Eksperienca e sinjalizueses së keqpërdorimeve milionëshe në MMPHI, rrëfyer ekskluzivisht në tryezën e FOL

Prishtinë, 12/10/2024

Lëvizja FOL, në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, organizoi një tryezë të rëndësishme diskutimi me temën: “Sinjalizuesit nga Perspektiva Praktike”, ku u trajtuan sfidat dhe vështirësitë që hasin sinjalizuesit, si dhe roli i tyre thelbësor në luftën kundër korrupsionit.

Drejtorja e Lëvizjes FOL, Znj. Mexhide Demolli-Nimani, e cila moderoj diskutimin, tha se sinjalizimi si mekanizëm i fuqishëm për luftimin e korrupsionit si dhe për raportimin e akteve dhe veprimeve të tjera të paligjshme, është veçanërisht i rëndësishëm në një shoqëri ku besimi i qytetarëve në institucionet publike është i dobët dhe sfidohet vazhdimisht. Sipas saj, akti i sinjalizimit bëhet një veprim i guximshëm dhe një mjet për të sfiduar padrejtësitë, duke kontribuar në mbrojtjen e interesit publike dhe luftimin e keqpërdorimeve.

Sinjalizimi nuk përfaqëson vetëm një akt raportimi; ai është një zë i guximshëm për ndërtimin e një sistemi që respekton vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit. Sinjalizuesit, të cilët shpeshherë marrin përsipër rreziqe për të denoncuar abuzime dhe keqpërdorime, si dhe i bëjnë ballë presioneve të mëdha, janë ata individë që refuzojnë të mbesin të heshtur përballë keqpërdorimeve dhe veprojnë si gardianë të interesit publik”, tha znj. Demolli-Nimani.

Në këtë diskutim, znj. Makfirete Dibrani, Udhëheqëse e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL),  shpalosi për herë të parë rrëfimin e saj rreth sinjalizimit që bëri për keqpërdorimet milionëshe në këtë ministri, duke ndarë përvojën e saj në raportimin e keqpërdorimeve lidhur me faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Znj. Dibrani theksoi sfidat dhe vështirësitë me të cilat u përball gjatë procesit të sinjalizimit, si dhe pasojat e pësuara pas denoncimit të këtij rasti. Ajo ndau vlerësimin e rëndësisë së mbrojtjes ligjore për sinjalizuesit dhe nevojën për të siguruar mbështetje institucionale për ata që denoncojnë abuzimet dhe korrupsionin.

Duke folur për pasojat e raportimit të saj, ndër të tjera ajo tha “Nuk ishte rrugë aspak e lehtë, sepse guxova të denoncoj për keqpërdorimin e taksave të qytetarëve. Filloj një presion i jashtëzakonshëm për të ndërhyrë në procesin e vendimmarrjes. U përballa me komisione disiplinore, me vërejtje me shkrim nga personi që ndodhet në paraburgim për shkak të denoncimit tim. Këto përpjekje për të më larguar dhe diskredituar nuk përfundonin këtu. Ishte periudhë e mbushur me strese për të mbrojtur jo vetëm integritetin tim personal. Të gjitha këto i bëra ballë për te ndaluar keqpërdorimet publike”.

Znj. Dibrani foli edhe për kërcënimet dhe sabotimet që ajo kishte pësuar nga eprorët e saj, si rezultat i raportimit. “Një nga format më të dukshme të diskriminimit ishte përjashtimi im nga vizitat studimore brenda dhe jashtë vendit dhe çështjet të tjera për të sabotuar zhvillimin tim profesional. Udhëheqësi që abuzonte me taksat publike kishte obliguar kolegët e mijë që të më injoronin. Kjo ishte një mënyrë për të më larguar nga vendi i punës, por megjithatë unë mbeta e palëkundur”, tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se është krenare që nuk është dorëzuar përballë vështirësive dhe presionit. Gjithashtu bëri thirrje për mbrojtjen e sinjalizuesve, të cilët nuk kërkojnë privilegje por vetëm mbrojtjen që e parasheh ligji.

