DnV publikon raportet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026

Prishtinë, 13 gusht 2026 – Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) mbajti sot konferencën për publikimin e raporteve të vëzhgimit dhe monitorimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.

Konferenca u hap nga përfaqësues të Demokracisë në Veprim, ndërsa fjalë hyrëse mbajtën z. Christoph Fuchs, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, si dhe znj. Mirnije Stublla, Menaxhere Programi në Ambasadën e Suedisë në Kosovë. Ata theksuan rëndësinë e vëzhgimit të pavarur, profesional dhe të paanshëm të zgjedhjeve, si mekanizëm për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe besimit publik në proceset demokratike. Po ashtu, u nënvizua nevoja që zhvillimet politike të trajtohen përmes mekanizmave institucionalë dhe në përputhje me dispozitat ligjore, në mënyrë që zgjedhjet e përsëritura të mos shndërrohen në përgjigje të zakonshme ndaj krizave politike.

Në konferencë u prezantuan katër raporte: raporti kryesor i vëzhgimit të zgjedhjeve, vlerësimi i fushatës zgjedhore, raporti i monitorimit të mediave dhe raporti i monitorimit të mediave sociale gjatë fushatës zgjedhore. Raportet u prezantuan nga Eugen Cakolli, Violeta Haxholli, Mexhide Demolli-Nimani dhe Rezarta Delibashzade-Krasniqi, të cilët paraqitën gjetjet dhe rekomandimet kryesore lidhur me administrimin e zgjedhjeve, fushatën zgjedhore, monitorimin e mediave dhe komunikimin politik në rrjete sociale.

Sipas raportit kryesor të vëzhgimit të DnV-së, zgjedhjet e 7 qershorit 2026 u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta. Procesi zgjedhor, përfshirë përgatitjet e KQZ-së, ditën e votimit, numërimin, trajtimin e votave jashtë Kosovës, shqyrtimin e ankesave dhe shpalljen e rezultateve, u administrua në mënyrë përgjithësisht profesionale dhe pa probleme që do të cenonin integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Krahasuar me proceset e fundit zgjedhore, raporti evidenton përmirësim të dukshëm në administrimin teknik, publikimin e rezultateve, numërimin në Qendrat Komunale të Numërimit dhe përmbylljen e fazës paszgjedhore.

Raporti evidenton edhe probleme dhe mangësi të përsëritura, përfshirë pjesëmarrjen më të ulët në votime, vështirësitë e votuesve për ta gjetur vendvotimin e saktë, qasjen e pamjaftueshme për personat me aftësi të kufizuara, rastet e fotografimit të votës, si dhe sfida të tjera procedurale të evidentuara gjatë ditës së votimit dhe fazave paszgjedhore. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se reforma e ardhshme zgjedhore nuk duhet të kufizohet vetëm në çështje teknike. DnV rekomandon që Kuvendi të hapë diskutim më të gjerë për votën preferenciale, zonat zgjedhore, pragun zgjedhor, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, kriteret e përshtatshmërisë juridike për kandidim, modelin institucional të KQZ-së dhe kodifikimin e legjislacionit zgjedhor.

Raporti për vlerësimin e fushatës zgjedhore konstaton se fushata e 7 qershorit u zhvillua më shumë si vazhdim i përplasjes së mëparshme politike sesa si garë e re e ndërtuar rreth programeve qeverisëse. Aktivitetet publike ishin më pak intensive, pjesëmarrja qytetare në tubime ishte më e kufizuar dhe komunikimi u përqendrua kryesisht në tubime partiake, aktivitete të strukturave, paraqitje të liderëve dhe mesazhe në rrjete sociale. Raporti evidenton edhe se fushata digjitale pati peshë të madhe, me 6,673 postime të sponsorizuara dhe rreth 180 mijë euro shpenzime në Facebook dhe Instagram për pesë subjektet shqiptare të analizuara.

Një nga gjetjet kryesore të këtij raporti lidhet me cenimin e barazisë së garës nga vendimet e Qeverisë në detyrë me efekt financiar për kategori të gjera qytetarësh, të marra në prag të fushatës dhe të ditës së votimit. Rekomandimet kërkojnë rregullimin me ligj të parafushatës, ndalimin e shpërndarjes së përfitimeve financiare qeveritare brenda një periudhe të përcaktuar para zgjedhjeve, vendosjen e rregullave të posaçme për komunikimin publik të institucioneve kur bartësit e tyre janë kandidatë, organizimin e debateve publike ndërmjet bartësve të listave, rregullimin e fushatës digjitale dhe të palëve të treta online, forcimin e raportimit financiar, hapjen e llogarive të veçanta bankare për fushatë, operacionalizimin e sistemit elektronik për raportim financiar dhe rregullimin e deklarimit financiar të kandidatëve.

