Prokuroritë dhe gjykatat rrisin performancën në luftën kundër korrupsion
Prishtinë, 31 maj 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezë me ç ‘rast u publikua edhe raporti “Performanca e gjyqësorit dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsionit” për vitin 2017.
Jeton Zulfaj, menaxher i programeve nga Lëvizja FOL tha se ky është edicioni i dytë i raportit “Përtej Numrave”. Sikurse vitin e kaluar edhe për vitin 2017 Lëvizja FOL ka bërë matjen e performancës së prokurorive dhe gjykatave në luftën kundër korrupsion.“Për çdo ditë hasim termin korrupsion dhe sivjet ka qenë shumë i pranishëm për faktin që ka mbet kriteri i fundit për liberalizim të vizave. Në nivel qendror edhe prokuroritë edhe gjykatat kanë treguar përformancë pozitive në trajtimin e lëndëve të reja të korrupsionit duke zgjidhur më shume lëndë se sa kanë pranuar gjatë viti 2017”, tha Zulfaj.
Sipas Zulfajt, raporti është statistikor dhe Lëvizja FOL është duke ofruar një pasqyrë për Prokuroritë dhe për Gjykatat që të shohin dhe të maten me vetëveten, mirëpo raporti nuk mundet të tregojë se si janë zgjidhur lëndët.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj tha se “Trendi i zgjidhjes së lëndëve është pozitiv dhe atë mbi 25%”. Nuk ka asnjë dilemë se ne kemi avancuar, është rritur buxheti si dhe janë aprovuar 148 pozita shtesë vetëm për personel administrativ.
Në anën tjetër Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi tha se “Këshilli ka bërë përpjekje në luftimin e korrupsionit ku si fillim kemi themeluar grupin punues dhe kemi hartuar planin e veprimit për lëndët e korrupsionit, që kanë të bëjnë me shënjestrimin, monitorimin dhe raportimin mbi statusin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë i ashtuquajtur mekanizmi përcejllës si dhe kemi krijuar grupin punues për lëndët e korrupsionit në përbërje të gjyqtarëve. Të dy këto mekanizma i shërbejnë KGJK-së dhe ofrojnë rekomandime të politikave në luftën kundër korrupsion”.
Raporti konstaton se në nivel qendror, Prokuroritë kanë pasur një performancë pozitive dhe kanë ngritur perfromancën nga 130% në 135% në trajtimin e lëndëve të korrupsionit. Njëjtë edhe gjykatat kanë një performancë pozitive edhe në vitin 2017 më zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, megjithatë gjykatat kanë një rënie të performancës kur krahasohen me vitin 2016 që ishte 122% në 114% për vitin 2017.
Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar mbetet vepra më e përsëritur e korrupsionit, ku prej 826 personave nën hetime nga prokuroria, afër 90% e tyre i përkasin kësaj vepre penale.
Nëse korrupsioni shikohet përmes numrave, atëherë në vitin 2017 ka një rënie prej më shumë se 200 personave nën hetime nga prokuroria për korrupsion. Nga 826 persona ndaj të cilëve kishte kallëzim penal për korrupsion në vitin 2016, ky numër ka rënë në 622. Ky numër është prap i lartë duke treguar se korrupsioni mbetet prezent.
Prokuroria Speciale ka pasur normën më të mirë të zgjidhjes së lëndëve për persona prej 323% e ndjekur nga ajo e Prishtinës më 141%. Megjithatë edhe prokuroria speciale edhe ajo e Prishtinës vazhdojnë të kenë një numër të madh të lëndëve te bartura çka bënë që të vonohet drejtësia.
Për të parë të gjithë indikatorët në performancën e prokurorive dhe gjykatave në luftën kunderkorrupsion për vitin 2017, lexoni raportin në www.levizjafol.org/publikimet.