“Trekëndëshi jo funksional”
Prishtinë, 3 shkurt 2011- Lëvizja FOL, gjatë vitit 2010 ka monitoruar dhe ka mbështetur punën e Avokatit të Popullit për të ndikuar në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Venera Ramaj, asistente juridike në Lëvizjen FOL tha se nga monitorimi i aktiviteteve publike në media për Avokatin e Popullit që i ka bërë Lëvizja FOL, rezulton se prej 80 artikujve, rreth 40 kanë të bëjnë me aktivitetet dy javore të publikimit të raportit të punës të Avokatit për vitin 2009, ndërkaq dhjetëra artikuj të tjerë nga tryezat e organizuara prej Lëvizjes FOL dhe aktivitete të tjera të pasqyruara në shkrimet autoriale të medias.
“Mos vëmendjen e duhur të institucioneve karshi Avokatit të Popullit, rënia e kredibilitetit, moszbatimi i rekomandimeve nga institucionet e tjera, kapacitetet e limituara, zvarritja e ligjit, injorimi i Kuvendit, evidentohen si disa prej sfidave që e kanë përcjell këtë institucion dhe si të tilla ndikuan negativisht në luftën kundër abuzimit me pushtetin”, tha Ramaj. Ndërsa mos zgjedhja e zëvendësve, mungesa e stafit dhe e buxhetit, sipas saj, janë disa nga problemet tjera që i shtohen listës së gjatë të mungesave që e karakterizoi institucionin gjatë vitit 2010. Dështimi i Kuvendit të Kosovës, për disa vite për ta zgjedhur Avokatin e Popullit i kushtoi kredibilitetit të këtij institucioni, i cili megjithatë shënoi disa nga sukseset, që sipas zyrtarëve të tij janë “rritja e numrit të ankesave të qytetarëve dhe disponimi i mirë i institucioneve tjera për t”i kthyer përgjigje avokatit”.
Në agjendën e legjislativit për vitin 2010, deputetët pak kohë i rezervuan punës dhe aktiviteteve të Avokatit të Popullit. Për fat të keq, kërkesat dhe rekomandimet hasën në vesh të shurdhër. Për ta tejkaluar situatën, Avokati propozoi forma të tjera alternative, si themelimin i Gjykatës Administrative, por pa sukses, nismë të cilën e përkrah edhe Lëvizja FOL.
Ndërkaq, Armend Pajaziti, koordinator i projektit tha se Kosova dhe institucionet e saj sërish janë kritikuar në raportin e Progresit të vitit 2010. Madje edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, veçmas në aspektin e adresimit të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe zvarritjes në përzgjedhjen e zëvendësve të Avokatit. “Ky raport sugjeron që Autoritetet duhet të sigurojnë përgjigje të shpejta për të gjitha kërkesat dhe rekomandime e Avokatit të Popullit”, tha Pajaziti.
Sipas tij, me pushtetin ende abuzohet në Kosovë. Shkelen të drejtat e njeriut, ndërsa Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i pafuqishëm përball këtyre zhvillimeve. Raporti I Lëvizjes FOL nxjerr disa rekomandime për disa institucione, rekomandimet më të rëndësishme janë:
Për Institucionin e Avokatit të Popullit:
” Avokati i Popullit të marrë një rol më proaktiv në të gjitha fushat që cenojnë liritë dhe të drejtat e njeriut. Aletatët e identifikuar si mediat dhe shoqërinë civile, ti afroj edhe më tej në krijimin e një fronti të përbashkët kundër abuzimit të autoritetit publik nga zyrtarët publik;
” IAP-i të ngrisë çështje në publik, atëherë kur ato nuk ti zgjidh përmes rrugëve institucionale;
” Të filloj një fushatë sensibilzimi, jo vetëm me qëllim të vetëdijesimit qytetar për tu ankuar, por edhe të institucioneve në përmbushjen e përgjegjësive të tyre ligjore karshi IAP-it;
” Të forcoj zyrën për komunikim publik, duke i bërë më aktiv dhe të zëshëm zyrtarët e saj në publik në avokimin e çështjeve.
” Të hap një linje online telefonike për shërbime falas për qytetarët që kërkojnë ndihmën e Avokatit të Popullit.
Për Kuvendin e Kosovës:
” Kuvendi i Kosovës duhet të konsultohet më shpesh me IAP-in për nevojat e tij, si dhe aktivitetet e tjera që i ndërmerr me qëllim të fuqizimit të punës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut;
” Kuvendi i Kosovës, marr parasysh agjendën e ngjeshur, do të duhej që në legjislativin e ri të formonte një komision ad hoc që do të merrej vetëm me zbatimin e rekomandimeve të Avokatitt të Popullit në mënyrë që ky institucion të forcoj autoritetin e tij, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës;
” Komisionet parlamentare, të fillojnë me zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të Komisionit Evropian të evidentuara në të gjitha Raportet e Progresit, që kanë të bëjnë me punën e Avokatit të Popullit;
” Kuvendi i Kosovës, para miratimit të Buxhetit për vitin 2011, ti ndaj një buxhet më të favorshëm IAP-it, në mënyrë të rritjes së kapaciteteve njerëzore, organizative dhe profesionale në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pushtetit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut;
” Deputetët e Kuvendit të Kosovës, veçmas ata të Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, të mos presin agjendën e komisionit, raportimet e Avokatit, por të iniciojnë debate në kuvend, të shtrojnë pyetje parlamentare duke u bërë pal me IAP-in në luftën kundër abuzimit me autoritetin publik.