Raporti i monitorimit të mediave tregon se gjatë fushatës janë monitoruar kronikat zgjedhore, debatet televizive dhe komunikimi i subjekteve politike në Facebook, me qëllim vlerësimin e transparencës, paanshmërisë, qasjes së barabartë dhe cilësisë së debatit publik. Në kronikat zgjedhore, PDK kishte mbulimin më të madh mediatik me 24%, pasuar nga LDK me 23%, LVV me 22% dhe AAK me 21%, ndërsa vëmendja u përqendrua kryesisht te kandidatët për kryeministër. Në debatet televizive u monitoruan 171 emisione politike dhe debate, ku dominuan formatet me vetëm një subjekt politik, ndërsa ballafaqimet e drejtpërdrejta ndërmjet subjekteve ishin të kufizuara. Përfaqësimi gjinor mbeti i pabalancuar, me 81% pjesëmarrje të burrave dhe 19% të grave në debate.

Raporti rekomandon që mediat të organizojnë më shumë debate tematike dhe shumëpalëshe, të fokusuara në programe dhe politika publike, dhe të kërkojnë nga kandidatët që premtimet t’i shoqërojnë me shpjegime për koston financiare, burimet e financimit, afatet dhe mekanizmat e zbatimit. Po ashtu, rekomandohet që moderatorët të ndërhyjnë më aktivisht për të parandaluar gjuhën fyese, etiketimet dhe sulmet personale, të rritet përfaqësimi i grave kandidate dhe analisteve në hapësirën mediatike, subjektet politike të marrin pjesë në debate shumëpalëshe dhe KPM-ja të përcaktojë kritere të qarta për vërejtje e gjoba, të sigurojë trajtim të barabartë të mediave dhe të shmangë ndërhyrjet në përmbajtjen editoriale pa bazë të qartë ligjore. Raporti gjithashtu rekomandon funksionalizimin sa më të shpejtë të Bordit për Ankesa në KPM.

Raporti për monitorimin e mediave sociale tregon se komunikimi politik online gjatë fushatës u shoqërua me nivel të konsiderueshëm të komunikimit problematik. Gjatë monitorimit u evidentuan 423 shkelje në rrjete sociale, të përqendruara kryesisht në fund të fushatës: 68% e rasteve u regjistruan gjatë tri ditëve të fundit, ndërsa 42% vetëm në ditën e fundit të fushatës. Në strukturën e shkeljeve dominuan gjuha e urrejtjes me 70.7% dhe gjuha shpifëse e përçmuese me 27.7%, ndërsa dezinformimi dhe keqinformimi kishin prani shumë më të ulët. Shumica dërrmuese e shkeljeve u evidentuan në komente, dhe jo në postime zyrtare, ndërsa kandidatët individualë ishin shënjestra kryesore e sulmeve.

Raporti konstaton se sfida kryesore e komunikimit zgjedhor online në Kosovë nuk lidhet me dezinformimin, por me normalizimin e gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe komunikimit denigrues. Gratë kandidate rezultuan veçanërisht të ekspozuara ndaj gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve online. Rekomandimet kërkojnë që subjektet politike dhe kandidatët të miratojnë rregulla të brendshme për komunikim etik online, të forcojnë moderimin e faqeve zyrtare, të reagojnë publikisht ndaj sulmeve me bazë gjinore dhe të caktojnë persona përgjegjës për monitorim të komunikimit online. Për mediat dhe portalet rekomandohet moderim më i qartë i komenteve dhe kombinim i filtrave automatikë me moderim njerëzor, ndërsa për institucionet dhe organizatat monitoruese kërkohen mekanizma koordinues, monitorim më intensiv në ditët e fundit të fushatës dhe udhëzime për parandalimin e sulmeve online ndaj grave kandidate dhe grupeve të cenueshme.

Në përmbyllje, DnV vlerësoi se zgjedhjet e 7 qershorit treguan përmirësim të dukshëm në administrimin teknik të procesit, por edhe përsëritjen e problemeve që kërkojnë veprim më të qartë institucional dhe politik. Rekomandimet e publikuara sot synojnë të shërbejnë si bazë për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore, rritjen e barazisë së garës, forcimin e transparencës, mbrojtjen e integritetit të votës dhe garantimin e një debati publik më përmbajtës, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.