Në fund, znj. Dibrani sinjalizoj publikisht edhe për një çështje tjetër brenda ministrisë. “Do të raportoj edhe në lidhje me pastrimin e shtretërve të ujërave dhe projekteve kapitale që janë dhënë kohët e fundit. Të dy projektet janë të ndara në 2 milion e 4 qind mijë euro, shumë mijë herë më shtrenjtë se Kroacia”. Sipas saj, ne guxojmë të bëjmë lëshime të tilla.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, tha se kemi zyrtarë të institucioneve që janë përgjegjës në trajtimin e sinjalizimeve, e njëjtë edhe zyrtarë të agjencisë.

“Sinjalizimi konsiderohet një guxim individual, dhe për më tepër është një veprim që i shërben interesit kolektiv. Në këtë mënyrë ne i’u bëjmë thirrje të gjithëve të mos jenë vetëm dëgjues dhe diskutues, por të marrin pjesë në raportim. Besimi i qytetarëve në institucione nuk fitohet vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Zbatimi i legjislacionit pavarësisht se a është më i mirë në botë, duket që mungon përmbajtja e kontekstit të rrethanave të Kosovës. Ne kemi probleme praktike në zbatimin e tij”, tha Buleshkaj.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi tha se nëse një qeveri, një institucion apo ndërmarrje e ka me të vërtetë primare që ta luftojë korrupsionin, sinjalizuesit do t’i sheh si të dobishëm dhe jo si armiq të institucionit.

Nevoja e vullnetit politik për me i mbrojt sinjalizuesit. Niveli i vullnetit politik për me i mbrojt sinjalizuesit është ekuivalent me nivelin që ka një qeveri, një institucion i caktuar për me luftu korrupsionin. Nëse një qeveri, një institucion, ndërmarrje e ka me të vërtetë primare që ta luftojë korrupsionin, normalisht se do t’i sheh si të dobishëm dhe nuk do t’i sheh si armiq të institucionit sinjalizuesit”, tha Shala.

FOL në këtë tryezë publikoj edhe Broshurën “Pengesat në zbatimin efektiv të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”, e cila përmban aktivitetet e FOL në avokimin e zbatimit të këtij ligji, si dhe sfidat dhe pengesat kryesore të zbatimit të këtij ligji, të hasura nga FOL gjatë këtij monitorimi.

Broshurën mund ta gjeni këtu

Pengesat kryesore në zbatimin efektiv të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve Download

Performanca: “Farat e Rrejshme”

Prishtinë, 9 dhjetor 2024 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit përmes performancës “Farat e Rrejshme”, me të vetmin qëllim të përbashkët: ndërgjegjësimin e shoqërisë në luftën kundër korrupsionit dhe nevojën e pashmangshme për reflektim kolektiv mbi pasojat e dëmshme të këtij fenomeni.

Mexhide Demolli -Nimani drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se në këtë ditë të shënuar, të gjithë ne duhet të reflektojmë mbi fenomenin që dëmton themelet e shtetit dhe substancat e shëndosha të shoqërisë sonë, me ndikim kaq të madh në cilësinë e jetës tonë sociale dhe progresit institucional.

“Përveç se një akt i paligjshëm, ky fenomen përbën një proces të vazhdueshëm që minon besimin e qytetarëve tek institucionet publike, kërcënon demokracinë dhe sundimin e ligjit, pashmangshëm dobëson integritetin e institucioneve shtetërore, rritë pabarazinë sociale, si dhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Demolli-Nimani.

Sipas saj, në Kosovë, që nga pavarësia e saj, lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sfidë qenësore shtetërore dhe shoqërore. Qeveri të ndryshme kanë projektuar dhe miratuar ligje e strategji të ndryshme, si dhe kanë dhënë premtime të shumëllojshme. Por, çdo qeveri që ka udhëhequr vendin tonë, ka dështuar t’i përmbushë edhe premtimet që vetë i kishin dhënë.

