Pesë shkelje të kushtetuese në zgjedhjen e presidentit
Prishtinë, 21 mars – Lëvizja FOL është treguar më e shpejtë se Gjykata Kushtetuese në dhënien e interpretimit, nëse zgjedhja e presidentit Behgjet Pacolli ka qenë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi në Kosovë. Pas një vështrimi ligjor që kjo OJQ ia ka bërë seancës së jashtëzakonshme të mbajtur me 22 shkurt në Kuvendin e Kosovës, ka ardhur në përfundim sezgjedhja e kreut të shtetit është shoqëruar me parregullsi, të cilat e dëmtojnë integritetin e institucionit të presidentit të Republikës, si dhe funksionimin demokratik të shtetit të Kosovës.
Në dokumentin e FOL-it, të cilin e disponon “Koha Ditore”, e një kopje e të cilit i është dorëzuar edhe “gardianit” të Kushtetutës, specifikohen pesë shkelje kushtetuese dhe tri shkelje ligjore dhe procedurale. Shkeljet kushtetuese konsistojnë në nenin 86, pika 4; në nenin 86 paragrafi 5, në nenin 70 paragrafi 1, në nenin 86 pika 1 si dhe në nenin 83 të Kushtetutës. Kurse shkeljet ligjore dhe procedurale, sipas FOL-it, rëndojnë mbi nenin 3, pika 1 dhe pika 2 të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetit, si dhe mbi nenin 5, pika 2 të Ligjit për presidentin e Republikës së Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i kësaj OJQ-ja, Ramadan Ilazi, ka bërë të ditur se analiza është kryer nga juristët e organizatës me qëllim që Gjykatës Kushtetuese t”i jepen dëshmi shtesë rreth lëndës që është ngritur nga deputetët opozitarë.
“Me ligj, jepet mundësia që pala e tretë, të japë dëshmi shtesë në një lëndë të ngritur. Në këtë rast, palë e tretë jemi ne. Tash varet nga Gjykata Kushtetuese nëse e merr ose jo në shqyrtim vështrimin ligjor që e kemi bërë ne”, ka deklaruar Ilazi.
FOL ka sqaruar se neni 86, pika 4 të Kushtetutës përcakton që zgjedhja e presidentit të bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, çka sipas kësaj organizate, nënkupton se 2/3 e deputetëve janë e pakta 80 prej tyre.
“Në një proces i cili kushtëzohet me votimin e të paktën 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit, kuorumi i nevojshëm për të filluar procesin e tillë është 80 deputetë. Kjo nënkupton që nuk mund të kërkohen 80 vota nëse në sallë nuk janë të pranishëm së paku 80 deputetë”, thuhet në vështrimin ligjor të Lëvizjes FOL.
“Në Kuvendin e Republikës së Kosovës në kohën e votimit për president ishin të pranishëm vetëm 67 deputetë. Kjo e bën automatikisht të pamundshëm konstatimin e kuorumit të nevojshëm prej 80 deputetësh, respektivisht arritjen e 2/3 të votave. Prezencën e vetëm 67 deputetëve në sallë e ka konstatuar edhe Kryetari i Kuvendit”, sqaron kjo OJQ. Sipas kësaj organizate, në mungesë të një kuorumi të tillë, dy raundet e para të votimit për president kanë qenë improvizim dhe si të tilla kanë shkelur drejtpërdrejt nenin 86, paragrafin 4 të Kushtetutës.
Mungesa e kundërkandidatit
Për të argumentuar shkeljen tjetër, Lëvizja FOL i është referuar nenit 86 paragrafit 5 të Kushtetutës, i cili e specifikon organizmin e raundit të tretë të votimit për president në rast se asnjëri nga kandidatët për këtë post nuk arrijnë që t”i marrin votat e mjaftueshme në dy raundet e para. Në rastin konkret, atë të zgjedhjes së Pacollit, nuk ka pasur kundërkandidatë.
“Përgjatë gjithë këtij paragrafi, (5 v.j) kur flitet për kandidatët për president, përdoret vetëm shumësi (ngjashëm edhe në paragrafin 6 të po këtij neni). Kjo në vetvete nuk jep asnjë mundësi tjetër alternative, përveç domosdoshmërinë e pasjes së më shumë se një kandidati për president”, ka konstatuar Lëvizja FOL.
Nevoja për të pasur më shumë se një kandidat, sipas kësaj lëvizjeve, shihet edhe në paragrafin 3 të po këtij neni, pasi në të përcaktohet se për të qenë kandidat i nominuar për president, duhet të sigurosh nënshkrimet e së paku 30 deputetëve.
Pasi Kuvendi ka 120 deputetë, ky paragraf, sipas FOL-it, lejon mundësinë e nominimit të deri katër kandidatëve për kryetar shteti. “Duke pasur për kandidat vetëm z. Behgjet Pacolli, procesi i zgjedhjes së presidentit ka shkelur nenin 86, paragrafin 5 të Kushtetutës”, nxjerr konstatimin Lëvizja FOL.
Kjo lëvizje ka konstatuar se zgjedhja e Pacollit president, është bërë duke e cenuar edhe të drejtën e deputetit për ta shprehur lirshëm vullnetin e vet, gjë që i garantohet me nenin 70, paragrafi 1 të Kushtetutës.