Raportet e publikuara mund ti gjeni këtu:

Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore

Raporti i vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës

Vlerësimi i fushatës zgjedhore: Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës

Monitorimi i Mediave Sociale gjatë fushatës zgjedhore

Raporti i monitorimit të mediave - Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2026 Download

Raporti preliminar i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

Prishtinë, 28 tetor 2025 — Lëvizja FOL ka publikuar sot raportin preliminar të monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025, i cili përfshin një analizë të detajuar të mediave tradicionale, me synim vlerësimin e transparencës, paanshmërisë dhe qasjes së barabartë në mbulimin e fushatës zgjedhore.

Gjatë monitorimit janë analizuar kronikat zgjedhore dhe debatet televizive me qëllim matjen e hapësirës së ofruar për kandidatët dhe subjektet politike, si dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe gjithëpërfshirjes së tyre në fushatën mediatike. Është matur minutazhi i dedikuar për secilin subjekt dhe kandidat, si dhe përqindja e hapësirës që u është kushtuar grave kandidate në krahasim me burrat.

Raporti thekson se temat kryesore të trajtuara në media gjatë fushatës lidhen kryesisht me çështje infrastrukturore dhe menaxhim lokal, ndërsa temat e transparencës, barazisë gjinore dhe përfshirjes qytetare kanë marrë shumë pak vëmendje.
 Përfaqësimi i grave në kronikat dhe debatet zgjedhore mbetet shumë i ulët, me vetëm 10% të hapësirës televizive të dedikuar për kandidate gra për kryetare komunash.

Në kuadër të prezantimit të raportit u mbajt edhe një panel interaktiv me panelistët dhe audiencën, ku të ftuar ishin:

Naile Dema, nënkryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, e cila theksoi nevojën për bashkërendim më të madh ndërmjet shoqërisë civile dhe mediave për të avancuar përfaqësimin e grave në diskutimin publik, veçanërisht në debate televizive.
 Ajo shtoi se, derisa partitë politike nuk kanë treguar ende gatishmëri për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë gjinor, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë një rol më aktiv për ta adresuar këtë pabarazi dhe për të ndikuar në ndryshimin e kulturës së raportimit publik.

Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në Telegrafi, komentoi mbi përqindjen e ulët të pjesëmarrjes së grave në debate, duke theksuar se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si partitë politike zgjedhin përfaqësuesit e tyre për debatet televizive.
 Ai theksoi se partitë duhet ta ndryshojnë qasjen e tyre, duke u bërë më të hapura dhe duke siguruar që përfaqësimi gjinor të jetë i dukshëm, sidomos kur diskutohen temat e rëndësishme për vendin.
Sipas tij, vetëm përmes një përfshirjeje të qëndrueshme të grave në hapësirat publike mund të garantohet një debat politik më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues.

Po ashtu, nga pjesëmarrësit u theksua rëndësia e funksionalizimit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), si një mekanizëm i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës mediatike dhe garantimin e transparencës dhe llogaridhënies së mediave gjatë fushatave zgjedhore.

Lëvizja FOL do ta publikojë raportin final të monitorimit pas përfundimit të procesit zgjedhor, përkatësisht pas raundit të balotazhit, ku do të prezantohen të dhënat përfundimtare.

Raportin preliminar mund ta gjeni duke klikuar këtu:

Raporti preliminar i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale Download

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Hanit të Elezit (2024-2026)

Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.

Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Hanit të Elezit. Planet lokale të veprimit për
barazinë gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.

Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGj) në Komunën e Hanit të Elezit është miratuar
në dhjetor të vitit 2023 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi të hapur konsultativ që përfshiu
organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit dhe institucionet komunale. Ky
plan trevjeçar (2024–2026) është dokumenti i parë strategjik në nivel lokal në këtë komunë
që përcakton masa konkrete për avancimin e barazisë gjinore dhe integrimin e perspektivës
gjinore në politikat, shërbimet dhe buxhetimin komunal.

PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Hanit të Elezit (2024-2026) Download

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit (2024-2026)

Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.

Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Dragashit. Planet lokale të veprimit për
barazi gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.

Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGj) në Komunën e Dragashit është miratuar në
dhjetor të vitit 2023 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi gjithëpërfshirës dhe konsultativ që
përfshiu institucionet lokale, grupet e grave asambleiste, organizatat e shoqërisë civile dhe
komunitetin e gjerë. Ky plan trevjeçar (2024–2026) është dokument strategjik që përcakton
prioritetet dhe masat konkrete për përparimin e barazisë gjinore në nivel komunal dhe
integrimin e saj në politikat publike, procedurat administrative, dhe planifikimin financiar të
komunës.

PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit (2024-2026) Download

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Prizrenit (2024-2026)

Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.

Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Prizrenit. Planet lokale të veprimit për
barazi gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.

Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Prizrenit është miratuar në
tetor 2024 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi gjithëpërfshirës që përfshiu konsultime me
institucionet publike lokale, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit dhe
mekanizmat ekzistues për çështjet gjinore. Ky plan trevjeçar (2024–2026) është dokumenti
kryesor strategjik i komunës për integrimin e barazisë gjinore në politikat lokale, shërbimet
publike dhe planifikimin buxhetor.

PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Prizrenit (2024-2026) Download

Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore – Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës (9 shkurt 2025)

Monitorimi i mediave gjatë fushatës zgjedhore është një komponentë kyçe për vlerësimin e transparencës dhe paanshmërisë së mbulimit mediatik. Ky raport, i përgatitur nga Demokracia në Veprim (DnV), analizon hapësirën e dedikuar për subjektet politike dhe kandidatët në mediat tradicionale dhe ato sociale gjatë periudhës zgjedhore (11 janar – 8 shkurt 2025).
Ky raport synon të ofrojë një bazë të fuqishme për përmirësimin e transparencës dhe barazisë në mbulimin mediatik të zgjedhjeve në të ardhmen.
Në pjesën në vijim, do të paraqiten gjetjet kryesore të këtij raporti të monitorimit:

• DEBATET TELEVIZIVE
Nga 409 debatet e zhvilluara gjatë kësaj fushate zgjedhore, dominojnë ato vetëm me një subjekt politik (223 debate), pasuar nga debatet vetëm me analistë (131 debate).
Gjatë kësaj fushate vërehet mungesa e ballafaqimit të subjekteve politike, ku vetëm 47 debate përfshinin ballafaqime mes subjekteve ( 34 debate me shumë subjekte, dhe 13 debate në mes dy subjekteve).
Pjesëmarrja e grave në debate ishte vetëm 21%, ndërsa pjesëmarrja e kandidatëve burra 79%.

• KRONIKAT ZGJEDHORE
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, u transmetuan rreth 69 orë kronika zgjedhore në 11 televizione.
LDK dhe PDK kishin mbulim më të lartë (791 dhe 762 minuta), ndërsa Lista Serbe kishte vetëm 103 minuta.
Kandidatët për kryeministër patën 1123 minuta ekspozim, ndërsa kandidatët e tjerë për deputet vetëm 547 minuta.
Përfaqësimi i grave ishte i ulët: vetëm 16% e kronikave përfshinin gra, ndërsa pjesa tjetër (84%) ishte e dedikuar për kandidatët burra.

• PORTALET DHE TRANSMETIMET LIVE
Gjatë fushatës zgjedhore janë monitoruar 15 faqe zyrtare të portaleve në Facebook. Gjatë kësaj kohe ishin publikuar 293 transmetime të drejtpërdrejta nga portalet, që përfshinin 18,000 minuta mbulim.
Këto portale kanë transmetuar 305 orë e 4 minuta në faqet e tyre zyrtare. Prej kësaj hapësire, AAK-NISMA ka pasur 205 orë e 53 minuta, LDK 55 orë e 22 minuta, PDK 37 orë e 44 minuta, LVV 5 orë e 58 minuta, dhe subjektet tjera 7 minuta.
Mungesa e transparencës mbi sponsorizimin e këtyre transmetimeve ishte vënë re në pjesën më të madhe të transmetimeve live.

• AKTIVITETI NË RRJETIN SOCIAL “FACEBOOK” DHE FAQET ZYRTARE
Kandidatët për kryeministër postuan 579 postime në rrjetin social “Facebook”, ku Lumir Abdixhiku (LDK) udhëhoqi me 188 postime.
Faqet zyrtare të partive politike publikuan 1615 postime, ku më së shumti prej tyre kishte LVV (403 postime).


DnV rekomandon garantimin e përfaqësimit proporcional dhe të drejtë të kandidatëve dhe subjekteve politike në media, shmangien e lajmeve të njëanshme dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe përshpejtimin e emërimit të anëtarëve të rinj të KPM për funksionalizimin e institucionit.


