Indeksi i Transparencës së Institucioneve qendrore, lokale dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë 2012
Prishtinë, 19 korrik 2013– Lëvizja FOL ka publikuar sot, për të tretin vit me radhë Analizën “Indeksi i Transparencës IV”, në të cilën prezantohen të gjeturat rreth nivelit të transparencës së institucioneve të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë për vitin 2012.
Këtë vit, Lëvizja FOL është fokusuar kryesisht në përparimet e bëra që nga studimi i vitit të kaluar në funksionimin e strukturave të brendshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që janë përgjegjëse për çështjet e komunikimit dhe informimit publik. Ky studim fokusohet në atë se deri në çfarë niveli institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë zhvilluar kapacitetet e strukturave të tyre formale për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumentet publike, pra komunikimit dhe informimit publik, me qëllim të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut.
Mexhide Demolli-Nimani, nga Lëvizjen FOL, deklaroi se “Indeksi i Transparencës së Institucioneve qendrore, lokale dhe ndërmarrjeve publike” për vitin 2012 fokusohet në zbatimin e Ligjit për Qasjen në Dokumente Publike, nga ana e Zyrave të Komunikimit me publikun në Institucionet përkatëse.
Sipas saj, pyetësori u është dërguar 32 institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, nga të cilat 19 kanë kthyer përgjigje, ku vetëm 1 është renditur si institucion i hapur – Doganat e Kosovës, përkatësisht Zyra për Komunikim me Publikun, e cila ka marrë 93 pikë prej 100 pikë sa është vlerësimi në total. Ndërkaq, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale sipas vlerësimit tonë ka marr vetëm 26 pikë nga 100, të cilat pikë edhe e rendisin si institucionin më të mbyllur.
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Raporti Indeksi i Transparencës përfshin edhe Komunat e Kosovës. “Sa i përket nivelit lokal, pyetësori u është dërguar 32 komunave, ndërkaq përgjigje kemi marrë vetëm nga 17 prej tyre. Siç tregojnë gjetjet e këtij vlerësimi, komunat që kanë qenë pjesë e pilot projektit vitin e kaluar kanë shënuar përparime të dukshme në të gjitha aspektet e politikave të komunikimit dhe informimit publik”, deklaroi Demolli-Nimani.
Sipas saj, shumica e komunave kanë miratuar akte nënligjore për komunikim dhe informim publik, e disa prej tyre edhe dokumente politikash që përcaktojnë synime e aktivitete të qarta në këtë fushë. Megjithatë, siç tregon ky raport më hollësisht, ka akoma mospërputhje në përkufizimin e koncepteve dhe të fushëveprimit të kornizës ligjore.
Kjo përfshin edhe mungesën e përcaktimit të saktë të kompetencave dhe përgjegjësive të zyrave përgjegjëse për komunikim dhe informim publik. Në anën tjetër, ngjashëm me të gjeturat në nivelin qendror, por në masë më të theksuar në nivelin komunal, vihet re mungesa e qartësisë rreth asaj se çfarë masash e mekanizmash konkrete të zbatimit janë përcaktuar përmes legjislacionit kornizë dhe atij zbatues. Edhe në këtë rast, paqartësitë janë në masë të madhe pasojë e të kuptuarit të ndryshëm të natyrës dhe fushëveprimit të legjislacionit dhe të politikave për komunikim dhe informim publik, si dhe interpretimit të ndryshëm të tyre nga ana e strukturave komunale përgjegjëse për komunikim dhe informim publik.
Më tej, fusha e komunikimit dhe informimit publik vazhdon të konceptohet thjesht si një fushë politikash e kufizuar në mundësimin e qasjes së qytetarëve në dokumente publike. Më konkretisht, këto politika, të cilat janë në shumicën e komunave, në fillim të zhvillimit të tyre nuk kanë si pjesë të tyre përfshirjen e akterëve të ndryshëm në zhvillimin, zbatimin, si dhe monitorimin e vlerësimin e zbatimit të legjislacionit dhe të politikave lokale në të gjithë sektorët dhe fushat.
Mungesa e një renditje për komunat e Kosovës është si rezultat i një performance thuajse të ngjashme dhe të dobët nga të gjitha zyrat e komunikimit në komunat që kemi pranuar pyetësorët e plotësuar.