“Zhvillimi i procesit të zgjedhjes së presidentit dhe intervenimet e ndryshme jashtë autorizimeve të tyre nga zyrtarë dhe persona të ndryshëm brenda dhe jashtë Kuvendit kanë dëshmuar që deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për president të Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli nën presion. Duke pasur dhe ndikuar nga këto presione, të dëshmuara edhe nga vetë Kryetari i Kuvendit si dhe nga raportimet e mëvonshme në media, deputetët e pranishëm në sallë kanë bërë shkeljen e nenit 70, paragrafit 1 të Kushtetutës”, ka vlerësuar Lëvizja FOL.
Cenimi i së drejtës së deputetit
Kjo OJQ ka nxjerrë konstatimin se gjatë zgjedhjes së presidentit të ri është shkelur vullneti i deputetit për ta shprehur lirshëm qëndrimin e tij për kandidatin për president, përmes votimit të fshehtë.
Neni 86, paragrafi 1 i Kushtetutës, përcakton që Presidenti zgjidhet nga Kuvendi, dhe me votim të fshehtë. Fshehtësia e votës së deputetëve për procese të tilla të rëndësishme, përveç tjerash, garanton pavarësinë e tyre dhe siguron mbrojtje nga ndikimet e jashtme. Në rundin e parë dhe të dytë të votimit për President, kandidati Behgjet Pacolli nuk ka arritur të merrte më shumë se 54, përkatësisht 58 vota pro. “Pas një pauze kontroverse, kandidati Behgjet Pacolli është votuar me 62 vota pro, si President i Republikës së Kosovës.
Fakti që votat e deputetëve janë ndryshuar nga kundër ose abstenim në pro pas pauzës, është dëshmi logjike e presionit te deputetet për të ndryshuar votat e tyre në favor të kandidatit për president”, thuhet në analizën e FOL-it.
“Për më tepër, provat e mesazheve të shkëmbyera ndërmjet kandidatit për president dhe këshilltarit të tij dëshmojnë identifikimin e deputetëve që kanë votuar kundër ose kanë abstenuar, dhe ndikimet tek ta. Duke i konstatuar të gjitha këto më lart, gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës është shkelur fshehtësia e votës, e me këtë është shkelur neni 86, paragrafi 1 i Kushtetutës”, shtohet më tej në këtë dokument.
Dhe shkelja e pestë kushtetuese, sipas FOL-it, është bërë në nenin 83, nen ky që e definon rolin unifikues që duhet ta ketë presidenti i vendit. “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës”, thuhet në këtë nen. Nisur nga kjo, Lëvizja FOL ka ardhur në përfundim se presidenti Pacolli është zgjedhur pa kuorum, me prezencën në sallë vetëm të shumicës e thjeshtë të deputetëve të Kuvendit si dhe si pasojë e presionit e ndikimit të votave të deputetëve. Për më tepër, opozita, e cila përfaqëson “shumicën e votave popullore” të Kosovës, ka braktisur sallën. Me këtë rast FOL jep edhe një propozim. “Duke e përcaktuar presidentin si përfaqësues të unitetit të popullit, duke e përcaktuar mandatin e presidentit për (5) vite, ndryshe nga mandati i Qeverisë, si dhe duke ndalur presidentin që të ushtrojnë funksione të tjera janë dëshmi se Kushtetuta kërkon që kjo pozitë të mos bëhet pjesë e “pazarit politik” por në këtë pozitë duhet të vijnë individë përmes konsensusit”.
Lëvizja FOL ka vlerësuar se për të qenë vendimet e Kuvendit të ligjshme, nuk duhet të ketë shkelje as të Kushtetutës, e as të ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit. Kjo lëvizje ka rikujtuar se kryetari i Kuvendit si interpretues i rregullores së punës ka deklaruar se pauza pas raundit të dytë të votimeve për presidentin e vendit ishte shkelje e Rregullores së punës.
FOL ka nxjerrë përfundimin se ndaj deputetëve është bërë presion për ta shprehur lirshëm vullnetin e tyre.
“Presioni i bërë ndaj deputetëve të pranishëm në sallë është evident edhe sipas deklaratës së Kryetarit të Kuvendit, ku thekson se çfarëdo ndryshimi në vota pas pauzës pas rundit të dytë do të ishte rezultat i presioneve. Në këtë rast kryetari i Kuvendit, duke qenë edhe pjesë e grupit parlamentar të PDK-së, është dëshmitarë se deputetet nuk i janë nënshtruar vetëm ndërgjegjes së tyre, por kanë votuar për presion”, ka konstatuar Lëvizja FOL.
Kjo OJQ ka bërë vërejtje edhe për angazhimin e Pacollit në ndërtimin e koalicionit qeverisës. Posti i presidentit ka qenë pjesë e negociatave për formimin e qeverisë së vendit. Në këtë mënyrë PDK-ja praktikisht ka ofruar postin e presidentit për partinë AKR në shkëmbim të votave për qeverinë, respektivisht duke e ndërlidhur drejtpërdrejt postin e presidentit me institucionet e tjera, respektivisht Qeverinë”, thuhet në vështrimin e FOL-it.
(Artikull i gazetës Koha Ditore, datë 23 mars 2011 nga Agron Halitaj)