Matësi i së vërtetës ” Deklaratat e pamatura të politikanëve

Deklarata: “Kontrabanda në pikat 1 dhe 31 është ndaluar 100 për qind. Kemi filluar për herë të parë të vëmë rend dhe ligj edhe në pjesën më të largët të territorit të Republikës së Kosovës”

Autori: Hashim Thaçi ” Kryeministër
Data: Gusht 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË

Arsyetimi: Kryeministri i vendit ka thënë shumë herë pas aksionit të 25 korrikut, se me këtë aksion dhe vendosjen e KFOR-it ishte ndaluar 100 % kontrabanda në veri të vendit. Por, në mbledhjen e datës 7 shtator (e mërkurë), Thaçi e demantoi vetveten duke thënë se po punohet për ndaljen e kontrabandës në veri. Gjithashtu, kryeministri demantoi veten edhe për doganierët në pikën 31 për të cilët tha se janë atje tash e një kohë. Në mbledhjen e së mërkurës kryeministri ka thënë se po punohet që të vendosen doganierët në pikat 1 dhe 31.

Deklarata: “Zyrtarët serb të cilët qëndrojnë ilegalisht në Kosovë dhe që marrin pjesë në dhunë nuk mund të jenë bashkëbisedues”

Autori: Edita Tahiri, negociatore e Kosovës,
Data: 2 gusht 2011
Vlerësimi: E PAQËNDRUESHME

Arsyetimi: Zv/kryeministrja dhe negociatorja e Kosovës, Edita Tahiri e ka thënë me shumë besim më se Borislav Stefanoviq nuk është i denjë për t”u ulur në një tavolinë bisedimesh me të. Kjo për faktin se ai po hynte ilegalisht vazhdimisht në Kosovë. Por, një muaj më vonë, Tahiri e ka takuar në Bruksel pikërisht njeriun e njëjtë, edhe pse publikisht është shfaqur e padisponueshme. Më vonë, Tahiri ka thënë se kishte kërkuar edhe zëvendësimin e Stefanoviqit, por për këtë vendos Beogradi. Duke e ditur se nuk është në duart e saj, Tahiri ose do të duhej të refuzonte negocimin me Stefanoviqin, ose të mos i komentonte fare aktivitetet e tij.

Deklarata: “Në drejtim të Qeverisë së Kosovës nuk ka ardhur asnjë letër, asnjë kërkesë. Por, në asnjë rrethanë nuk do të lejojë që Qeveria e Kosovës të interferojë në punët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pushtetet janë të ndara. Qeveria e Kosovës kryen me përgjegjësi të lartë vendimet e institucionit, organit që e ka zgjedhur, të Parlamentit të Kosovës”

Autori: Hashim Thaçi ” Kryeministër
Data: 13 korrik 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË

Arsyetimi: Kryeministri Thaçi ka ndërruar shumë shpejt mendim për çështjen e imunitetit, duke e demantuar vetveten brenda një kohë të shkurtër. Kur u ngrit çështja e imunitetit të deputetëve, në shumë paraqitje dhe intervista, siç e dëshmojnë këto deklarata ai ka thënë se kjo ishte një çështje në të cilën Qeveria e Kosovës nuk do të ndërhynte, sepse respektonte ndarjen e pushteteve. Por, vetëm disa ditë më vonë ai shfrytëzoi të drejtën për t”iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke e gjeneralizuar problemin dhe duke kërkuar sqarim imuniteti për të gjithë bartësit e posteve shtetërore. Në fakt, kryeministri u tregua kontradiktor dhe u shfaq sërish i gatshëm të ndryshojë deklaratat dhe qëndrimet sa herë të dojë.

Deklarata: “Ekziston një urdhër, që nëse qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb hasen me targa të cilat ka filluar t”i lëshojë Qeveria e Serbisë, ato duhet të konfiskohen. Ai urdhër është valid dhe ai urdhër nga ne do të implementohet edhe në të ardhmen”

Autori: Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm
Data: 26 prill 2011
Vlerësimi: VE PAVËRTETË

Arsyetimi: Ministri i Brendshëm ka treguar sërish se është jokonsistent në qëndrimet e tj. Vetëm pak kohë pas kësaj deklarate, ai ndryshoi gjithçka duke thënë se kjo çështje do të zgjidhej me dialog. Më 13 korrik Rexhepi tha se i kishte kërkuar drejtorit të policisë që të tolerojë posedimin e dokumenteve të tilla serbe, por vetëm deri më 1 nëntor të këtij viti. Tanimë nuk është e qartë, në bazë të zhvillimeve, nëse edhe kjo do të ndryshojë, që do të nënkuptonte edhe një tjetër ndryshim të qëndrimit të ministrit Rexhepi.

Deklarata: “Operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm”

Autori: Fernando Gentilini, përfaqësues Special i BE-së për Kosovën
Data: 25 korrik 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË

Arsyetimi: Kjo deklaratë e njeriut të parë të BE-së në Kosovë bie në kundërshtim të hapur me atë që e promovon formalisht, EULEX-i. Misioni evropian thotë se ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit, ndërkohë që duke kërkuar kthimin e gjendjes së para 25 korrikut, në fakt kërkon kthimin e mbretërimit të paligjshmërisë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.