Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK)

Prishtinë, 16 tetor 2023 – Lëvizja FOL gjatë periudhës korrik – shtator 2023 ka monitoruar takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të vlerësuar nivelin e transparencës dhe pajtueshmërinë e këtyre takimeve me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Procesi i monitorimi është bërë përmes platformës elektronike Zoom. Gjatë kësaj periudhe tre-mujore, KGjK ka mbajtur gjithsej 4 takime. Për muajin korrik janë mbajtur 2 takime, për muajin gusht 1 takim, dhe për muajin shtator 1 takim. Vlen të theksohet se në muajin shtator është mbajtur edhe mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe gjyqtarëve mbikqyrës.
Prej 4 agjendave të publikuara në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së, asnjëra nga këto agjenda nuk ka arritur të publikohet në kohën e paraparë me Ligjin për Këshillin Gjyqësor, konkretisht me nenin 14 paragrafi 2 ku kërkohet që “Rendi i ditës së Këshillit do të jetë publikisht i hapur së paku dyzet e tetë (48) orë para takimit.”
KGjK në mbledhjet saj ka marrë disa vendime, ku shumica e vendimeve janë publikuar në ueb-faqen e KGjK-së. Për këtë periudhë kohore KGjK ka marrë 70 vendime, prej të cilave 27 vendime nuk janë publikuar ende në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së.
Anëtarët më aktiv gjatë mbledhjeve të KGjK-së për këtë periudhë tre-mujore, të cilët kanë dhënë më së shumti kontribut në diskutimet e zhvilluara në këto takime, ishin: Fahret Vellija, Qerim Ademaj dhe Vilard Bytyqi.
Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).