Edhe gjyqtar edhe avokat
Në Kosovë ndodh që një gjyqtar të punojë edhe si avokat, një deputet të punojë si anëtar i bordit të një ndërmarrje publike që zgjidhen pikërisht nga Parlamenti. Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, megjithëse është i mangët, as përmbajtja e tij aktuale nuk zbatohet si duhet.
Lëvizja Fol në raportet e saj ka evidentuar raste të shumta të konfliktit të interesit. Në një tryezë të organizuar në Prishtinë me temën: “Konflikti i Interesit në institucionet Publike”, Petrit Zogaj ka thënë se në gjashtë komuna, janë evidentuar raste të shumta të konfliktit të interesit. “Gjatë kësaj periudhe kemi publikuar dy raporte. Njëri ka të bëjë me gjykatat dhe prokurorinë, ku janë identifikuar tre raste të konfliktit të interesit, ku tre gjykatës kanë ushtruar edhe funksionin e avokatit”, ka thënë Zogaj.
Sipas tij, gjatë muajit maj Lëvizja FOL ka publikuar listën me shtatë zyrtarë, ku katër nga këta janë deputet të Kuvendit të Kosovës të cilët shkelin në vazhdimësi Kushtetutën e vendit, dhe po ashtu kanë konflikt interesi.
Gjithashtu, Lëvizja FOL ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës Nr 03/134 për propozimin e deputetëve Naser Osmani dhe Slobodan Petroviq në Bordin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit, vendim ky që bie ndesh me nenin 72 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sefer Goxhuli udhëheqës i divizionit për parandalim të konfliktit të interesit në Agjencionin Kundër Korrupsion, theksoi se AKK është e bazuar në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Sipas tij mangësi e këtij ligji është se ai nuk rregullon çështjen e ushtrimit të dy funksioneve nga një zyrtarë në institucione publike.
Naim Rrustemi deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës ngriti disa shqetësime që kanë të bëjnë me shkeljet e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit. Ai theksoj se ky ligj për sa i përket çështje se një zyrtarë institucional a i lejohet ushtrimi i funksioneve në dy institucione është shumë i qartë. “Neni 13 i këtij ligji në mënyrë të saktë dhe të qartë specifikon fushat dytësore ku një zyrtarë institucional mund të angazhohet”, tha Rrustemi. /indeksonline/