Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të përpiloj listën me çmime referente

Prishtinë, 08 Maj- Lëvizja FOL sot në një konferencë për media ka trajtuar problemin e çmimeve jo-normalisht të ulëta për njësi në prokurimin publik. Ky është njëri ndër problemet që haset më së shpeshti gjatë monitorimeve të drejtëpërdrejta të procedurave të prokurimit, që i realizon Lëvizja FOL, në institucione të ndryshme publike.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se “Çmimet jo-normalisht të ulëta janë çmimet që ofrohen për artikuj nga operatorët ekonomik gjegjësisht kompanitë e ndryshme në ofertat e tyre dhe të cilat janë pakrahasimisht më të ulëta se çmimet e atyre artikujve në treg”. Kjo ndodh, me qëllim që vlera totale e ofertës të jetë më e lira, duke e ditur se me Ligjin aktual të Prokurimit Publik në nenin 61 “Tenderët Jo-Normalisht të Ulët” nuk specifikohen çmimet e ulëta jashtë normales për njësi dhe në bazë të nenit 60 “Kriteret për Dhënien e Kontratës” operatori ekononomik fitues shpallet vetëm në bazë të çmimit më të ulët në total. Kurse çmimet jo-normalisht të ulëta ofrohen për ata artikuj që operatorët ekonomik vlerësojnë se do të kërkohen më së paku pas nënshkrimit të kontratës.

Po ashtu, Kenan Tora deklarojë se “meqenëse, Ligji aktual i Prokurimit Publik nuk specifikon çmimet jo-normalisht të ulëta për artikuj dhe KRPP nuk ka përpiluar një listë me çmime referente të paktën për artikujt bazë në sektor të ndryshëm, diskualifikimi nga tenderi i operatorëve ekonomik për të cilët institucionet vlerësojnë se kanë ofruar çmime jo-normalisht të ulëta në artikuj të ndryshëm nuk ka bazë ligjore dhe praktikisht po është i pamundur”.
Prandaj, ky problem po krijon mundësi për manipulim me çmimin në total, dhe si rezultat po dëmtohet konkurrenca e drejtë në mes të operatorëve ekonomik. Përveç kësaj si rezultat i këtij problemi në raste të ndryshme ka pasoja gjatë implementimit të kontratave, ku haset edhe në raste kur Operatorët Ekonomik kërkojnë shkëputjen e kontratës së fituar për shkak se nuk mund t’i ofrojnë shërbimet ose t’i kryejnë punët e kërkuara me çmimet që kanë ofertuar në fillim.

Lëvizja FOL, pastaj me prezentimin “Çmimet jo-normalisht të ulëta” ka demonstruar raste nga kontrata të ndryshme ku artikuj të ndryshëm janë ofruar me çmime jo-normalisht të ulëta si p.sh: Dera e parë e veturës: 1.00 euro, fshesa të dritareve të veturës 12.00 euro, Air Bag në Timon 65.00 euro, pjesë të ndryshme të veturës me çmim prej 0.01 cent, biftek: 2.00 euro, pasta 0.40 cent, produkte të ndryshme ushqimore me 0.10 cent, etj.
Më tej Kenan Tora ka thënë se “Lëvizja FOL ka reaguar dhe ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me këtë problem vazhdimisht. Përveç kësaj FOL ka propozuar që në kuadër të amandamentimit të Ligjit për Prokurim Publik të përfshihet një pikë e re në nenin 61 “Tenderët Jo-Normalisht të Ulët”, ku do të obligohej me ligj KRPP-ja që të përgatis listën me çmime referente”.

Edhe sot, FOL ka kërkuar nga KRPP-ja që në bazë të ligjeve aktuale në fuqi të cilat ia lejojnë KRPP-së një gjë të tillë, në bashkëpunim me Agjencionin për Konkurencë të përpilojë një listë me çmime referente të artikujve bazik, në bazë të të cilit institucionet do të kryenin procedurën e vlerësimit të ofertave dhe do të kishin bazë ligjore për mbrojtjen e konkurrencës së drejtë dhe zgjedhjen e ofertës me çmime reale.
Kjo, përveç mbrojtjes së konkurrencës së drejtë do të kishte impakt tejet pozitiv edhe në implementimin me sukses dhe kualitet të kontratave të nënshkruara.

Prezantimin e plotë mund ta gjeni në këtë link:

Galeria e aktivitetit

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik te përpiloj listen me çmime referente2Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik te përpiloj listen me çmime referente