Gjithashtu, kërkohet rritja e mbikëqyrjes ndaj mediave tradicionale dhe online për respektimin e standardeve profesionale, sigurimi i transparencës në financimin e mediave dhe reklamave politike për të shmangur ndikimin e grupeve të interesit, si dhe ofrimi i udhëzimeve dhe trajnimeve nga KPM për OShM-të mbi përgatitjen dhe dorëzimin e ditarëve të transmetimit.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore - Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës (9 shkurt 2025) Download

Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë

Prishtinë, 6 shkurt 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund, përmes një konference për medie publikuan raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”. Ky raport paraqet një analizë të listave të kandidatëve dhe programeve politike për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025.

Prezantimi i këtij raporti u bë nga hulumtuesit Gzim Shala (IKD), Burbuqe Kastrati (FOL) dhe Arbër Kadriu (INPO), të cilët shpalosën gjetjet kryesore të analizës. Raporti adreson çështjet kryesore që lidhen me kandidatët e certifikuar për zgjedhje që kanë probleme me ligjin, si dhe një vlerësim cilësor të programeve politike të subjekteve të certifikuara, me fokus në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe të drejtat e njeriut.

Sa i përket listave të kandidatëve, të cilët kanë probleme me ligjin, në kuptimin e aktakuzave aktive dhe dënimeve, tre subjekte politike: 1) Lëvizja Vetëvendosje; 2) koalicioni AAK-Nisma; dhe 3) Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë përfshirë në listat e tyre gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin, që përbëjnë rreth 7% të totalit të kandidatëve të tyre. Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh me 14 kandidatë (12.72% e listës), ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka përfshirë tetë kandidatë (7.27%), dhe LDK një kandidat.

Nga 23 kandidatët për deputetë me probleme ligjore, 16 prej tyre përballen me aktakuza aktive, ndërsa tetë kanë dënime të formës së prerë. Në total, ndaj këtyre kandidatëve janë ngritur 20 aktakuza për 21 vepra penale, që përfshijnë veprat penale të korrupsion si “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  ashtu edhe vepra të tjera penale, si përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (nëntë raste), mbajtja e paautorizuar e armëve (pesë raste), pengimi apo sulmi ndaj personave zyrtarë dhe vepra të tjera të natyrës kriminale.

Më tutje, raporti thekson se plan-programet e partive politike për drejtësinë në zgjedhjet e 2025-ës dallojnë ndjeshëm si në qasje ashtu edhe në nivelin e seriozitetit të tyre.

Lëvizja Vetëvendosje e trajton drejtësinë vetëm në një faqe të programit të saj dhe nuk i referohet fare Strategjisë për Sundimin e Ligjit. Ajo propozon krijimin e një Gjykate për çështje familjare, një Prokurori të Specializuar dhe një Zyre për Hetime Disiplinore, por pa ndonjë analizë të thelluar mbi nevojën dhe  funksionalitetin e tyre. Mungesa e planit të detajuar dhe dublifikimi i mekanizmave ekzistues e bën këtë program të konsiderohet joserioz.

Më tej, në raport thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës e trajton drejtësinë më gjerësisht, duke përfshirë vetingun, integritetin e sistemit të drejtësisë, rikthimin e pavarësisë së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe digjitalizimin e shërbimeve. Megjithatë, programi i saj nuk mbështetet në analiza të detajuara dhe nuk i referohet Strategjisë për Sundimin e Ligjit. Gjithashtu, disa propozime, si fuqizimi i kritereve për provimin e jurisprudencës dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve, mbeten të paqarta dhe pa argumentim të mjaftueshëm.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka përfshirë 14 pika në kapitullin e saj për drejtësinë, duke theksuar strategjitë kundër korrupsionit dhe reformën e sistemit gjyqësor. As ky program nuk e përmendin fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit. Programi në fjalë propozon krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve, por ky institucion paraqet një dublim të kompetencave të Prokurorisë Speciale dhe mund të krijojë mbikëqyrje të tepërt mbi sistemin gjyqësor. Programi gjithashtu parashikon miratimin e një Strategjie Kombëtare për Krimet e Luftës dhe krijimin e një Gjykate të Punës, por pa argumentim të qartë për nevojën e një institucioni të tillë.

