Takimi i parë i “Forumit për Qasjen në Drejtësi” në komunën e Gjakovës
Gjakovë, 31 korrik- Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Afrimi i qytetarëve me institucionet e drejtësisë”, i cili financohet nga populli amerikan përmes USAID/ATRC, ka mbajtur sot takimin e parë për formimin e “Forumit për Qasjen në Drejtësi” në Komunën e Gjakovës. Në këtë forum të ftuar ishin përfaqësues të Gjykatës, Prokurorisë, Policisë, përfaqësues nga Avokati i Popullit, nga Qendra për Ndihmë Juridike, përfaqësues të Odës së Avokatëve, OJQ-ve, mediave dhe qytetarët e interesuar në Komunën e Gjakovës. Në forum munguan përfaqësuesit e institucioneve nga Gjykata Themelore në Gjakovë dhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Kenan Tora, përfaqësuesi i Lëvizjes FOL paraqiti idenë dhe ndihmën që do ta jepte funksionimi i forumit për institucionet dhe qasjen e qytetarëve në drejtësi. Ndërkaq, Drenusha Mula, koordinatore lokale e Lëvizjes FOL në Gjakovë i paraqiti të gjeturat gjatë realizimit të projektit. “Vështirësi sa i përket qasjes në Gjykata është që nga caktimi i takimit me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, mandej mos dhënia e listës së rasteve të korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publikë, pra vetëm janë tregu si shifra por nuk është lejuar që të kemi një kopje të asaj liste”, tha Mula. Avdi Berisha, kapiten në Policinë e Kosovës tha se Policia garanton trajtim të çdo rasti në mënyrë serioze. “Policia e Kosovës bashkëpunon me Prokurorinë me kohë për procedurat e rastit. Ai potencoi se ekzistojnë forma të ndryshme të qasjes në Polici e sidomos ato të Inspektoratit Policorë, ku në shumë raste kanë pasur rezultat pozitiv”, deklaroi Berisha.
Faton Canhasi, korrespodent i RTK-së nga Gjakova deklaroi se mungesa e kompetencave nga Gjykata për informim të rasteve ka bërë që secilën herë e më shumë të humbet rëndësia dhe pesha që duhej ta kishte një informacion. “Mbyllja e rasteve për informacion ndihmon në fshehjen e gjërave të kundërligjshme që mund të ndodhin gjatë një procesi në Gjykatë”, tha Canhasi.
Avokati Remzi Gjikolli, tha se për çështje civile duhet të pritet 5 – 6 vite deri sa të fillon mbajtja e seancave. “Kjo shkaktohet nga numri i madh i lëndëve si dhe numri i vogël i gjykatësve”, deklaroi Gjikolli.
Flamur Gojani nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës për regjionin e Gjakovës kërkoi që gjykatësit ti kërkojnë kushtet e tyre të punës. “Me përmbushjen e kushteve të punës atëherë gjykatësi do të ndihej i sigurt dhe i lirë që ta kryej punën e tij në mënyrë korrekte. Ai gjithashtu kërkoi që gjykata të jetë më e qasshme dhe të shfrytëzohej përdorimi i internetit si nga prokurorët ashtu edhe gjyqtarët ku në këtë formë do lehtësonin punën si vetes ashtu edhe qasjes së qytetarëve në Gjykata”.
Fatime Boshnjaku nga Rrjeti ‘Qeliza’, ndër të tjera tha se “neve si shoqëri na mungon guximi qytetarë dhe se kur të vjen puna për drejtësi në Kosovë njerëzit janë të zhgënjyer. Nuk ka drejtësi tek ne dhe se duhet një kohë e gjatë dhe një vetëdijesim i madh që qytetarët ta kuptojnë se secili mundet të jap kontributin e tij”.
Lëvizja FOL synon që takimet e këtij Forumi të jenë të rregullta në ardhmen.
Ky projekt financohet nga populli amerikan përmes USAID/ATRC.