Debati: Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore
Gjilan, 27 janar 2011 – Lëvizja FOL, sot, ka organizuar debatin e radhës me qytetarë në Komunën e Gjilanit, me temën “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”. Në këtë debat janë trajtuar trendi i investimeve publike në infrastrukturën rrugore në nivelin qendror dhe lokal për vitet 2008-2010 dhe ato të parashikuara për vitet 2011-2013, niveli i transparencës së këtyre investimeve, gjendja aktuale dhe hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.
Pjesëmarrës në këtë debat kanë qenë Kryetari i Komunës së Gjilanit, anëtarë të kuvendit komunal (kryesuesi dhe anëtarët e Asamblesë Komunale të Gjilanit), përfaqësues nga zyra e prokurimit, shoqëria civile, media dhe qytetarë të kësaj komune.
Fillimisht koordinatori i projektit z. Fidan Kalaja, prezantoj raportin “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”. Sipas tij, investimet në infrastrukturën rrugore kanë qenë prioritet i qeverisë në këto tre vitet e fundit gjë e cila mund të shihet qartë edhe në planifikimin dhe në ndarjen e buxhetit për këtë sektor. “Vetëm në tri vitet e fundit (2008-2010), mesatarisht 30% deri në 50% i buxhetit të Republikës së Kosovës për investime kapitale është ndarë për projekte rrugore, kurse në tri vitet e ardhshme (2011-2013) parashihet që kjo përqindje do të shkojë deri në 60%.”, tha Kalaja. Sipas tij, duke u fokusuar kryesisht në projektin më të madh infrastrukturor pas lufte në Kosovë, Autostradën Morinë-Merdare, ky raport ka identifikuar disa nga mangësitë në rrafshin e respektimit të parimeve të transparencës siç janë mos informimi i publikut rreth planifikimit të këtij projekti e sidomos për koston e saktë financiare, mos dhënien e informacionit rreth burimeve të financimit të tij, refuzimi i qasjes në dokumentacionin e projektit pa ndonjë arsyetim të bazuar, si dhe krijimi i tendencës për anashkalimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces.
Debati ka vazhduar me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, i cili deklarojë se “problemet aktuale në realizimin investimeve publike janë pasojë e mungesës së një planifikimi ekonomik, fiskal e zhvillimor afatmesëm dhe afatgjatë”. Kjo sipas tij bënë që të jetë e paqartë se cilat do të duhej të ishin prioritetet e nivelit qendror dhe atij lokal në investimet që do të duhej të realizoheshin në 5 ose 10 vitet e ardhshme. Njëra nga mënyrat se si do të evitohej ky problem sipas z. Mustafa do të ishte, “komunikimi i qëndrueshëm me vet komunitetin”, e që kjo nënkupton nivel më të lartë të transparencës në planifikim, realizim dhe përfundim të projekteve kapitale e në veçanti atyre në infrastrukturën rrugore. Gjithashtu ai potencoj një problem që ka të bëjë me investimet e nivelit qendror nëpër komuna. Sipas tij “ndarja e granteve qeveritare dhe realizimi i investimeve nëpër komuna nuk bëhet në bazë të disa parametrave dhe specifikave të secilës komunë, mirëpo këto investime më shumë janë bazuar në preferencat e ministrave, “aftësive” të kryetarëve të komunave ose ndoshta edhe vet kryeministrit”. Sa i përket investimeve të realizuara në infrastrukturën rrugore në këto vitet e fundit “në përgjithësi kanë qenë investime të duhura dhe domosdo të nevojshme edhe pse në kuadër të tyre ka pas edhe investime të gabuara” përfundon z. Qemajl Mustafa.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, z. Izmi Zeka deklaroj se “investimet në infrastrukturën rrugore të realizuara nga niveli qendror, janë parakusht për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovë”. Në komunën e Gjilanit sipas tij, nuk është realizuar asnjë projekt pa u diskutuar me qytetarë dhe se të gjitha investimet e realizuara në këtë komunë janë prioritizuar në bazë të disa parametrave. Sipas z. Zeka “në Komunën e Gjilanit, qytetari është pjesë e qenësishme e vendimmarrjes dhe se prioritetet e investimeve në infrastrukturën rrugore janë bërë në bazë të debateve dhe kërkesave të qytetarëve”. Sa i përket transparencës së këtyre investimeve në Komunën e Gjilanit, ajo është në “nivel të duhur e ndoshta nga njëherë edhe tejkalon nivelet e transparencës”, shtoj Kryesuesi i Kuvendit Komunal z. Izmi Zeka.
Anëtari i Asamblesë Komunale nga radhët e LDK-së, z. Sadedin Berisha, theksoj problemin e mungesës së legjislacionit të duhur, e i cili ndikon direkt në mos promovimin e transparencës së investimeve publike. Sipas tij, niveli i transparencës në Komunën e Gjilanit rreth këtyre investimeve nuk është edhe nivelit të knaqshëm, sepse “as un si këshilltarë komunal nuk kam informacione të nevojshme rreth kontratave për ndërtimin e projekteve rrugore”. Gjithashtu sipas tij një kujdes i veçantë do të duhej ti kushtohej cilësisë së këtyre investimeve.
Ky debat u organizua në kuadër të projektit: “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore” , që mbështetet nga ISC/USAID