Kurse, koalicioni AAK-Nisma e vendos sundimin e ligjit si prioritet kryesor, por nuk ofron propozime konkrete për zbatimin e tij. Programi i Koalicionit për Familjen përmban 15 pika mbi drejtësinë, por pa elaborime mbi implementimin e tyre, ndërsa disa parti të tjera, si Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia Fjala, trajtojnë sundimin e ligjit në mënyrë shumë të përgjithshme dhe pa masa konkrete.

Po ashtu, në këtë raport trajtohen edhe çështje tjera nga programet elektorale të partive kryesore për zgjedhjet e 2025-ës. Raporti thekson se këto programe adresojnë edhe çështje si transparenca, qeverisja e mirë, administrata publike, barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut, por shumica prej tyre nuk ofrojnë detaje të qarta mbi mekanizmat e zbatimit dhe burimet financiare të reformave të propozuara. PDK dhe LDK e theksojnë transparencën dhe digjitalizimin, por nuk japin sqarime mbi mënyrën e realizimit të këtyre reformave. AAK premton zhvillim ekonomik dhe rritje pagash në administratën publike, por pa plan të qartë për mbështetje buxhetore. Koalicioni për Familjen dhe partitë më të vogla, si Partia Liberale Egjiptiane dhe PDAK-LPB, përmendin temat e sundimit të ligjit dhe barazisë, por programet e tyre mbeten të përgjithshme dhe pa strategji të mirëpërcaktuara për implementim.

Raporti thekson se Lëvizja Vetëvendosje fokusohet kryesisht në projekte infrastrukturore, duke mos përfshirë në program tema kyçe si administrata publike, transparenca dhe llogaridhënia. Reformimi i sistemit të administratës, që ka qenë një nga çështjet më të debatuara gjatë mandatit të kaluar, nuk trajtohet në programin e saj elektoral, ndërsa moszbatimi i Aktgjykimit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, nuk përmendet askund.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu

Sipas këtij raporti, në përgjithësi, shumica e programeve elektorale nuk japin masa konkrete për të siguruar administratë publike të depolitizuar dhe efikase. Barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut përmenden në mënyrë të përgjithshme, por pa masa të qarta për adresimin e tyre në praktikë. Po ashtu, ndërsa disa programe flasin për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve të pavarura, mungojnë detaje mbi mekanizmat konkretë për të siguruar llogaridhënien dhe qeverisjen e pastër. Kështu, në raport thuhet se pjesa më e madhe e premtimeve elektorale mbeten të përgjithshme dhe pa një strategji të mirëpërcaktuar për implementim efektiv.

Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë Download

Analizë e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025

Prishtinë, 4 shkurt  2025 – Lëvizja FOL ka publikuar sot analizën e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.

Mexhide Demolli -Nimani, drejtore e Lëvizjes FOL tha se me ketë qeveri e cila kaloj mandatin e plotë ka qenë me e lehtë të analizohet programi katër vjeçar.

“Duke qene se është qeveria e parë me mandat të plotë që nga shpallja e pavarësisë ne kemi bërë edhe një analizë të Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025, i miratuar më 7 maj 2021. Program ky që paraqiti një vizion ambicioz për zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të vendit. Megjithatë, zbatimi i këtij programi është përballur me sfida serioze që kanë penguar arritjen e objektivave kryesore. Ndër sfidat kryesore janë vonesat në miratimin e politikave, defektet legjislative dhe mungesa e koordinimit ndër-institucional”, tha ajo.

Programi i Qeverisë ka paraparë dy prioritet kryesore të asaj kohe që kanë qenë menaxhimi i pandemisë COVID 19 dhe ringjallja ekonomike. Kurse, sa i përket aspektit sektorial, Programi i Qeverisë është i ndarë në 18 prioritete, ku përfshihen: Shëndeti publik dhe mbrojtja sociale, Sundimi i ligjit, Rendi dhe siguria publike, Qeverisja, Të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore, Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve, ETJ.

Sipas saj, në mënyrë që të zbatohet Programi, Qeveria është dashur të ndërmarrë veprime për miratimin e ligjeve si hapa paraprakë në zbatim të programit. “Megjithatë, një nga problemet më të dukshme ka qenë vonesa në miratimin dhe zbatimin e ligjeve. Një numër i madh projektligjesh të miratuara nga Kuvendi i Kosovës janë kontestuar për shkelje procedurale dhe janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Për shembull, në dhjetor 2024, një grup deputetësh dorëzoi 16 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar qeverinë për mosrespektim të procedurave ligjore”, tha Demolli Nimani.