“Edhe Qeveria aktuale, e cila erdhi me moton politike si “Drejtësi dhe Punë”, dhe që qeverisjen do ta bënin me duar të pastra dhe duke e luftuar korrupsionin, ka dështuar të përmbush premtimet e dhëna. E përveç kësaj, një sërë skandalesh dhe aferash korruptive janë rënduar mbi ministra, funksionarë e zyrtarë të lartë të kësaj qeverie.

Emërimet nepotike, shpenzimet e pajustifikuara të fondeve publike, e tenderët e dyshimtë pa transparence, janë bërë elemente të mosfunksionit institucional, ndërsa dështimi në finalizimin e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Luftimin e Korrupsionit, tregon qartë vullnetin e kësaj qeverie për të luftuar korrupsionin e cila për dy vite nuk arriti ta finalizoj një strategji të tillë”.

Demolli – Nimani tha se akuzat për keqpërdorime në rezervat shtetërore, për mosdeklarim të pasurisë, për faljen e miliona euro borxheve për ambalazhuesit e ujit të tokës së Kosovës, për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, për kontrollimin e mediave, presionet ndaj gazetarëve dhe linçimet publike, për kontratat njëburimore, “aksham pazaret” kuvendore – ishin vetëm disa nga praktikat të cilat e kanë karakterizuar këtë qeveri. Këto praktika natyrisht se kanë nxitur shqetësime të mëdha te qytetarët dhe kanë dëmtuar besimin e tyre në institucionet publike .

Raportet e organizatave më kredibile, kombëtare e ndërkombëtare, kanë nënvizuar se ndërhyrjet e politikës, administrata e kapur dhe prania e lartë e korrupsionit janë pengesa kryesore në zbatimin  e ligjit. Dobësitë e sistemit gjyqësor dhe mungesa e llogaridhënies kanë krijuar një ambient ku korrupsioni jo vetëm që tolerohet, por edhe kultivohet.

Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme te përcjella me reforma rrënjësore dhe efektive për të ndërtuar institucione qe ne qendër kane prosperitetin dhe fitojnë besueshmërinë e qytetareve, si dhe për të parandaluar e luftuar këtë fenomen të rrezikshëm në të gjitha hallkat e rëndësishme shtetërore e shoqërore.

Sipas saj togfjalëshi “Lufta kundër korrupsionit” nuk duhet të shfrytëzohet vetëm si një parullë politike në fushata zgjedhore e konferenca mediatike, por duhet të përcjellët me strategji e politika efektive dhe rezultate konkrete.

Korrupsioni nuk është fenomen i izoluar e abstrakt. Korrupsioni në një mënyrë apo tjetër, prek aspektet më të rëndësishme të jetës së qytetarëve, si: arsimin, shëndetësinë, drejtësinë dhe ekonominë, duke i dhënë prioritet interesave personale mbi ato publike. Përballë këtij realiteti, duhet një angazhim i përbashkët nga institucionet publike, shoqërisë civile dhe qytetarëve që t`a luftojmë këtë fenomen.

Për t`a shënuar këtë ditë, ne kemi zgjedhur të prezantojmë një performancë artistike që simbolizon ndikimin e korrupsionit në shoqërinë tonë. Vepra “Farat e Rrejshme pasqyron një realitet, ku mungesa e ndershmërisë dhe transparencës krijon një errësirë të thellë që pengon zhvillimin e vendit.

Simbolika e veprës është e qartë: farat që mbillen pa ndershmëri nuk mund të japin fryte të shëndetshme. Pra korrupsionin nuk duhet t`a shohim thjesht si një njollë në letrën e bardhë të shoqërisë sonë, por si një farë e rrejshme që mbin, lulëzon dhe helmon tokën tonë të përditshme.

Mirëpo në qendër të saj, ka një dritë që pulson, që është e vogël por e dukshme – si guximi i një qytetari që vendos të flasë, të sinjalizoj, që përbën hapin e parë drejt ndryshimit.

Ky mesazh na kujton se ndryshimi fillon nga secili prej nesh. Angazhimi i gjithsecilit, qoftë me denoncimin e padrejtësive, qoftë me mbështetjen e reformave, është jetike për ndërtimin e një të ardhmeje pa korrupsion.

Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm detyrë e institucioneve të drejtësisë, por një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.

Lufta ndaj korrupsionit fillon me vepra të vogla: me aktin e thjeshtë të refuzimit të padrejtësisë.

Kështu që sot, le të marrim një angazhim të përbashkët: të jemi ndriçuesit e rrugës drejt një shoqërie më të drejtë, më transparente dhe më me integritet.

Përmbajta e Doracakut:

Doracaku “Farat e Rrejshme”, i marum n’bashk- punim me artistin Driton Selmani, asht nji udhëzues vizual që ka për qëllim me i ndihmu njerzt me i pa e kuptu praktikat korruptive që shpesh fshihen mrapa sipërfaqes. Ky manifest me 11 pika âsht i plekun për me tregu se si edhe nji veprim a send i vogël mundet me kenë pjesë e marrveshjeve t’fshehuna, që bâhen mrapa dyrve t’mbylluna, ose pjesë e “farave” që jan’ subven- cionu me hile.

Me ilustrime që tregojnë situata t’ditshme, ky doracak jep nji rrugë t’lehtë vizuale me kuptu si dukuritë që doken t’pafajshme janë lidhë me ndikime t’padukshme, e që i ndihmon ujdiť e errta. Gjuha ironike përdoret për me zgju vetdi- jen e njerzve, me i ba me kuptu ndikimet që shpesh kalojnë pa u vrejtë, e me u fuqizu për me i pa e shmangë kto marrveshje t’mshefta që ndikojnë n’jetën e përditshme.

Farat e Rrejshme âsht nji mjet për me pru dritë n’nji shoqni ma t’drejtë e ma t’pastërt, tu ofru kuptime t’lehta e t’qarta për me luftu padrejtsitë e për me promovu ndershmninë e përgjegjësinë

Përmbajtjen e plotë të doracakut mund ta gjeni këtu

Java Kundër Korrupsionit 2024 organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL)

#bashkëkundërkorrupsionit #UnitedAgainstCorruption

Doracak - Farat e rrejshme Download

Institucionet e pavarura tregojnë mangësi në zbatimin e dispozitave ligjore mbi deklarimin e dhuratave

Prishtinë, 30.10.2024 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportin “Dhuratat e pranuara nga zyrtarët e institucioneve të pavarura të Kosovës (janar-dhjetor 2023)”, raport ky që ka për qëllim të sigurojë një analizë të detajuar të dhuratave protokollare dhe të rastit të pranuara nga zyrtarët e pesë institucioneve të pavarura të Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2023.

Albana Hasani, Hulumtuese në FOL, tha se deklarimi i dhuratave dhe pasurisë është ndër mekanizmat themelor në luftimin e korrupsionit, i cili mundëson analizimin e lëvizjeve financiare gjatë kohëzgjatjes së funksionit dhe përputhshmërinë me standardet etike dhe ligjore.

Sipas Hasanit, raporti që u publikua sot nga Lëvizja FOL analizon nivelin e zbatimit të dispozitave ligjore mbi pranimin e dhuratave të rastit dhe protokollare nga zyrtarët e 5 institucioneve të pavarura të Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2023. Institucionet e pavarura të përzgjedhura për monitorim janë: Banka Qendrore e Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Dogana e Kosovës si dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Të dhënat e paraqitura në raport janë siguruar përmes kërkesave për qasje në dokumente publike, drejtuar zyrtarëve përgjegjës të këtyre institucioneve, si dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si institucion kyç për mbikëqyrjen e pranimit të dhuratave.

Analiza e të dhënave të paraqitura në këtë raport, tregon se, ndonëse disa institucione kanë bërë përpjekje për të përmbushur obligimet ligjore për raportimin e dhuratave, ekzistojnë disa mangësi të rëndësishme në implementimin e kërkesave ligjore.

