LËVIZJES FOL I MUNDËSOHET QASJE NË PROKURIMIN E MINISTRISË SË ADMINISTRATES PUBLIKE

23 maj 2011 Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, z. Mahir Yagcilar, dhe drejtori ekzekutiv i Lëvizjes “Fol”, z. Ramadan Ilazi, nënshkruan Memoranduminin e Mirëkuptimit ndërmjet MAP-it dhe Lëvizjes “Fol”, që ka të bëjë me vëzhgimin dhe monitorimin e procedurave të prokurimit.

Ky veprim është në funksion të promovimit të transparencës gjatë procesit të dhënies së kontratave publike, procedurave të prokurimit dhe të tenderimit, në pajtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike nr.03/L-215 dhe të Nenit 7 të Ligjit të Prokurimit Publik nr.03/L-241, që synon parandalimin e keqpërdorimeve, korrupsionin dhe konfliktin e interesit.

Me këtë Memorandum, palët nënshkruese, MAP-i dhe Lëvizja “Fol”, do të jenë pjesë e vëzhgimit të procedurave të tenderimit në të gjitha fazat e procedurës, sidomos në fazën e hapjes dhe të vlerësimit të ofertave, duke iu siguruar qasje të plotë dhe të drejtpërdrejtë në gjithë dokumentacionin e tenderit, për aq sa lejojnë dispozitat ligjore. Është edhe ky një hap i Qeverisë/Ministrisë në transparencën e punës institucionale, por edhe në luftimin e dukurive negative.