Analizën e plotë e gjeni këtu:

Analizë e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025 Download

Qeveria realizoj vetëm 38 % të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-dhjetor 2024

Prishtinë, 4 shkurt 2025 – Lëvizja FOL ka publikuar sot të dhënat nga Analiza e Programit të Qeverisë Së Kosovës 2021-2025 si dhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-dhjetor 2024.

Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim dhe për 4 vite të Qeverisë së fundit. “Qeveria e Kosovës nga 544 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 207 apo 38 % nga to, ndërkaq 163 apo  30%  kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 174 aktivitete apo (32%) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për vitin 2024.

Kastrati listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën janar-dhjetor 2024 të cilat janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal. Pra ka aktivitete në Planin Kombëtar Zhvillimor realizimi i të cilave është paraparë të bëhet përgjatë disa viteve. Por, FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara që fillojnë në janar dhe përfundojnë  në dhjetor 2024.

Burbuqe Kastrati gjithashtu prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 janë:

  • Zyra e Kryeministrit – kishte paraparë 62 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 35 dhe 27 kanë mbetur pa u realizuar.
  • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 29 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024. Prej tyre kanë realizuar 19 ndërkaq 10 janë të parealizuara.
  • Ministria e Drejtësisë –  në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 79 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024. Vetëm 44 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 35 janë të pa përfunduara.
  • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 20 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024, prej të cilave ka realizuar 9 dhe 11 janë të parealizuara.
  • Ministria e Ekonomisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 30 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024, 14 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 16 janë të parealizuara.
  • Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 71 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2024. Vetëm 41 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 30 janë të parealizuara.
  • Ministria e Mbrojtjes – ka paraparë të realizojë vetëm 6 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 2 janë realizuar dhe 4 të parealizuara.
  • Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – ka paraparë të realizojë vetëm 4 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 1 ka realizuar dhe 3 kanë mbetur  parealizuar.
  • Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 45 aktivitete ka realizuar 30 dhe 15 kanë mbetur pa u realizuar.
  • Ministria e Shëndetësisë – ka paraparë të realizojë 21 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 10 janë realizuar dhe 11 të parealizuara.
  • Ministria për Komunitete dhe Kthim – ka paraparë të realizojë vetëm 3 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 2 janë realizuar dhe 1 e pa parealizuar.

Ndërkaq, tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL dhe nuk dihet nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara.

  • Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 57 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2024.
  • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 66 aktivitete.
  • Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë –  ka planifikuar të realizoje 51 aktivitete për vitin 2024 , nga e cila s’kemi pranuar përgjigje se sa nga to janë realizuar.

Ajo çka vlen të theksohet është se dy nga këto ministri ajo e Financave dhe e Mjedisit nuk janë përgjigjur as në gjashtë mujorin e parë kur FOL ka dërguar kërkesë. FOL kishte paraqitur ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe pas ndërmarrjes së hapave nga AIP kemi pranuar përgjigje. Mirëpo të njëjtat kanë hezituar të përgjigjen dhe tani, FOL ka dërguar përsëri ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për mos qasje në këto të dhëna sa i përket realizimit të Planit Kombëtar për Zhvillim për vitin 2024.

Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu

Sipas Kastratit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë brenda vitit për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024. Në vitin 2021 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 56%, ndërsa në vitin 2022 Qeveria e Kosovës kishte realizuar 62%, në vitin 2023 kishte realizuar 36% dhe në vitin 2024 Plani Kombëtar për Zhvillim është realizuar vetëm 38% për periudhën janar-dhjetor. Duke u bazuar në këto të dhëna po del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie sa i përket realizimit të Planit të punës i quajtur tani Plani Kombëtar për Zhvillim dhe realizimi më i madh i tij po del në vitin 2022 me 62%.

.

Zbatimi i PKZH-së për periudhën janar-dhjetor 2024 Download

Diskutim “FOL Hapur” mbi zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Lëvizja FOL mbajti sot diskutimin e formatit “FOL Hapur” për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me Komisioneren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva – Dermaku, ku u diskutua në lidhje me sfidat dhe mangësitë në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Gjatë këtij diskutimi u prezantuan edhe gjetjet e raportit hulumtues “Niveli i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – Raport mbi rezultatet e anketave”, i cili ofron një pasqyrë të situatës aktuale dhe rekomandime për përmirësimin e mbrojtjes së të dhënave në institucionet publike.