Gjetjet kryesore të këtij raporti janë:

  • Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2023 kanë pranuar 46 dhurata, prej të cilave 18 dhurata protokollare, ndërsa 28 të rastit. Pavarësisht kësaj, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dërguar kopjen e  katalogut të dhuratave të pranuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, obligim ky që duhet të kryhet nga institucionet deri me 31 mars të vitit vijues për vitin paraprak.
  • Zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2023 kanë pranuar 11 dhurata, 7 prej të cilave janë dhurata protokollare, ndërsa 4 të rastit. Zyra Kombëtare e Auditimit është i vetmi institucion, në radhët e institucioneve të monitoruara, që ka bërë deklarim të kopjes së katalogut të dhuratave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023.
  • Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Autoritetit të Konkurrencës gjatë periudhës së monitorimit nuk kanë pranuar asnjë dhuratë të rastit apo protokollare.
  • Ndërsa, zyrtarët e Doganës së Kosovës gjatë periudhës së monitorimit kanë pranuar vetëm 1 dhuratë protokollare. Sipas përgjigjes së zyrtarëve të Doganës së Kosovës, kjo dhuratë është vendosur në këndin e dhuratave në Doganën e Kosovës. Megjithatë, kopja e katalogut të dhuratës së pranuar nuk është deklaruar në APK, në periudhën e paraparë.

Dihet se agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në bazë të nenit 26 të Ligjit për Deklarimin e Dhuratave dhe Pasurisë, obligohet të inspektoj institucionet në lidhje me raportimin dhe regjistrimin e dhuratave. Ndërsa sipas të dhënave të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, gjatë vitit 2023 Agjencia ka vizituar dhe inspektuar vetëm 13 institucione publike.

Bazuar në gjetjet e këtij raporti, Lëvizja FOL jep këto rekomandime, disa nga të cilat janë:

  • APK të rris numrin e institucioneve të inspektuara përtej 13 institucioneve që janë vizituar gjatë vitit 2023. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e mbikëqyrjes dhe në sigurimin që të gjitha institucionet publike të përmbushin kërkesat ligjore për raportimin dhe regjistrimin e dhuratave.
  • Të gjitha institucionet të dërgojnë në APK kopjet e katalogëve të dhuratave të pranuara deri me 31 mars të viti vijues, për vitin paraprak.
  • Të vendosen mekanizma të kontrollit të brendshëm për të monitoruar zbatimin e procedurave të deklarimit të dhuratave.
  • Të nxitet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të pavarura dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për shkëmbimin e informacioneve dhe praktikave të mira.

Raportin mund ta gjeni duke klikuar këtu

Dhuratat e pranuara nga zyrtarët e institucioneve të pavarura të Kosovës Download

Bizneset e painformuara për ekzistimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve

Prishtinë, 17 prill 2024

Lëvizja FOL, me mbështetjen e Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, ka mbajtur tryezën e diskutimit në lidhje me sinjalizimin në sektorin privat, ku u shpalosen gjetjet e raportit të Lëvizjes FOL të titulluar: “Gjetjet e anketës mbi të kuptuarit dhe përceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e sektorit privat”. Qëllimi i këtij raporti ishte që të vlerësohet niveli i informimit dhe perceptimi i subjekteve të sektorit privat për mekanizmin e sinjalizimit dhe se sa po zbatohet realisht ky mekanizëm në praktikë.

Pjesë e kësaj tryeze ishin: Përfaqësuesi i Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, z. Stephen Carpenter, ; përfaqësuesi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Milot Shala; përfaqësuesi i Inspektoratit të Punës, z. Vesel Zhinipotokun; përfaqësues nga Aleanca Kosovare të Bizneseve, znj. Lumnije Ajdini; përfaqësuesi i subjektit privat Sh.P.K. “Liridoni”, z. Ngadhnjim Lajçi, si dhe përfaqësues të odave ekonomike në Kosovë dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Drejtorja e Lëvizjes FOL, znj. Mexhide Demolli – Nimani, falënderoi pjesëmarrësit për prezencën dhe shpjegoj se kjo anketë vlerësoi shkallën në të cilën subjektet e sektorit privat janë të informuara për mekanizmin e sinjalizimit si dhe nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në sektorin privat.

