ZERO TOLERANCË…..ZERO TRANSPARENCË
Prishtinë, 7 shtator 2010 – Lëvizja Fol ka mbajtur sot konferencë për media me ç”rast ka lansuar fushatën multimediale të projektit “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies në investimet publike në infrastrukturën rrugore”. Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL tha se qëndrimi i Lëvizjes FOL është PRO ndërtimit të autostradës, mirëpo jemi kategorikë në kërkesat tona për transparencë dhe llogaridhënie rreth këtij projekti.
“Lëvizja FOL sot, lanson fushatën multimediale me anë të secilës i ftojmë personat fizikë dhe juridikë që të raportojnë çdo parregullsi që ata hasin në fushën e prokurimit në projektet e infrastrukturës rrugore, si dhe për projektin e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare. Deri me tani, kemi pasur deklarata të shumta mediale nga drejtues të institucioneve, që për secilin vendim që do të merret do jenë maksimalisht transparent, mirëpo gjendja ekzistuese dëshmon tërësisht të kundërtën. Fatkeqësisht institucionet e Republikës së Kosovës, e veçanërisht Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit ka shndërruar parimin e ZERO TOLERANCËS në parimin ZERO TRANSPARENCË”, tha Zogaj.
Sipas tij, këtë fakt e dëshmon edhe refuzimi i kërkesës së Lëvizjes FOL drejtuar MTPT-së për qasje në dokumente zyrtare gjegjësisht kontratën e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare me arsyetimin se ky dokument është me interes publik madhor dhe është i ndjeshëm.
“Është përgjigje paradoksale sepse për të njëjtën çështje vet ministri i kësaj ministrie z. Limaj citoj është zotuar se do të jetë transparent gjatë gjithë procesit të ndërtimit të autostradës, por sipas tij, shumë detaje të kontratës Qeveri -“Bechtel-Enka” nuk mund të bëhen publike, pasi për këtë duhet marrë edhe konfirmimin e konsorciumit amerikano-turk”.
Në anën tjetër, në një raport, e që nuk është bërë publik të përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për Komisionin Evropian thuhet se kostoja për ndërtimin e autostradës do të tejkalojnë shifrën mbi 1 miliard euro dhe se parashikon se punimet të përfundojnë në vitin 2015. Këtë raport zyrtarët e MTPT-së e demantojnë duke deklaruar se “koston përfundimtare të autostradës do ta bëjmë të ditur në momentin kur do të bëhet përurimi i saj”. Ne, si Lëvizje FOL këtë gjendje e konsiderojmë fyerje për qytetarët e Kosovës që njëherit bartin çmimin e ndërtimit të autostradës.
Sipas Zogajt, investimet në infrastrukturë dominojnë në kategorinë buxhetore investimeve kapitale që financohen nga buxheti i Kosovës, ku rreth 60% e mjeteve nga kjo kategori investohen në projektet rrugore. “Edhe pse investimet në këtë sektor janë top prioritet i Qeverisë së Kosovës, në praktik nga MTPT kemi një jo transparencë dhe stërzgjatje të punimeve në këto projekte. Kemi rrugën nacionale M-2, segmenti Fushë-Kosovë-Sllatinë, ku punimet kishin nisur në muajin gusht të vitit 2008, ndërsa kompanitë kishin 180 ditë pune për të përfunduar ndërtimin e këtij segmenti. Ende as sot pas rreth 550 ditësh pune, MTPT nuk ka dhënë asnjë informacion se kur kjo rrugë do të përfundojë. Një punë e tillë dëmton jetën e qytetarëve dhe se çdo stërzgjatje e tillë kërkon edhe më shumë para duke ndikuar direkt në zhvillimin e sferave tjera”, tha Zogaj. Lëvizja FOL kërkon nga institucionet qeveritare të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nga qytetarët e Kosovës që të na bashkëngjiten në përpjekjet tona për të larguar shtresën e zezë të jo-transparencës nga investimet publike të projekteve rrugore.
Projekti “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies mbi investimet publike në infrastrukturën rrugore” mbështetet nga USAID përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile në Kosovë implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme – ISC