Raporti theksoj një varg mangësish në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke filluar nga mungesa e hartimit të politikave të privatësisë nga institucionet publike; mungesa e rregulloreve për masat e sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale; mungesa e protokolleve specifike për menaxhimin e të dhënave senzitive; mungesa e periudhave të përcaktuara për ruajtjen e të dhënave personale, e shumë çështje të tjera.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu

Niveli i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në institucionet publike Download

Doracak me 10 skenarë të reagimit rreth shkeljes së të dhënave personale

Prishtinë, 6 nëntor 2024

Lëvizja FOL në  bashkëpunim me Agjencinë për Informim dhe Privatësi ka publikuar një doracak i cili ka për qëllim që të ofroj një pasqyrë të qartë dhe gjithëpërfshirëse mbi situatat e përditshme ku privatësia dhe të dhënat personale mund të shkelën, si dhe për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë të drejtat e tyre ligjore dhe hapat që mund të ndërmarrin për t’i mbrojtur ato.

Çdo skenar i paraqitur pasqyron sfidat reale me të cilat mund të përballen qytetarët e Kosovës në lidhje me privatësinë dhe përpunimin e të dhënave personale, duke përfshirë obligimet ligjore të institucioneve përkatëse dhe veprimet që mund të ndërmarrin qytetarët për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ky dokument u zhvillua duke përfshirë kontributin nga takimet e Fokus Grupit dhe sugjerimet e profesionistëve të fushës, me qëllim që të jetë një udhëzues praktik dhe edukativ për të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më mirë të drejtat e tyre në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale.

Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale janë të drejta themelore të njeriut, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme, veçanërisht në një shoqëri gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të dixhitalizuar. Shkelja e privatësisë dhe përpunimi i paautorizuar i të dhënave personale janë shqetësime të mëdha që prekin të gjithë qytetarët, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Ky material do të shërbejë si një burim i vlefshëm për ngritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e praktikave të mbrojtjes së privatësisë në Kosovë.

Doracakun me të gjithë skenarët e paraqitur mund ta gjeni këtu

*Ky dokument është realizuar si pjesë e projektit “Human Rightivism”, në kuadër të nismës “Gardianët e të dhënave: Forcimi i Politikave të Privatësisë dhe Ndërgjegjësimit në Institucionet Publike” që udhëhiqet nga Lëvizja FOL. Projekti implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.

Doracak me 10 skenarë të reagimit rreth shkeljes sëtë dhënave personale Download

Qeveria realizoj vetëm 33 % të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024

Prishtinë, 1 gusht 2024 – Lëvizja FOL ka publikuar sot të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-qershor 2024.

Mexhide Demolli-Nimani – Drejtore në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim. “Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-qershor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 49 apo 33 % nga to, ndërkaq 59 apo 40 % nga to kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 39 aktivitete apo (27 %) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për periudhën e parë gjashtë mujore.

Demolli-Nimani, listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën e parë gjashtë mujore 2024 janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Ndërkaq Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-qershor të vitit 2024 janë:

  • Zyra e Kryeministrit – kishte paraparë vetëm 16 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 13 dhe 3 kanë mbetur pa u realizuar.
  • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 8 aktivitete brenda periudhës janar – qershor 2024. Prej tyre kanë realizuar 6 ndërkaq 2 janë të parealizuara.
  • Ministria e Drejtësisë –  në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 36 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 22 janë të pa përfunduara.
  • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 3 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024, prej të cilave ka realizuar 1 dhe 2 të tjera janë të parealizuara.
  • Ministria e Ekonomisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 18 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 12 janë të parealizuara.
  • Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 10 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 4 janë të parealizuara.
  • Ministria e Mbrojtjes – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.
  • Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – nga 15 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 , ka realizuar 3 dhe 12 kanë mbetur të parealizuara.
  • Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.

Ndërkaq tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL, dhe nuk dimë nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara apo jo.

  • Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 11 aktivitetet brenda periudhës janar – qershor 2024.
  • Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 9 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2023.
  • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 19 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024.

Ajo çka duhet theksuar është se FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara të përfundojnë vetëm gjatë periudhës së parë gjashtë mujore (janar-qershor 2024).

Sipas Demolli-Nimanit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë në periudhën janar-qershor për vitet 2022, 2023, 2024. Në vitin 2022 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 48%, ndërsa në vitin 2023 Qeveria e Kosovës ka realizuar 34% dhe në vitin 2024 ky plan është realizuar vetëm 33 % për periudhën e parë gjashtë mujore.

Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu

Mirëpo për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit.

Zbatimi i PKZH-së për periudhën janar-qershor 2024 Download