, dhe nxirret në emër të popullit, atëherë edhe si i tillë duhet të publikohet.

Për fund, u diskutua edhe çështja e takimeve të mbajtura ndërmjet kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës. Gersi Gashi theksoi që këto takime janë shumë të rëndësishme, njëjtë si për gjykatat, por po ashtu edhe për publikun. Përderisa këto takime rregullohen në bazë të ligjit që në minimum duhet të mbahet një në 3 muaj, duhet të ketë ngritje të transparencës për këto takime, duke mbajtur dhe publikuar procesverbalet e këtyre. Kryetarët e Gjykatave treguan që këto takime mbahen, dhe për më tepër mbahen edhe takime tjera të rregullta dhe janë tërë kohën në koordinim me degët, por procesverbalet e këtyre dërgohen në KGJK dhe ju mbetet atyre të vendosin për publikimin e tyre.

Si konkludim është me rëndësi që gjyqësori po e bënë ndërlidhjen e transparencës, llogaridhënies, dhe është i interesuar të punojë në ngritjen e besimit të qytetarëve. Mbetet që të monitorohen këto procese dhe të shtyhet përpara jetësimi i diskutimeve nga ky takim.

 

Programi “Kërko drejtësi” ka për qëllim fuqizimin e kërkesave të qytetarëve për drejtësi në Kosovë. Ky program implementohet nga NCSC dhe mbështet nga Departamenti i Shtetit Amerikës/INL.