Reagim i shoqërisë civile ndaj kërkesës për konfidencialitet nga Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave

Prishtinë, 27 korrik 2021 – Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave, ka kërkuar në takimin e djeshëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët janë duke vëzhguar procesin e përzgjedhjes së një anëtari të këtij Bordi, që të nënshkruajnë një Marrëveshje për Konfidencialitet (shih shtojcen 1).

Ne, organizatat e poshtshënuara të shoqërisë civile dhe aktivistët, kundërshtojmë fuqishëm iniciativën e deputetëve përmes së cilës tentohet që të heshtet shoqëria civile dhe t’i mbyllet goja aktivistëve. Kufizimet e përcaktuara me këtë Marrëveshje për Konfidencialitet janë të kundërligjshme, e cënojnë rëndë të drejtën e informimit të publikut dhe e pamundësojnë punën e shoqërisë civile.

Marrëveshja për Konfidencialitet përcakton, mes tjerash, që përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk mund të diskutojnë hapur apo të publikojnë materiale lidhur me kandidatët si dhe ecurinë e procesit gjatë kohëzgjatjes së këtij procesi (si dhe përmban kufizime të theksuara që do të vlenin pasi procesi të përfundojë).

Megjithëse çmojmë nevojën e ruajtjes së integritetit të procesit, Marrëveshja për Konfidencialitet është e kundërligjshme. Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave përcakton që “[a]nëtarët e Bordit për Ankesa emërohen nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe transparente” (neni 38(1)). Kjo dispozitë pamundëson tendencat e dëmshme të Komisionit ad hoc që procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të mbyllen përmes marrëveshjeve për konfidencialitet. Kushtëzimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile në procesin e përzgjedhjes me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje cenon kërkesën ligjore që procedura të jetë e hapur dhe transparente, duke ua pamundësuar përfaqësuesve të shoqërisë civile që të shprehen lirshëm lidhur me gjetjet eventuale.

Tutje, misioni i organizatave joqeveritare dhe aktivistëve është që të monitorojnë punën e autoriteteve publike, të informojnë publikun për të gjeturat e monitorimit dhe të kërkojnë llogari nga politikanët dhe njerëzit e veshur me pushtet për veprimet e tyre. Duke i detyruar organizatat dhe aktivistët që të nënshkruajnë marrëveshje të tilla të kundërligjshme, Kuvendi do t’ua pamundësojë punën e organizatave dhe do ta privojë publikun nga e drejta për t’u informuar. Si e tillё, kjo kёrkesё i pamundёson organizatave tё shoqёrisё civile qё tё kryejnё njёrin prej funksioneve bazё tё misionit tё tyre, atё tё monitorimit tё punёs sё institucioneve publike dhe informimt tё vazhdueshёm tё publikut.

Kuvendi i Kosovës është në procedurë të përzgjedhjes së anëtarit të Bordit të Ankesave të Mediave të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Përzgjedhja do të bëhet nga komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të përbërë nga: Mërgim Lushtaku dhe Floretë Zejnullahu (Partia Demokrative e Kosovës) dhe anëtarët Valon

Ramadani, Doarsa Kica Xhelili, Njazi Isaku, Fitim Haziri dhe Besim Muzaqi (Lëvizja Vetëvendosje), Agim Veliu (Lidhja e Demokratike e Kosovës), Time Kadriaj (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Igor Simic (Lista Serbe) dhe Samra Iljazi (Grupi Multietnik). Marrëveshja e kundërligjshme është propozuar dhe dërguar për nënshkrim në email të disa organizatave pas takimit të parë të komisionit ad-hoc të mbajtur më 26 korrik 2021. Marrëveshja është propozuar nga kryesuesi i komisionit ad-hoc Mërgim Lushtaku dhe nuk është kundërshtuar nga asnjë nga deputetët e tjerë të Komisionit Ad-Hoc që ishin prezentë.

Ne kërkojmë që deputetët e lartëpërmendur të Komisionit ad hoc të Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të tërhiqen nga kjo iniciativë dhe të lejojnë organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët që të monitorojnë lirshëm.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues:

1. AMPEK

2. Ardita Metaj Dika

3. Center for Education and Training Prizren

4. D+

5. Flutura Kusari

6. Fondacioni Kosovar pёr Shoqёri Civile (KCSF)

7. GERMIN

8. GLPS

9. GAP

10. KDI

11. QPA

12. PIPS

13. Instituti EPIK

14. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

15. Klubi Alpin Prishtina

16. Lëvizja FOL

17. OJQ “VISION 02”

18. Rrjeti i OJQ-ve, Demokracia Fillon Këtu (DFK)

19. YIHR KS

Shtojca 1

Republika e Kosovës

Republika Kosovo-Republic of Kosovo

Kuvendi – Skupština – Assembly

____________________________________________________________________________

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave

Marrëveshje për Konfidencialitet

Kjo Marrëveshje për Konfidencialitet është një dokument i auditueshëm i cili përcakton zotimin e secilit individ për t’u sjellë me integritet në përfshirjen e tyre në procesin e emërimeve.

Marrëveshje për Konfidencialitet

Si vëzhgues i pavarur, përfaqësues i shoqërisë civile, zotohem që do të:

· Ruaj konfidencialitetin e kandidatit duke:

o Mos diskutuar performancën e aplikantit ose kandidatit me askënd jashtë Komisionit ose ekipit të përcaktuar të ekipit.

o Mos ndarë (përveç atyre që janë drejtpërdrejt të përfshirë në procesin e përzgjedhjes) informatat e marra lidhur me kandidatët gjatë asnjë pjese të procesit të emërimeve.

· Ruaj konfidencialitetin dhe integritetin e procesit duke:

o Mos ndarë (përcjellur) asnjë material vlerësimi të marrë si pjesë e procesit të emërimeve.

o Diskutuar çdo pikëpamje ose shqetësim lidhur me procesin e emërimeve me Kryesuesin e Komisionit në radhë të parë.

o Mos publikuar asnjë raport derisa procesi i emërimeve të përmbyllet plotësisht (duke përjashtuar raportet zyrtare që kërkohen si pjesë e vetë procesit të emërimeve) përveç nëse ka leje ekspres për të vepruar një gjë të tillë, nga Kryesuesi i Komisionit.

o Mos dhënë komente ose intervista për shtypin ose mediat deri sa të përfundojë procesi dhe rezultatet të publikohen zyrtarisht, përveç nëse ka leje ekspres për të vepruar një gjë të tillë, nga Kryesuesi i Komisionit– nëse e bën këtë pas përfundimit të procesit, atëherë ta bëjë pa përmendur emra ose folur për performancën e aplikantëve/kandidatëve individual, dhe ta informojë Kryesuesin e Komisionit që ka kontaktuar shtypin.

· Shpalosë çdo konflikt interesi që është relevant për procesin e emërimeve.

· Shpalosë çdo konflikt interesi me ndonjë aplikant ose kandidat në kuadër të procesit të emërimeve.

· Ngritur me Kryesuesin e Komisionit, çdo shqetësim rreth integritetit në sjelljen dhe performancën e tjerëve gjatë zhvillimit të procesit të emërimeve.

· Theksuar Kryesuesit të Komisionit, çdo çështje apo shqetësim tjetër i cili mund të rrezikojë integritetin e procesit të emërimeve.

Emri:……………………………………………………………………… Procesi:Anëtarët e Bordit për Ankesa të Media

Nënshkrimi:…………………………………………………………… Data:26.07.2021