Përfaqësuesi i Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, z. Stephen Carpenter, tha se gjetjet e Lëvizjes FOL tregojnë vlerën, dhe nevojën urgjente për përmirësimin e kësaj gjendjeje përmes trajnimeve. Sipas, z. Carpenter, përderisa sot ndajmë përvojat tona dhe strategjitë e ndryshme, të përqendrohemi më shumë për përmirësimin e kësaj fushe.

Hulumtuesja e Lartë në Lëvizjen FOL, znj. Albana Hasani, prezantoj gjetjet e këtij raporti. Përveç kësaj, znj. Hasani tha se për FOL gjetjet ishin rezultate befasuese, meqe është pritur që përqindja e bizneseve të painformuara në lidhje me sinjalizimin ka me qenë më e lartë, megjithatë, sipas saj, edhe këto shifra theksojnë domosdoshmërinë e ndërmarrjes së iniciativave për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të bizneseve lidhur me këtë ligj.
Drejtori i Departamenti për Planifikim Strategjik në Inspektoratin e Punës, z. Vesel Zhinipotoku, tha se këtë vit thuajse është filluar me një qasje më pozitive që të gjitha subjektet ekonomike të caktojnë zyrtarin përgjegjës për sinjalizim. Sipas z. Zhinipotoku, ka subjekte që paraprakisht i kanë caktuar personat përgjegjës, mirëpo sa janë efektiv lë për të dëshiruar. Gjithashtu, z. Zhinipotoku ndër të tjera tha se masa ndëshkimore nuk kanë shqiptuar për subjektet që nuk i kanë caktuar zyrtarët përgjegjës, përveç 1 rasti, në mënyrë që të punohet në preventivë dhe jo në ndëshkim.
U.D Udhëheqësi i Divizionit për Sinjalizim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Milot Shala, tha se gjendja është më e mirë në sektorin publik se sa në atë privat. Ai tha se agjencia është shumë e gatshme për të bashkëpunuar, sidomos në vetëdijesim dhe në trajnime.

Drejtorja e Aleancës Kosovare të Bizneseve, znj. Lumnije Ajdini, tha se situata reale nga bizneset është shumë më keq se sa që po e diskutojmë këtu. Bizneset nuk kanë qenë aspak të informuara as nga ministria as nga institucionet tjera relevante. Sipas znj. Ajdini, ky mekanizëm është shumë i vlefshëm sepse ka favore që e mbrojnë imazhin e kompanive në Kosovë. Gjithashtu, znj. Ajdini tha se numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm për me e mbuluar këtë fushë.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor në Kompaninë ”Liridoni”, z. Ngazhnjim Lajçi, tha se mbetet sfiduese zbatimi i këtij mekanizmi sidomos kur ka të bëjë me ruajtjen e konfidencialitetit. Z. Lajçi tha se po vërehet në terren rritja e numrit të inspektorëve dhe sipas tij, kompania në të cilën punon ai kanë pasur vazhdimisht inspektime nga ky institucion.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu:

Raport: Gjetjet e anketës mbi të kuptuarit dhe perceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e sektorit privat Download

Gjatë periudhës janar-korrik 2023, Komisionet Hetimore të KPK kanë shqiptuar 4 vendime për shkelje disiplinore ndaj prokurorëve

Prishtinë, 6 tetor 2023 – Lëvizja FOL ka monitoruar vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në lidhje me ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, numrin e paneleve hetimore të krijuara dhe llojin e sanksioneve disiplinore të shqiptuara nga ana e këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës janar – korrik 2023, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shqiptuar 4 vendime për shkelje disiplinore ndaj prokurorëve. Llojet e sanksioneve kanë qenë: 1 vërejtje publike me shkrim, 1 vërejtje jopublike me shkrim, 1 ulje e pagesë 30% në vit, 1 lirim nga përgjegjësia disiplinore.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 2 vendime për shkelje disiplinore ndaj gjyqtarëve. Llojet e sanksioneve kanë qenë: 1 lirim nga përgjegjësia disiplinore dhe 1 vërejte publike me shkrim.
Këto statistika janë bazuar në të dhënat zyrtare të pranuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian.

Këto statistika janë bazuar në të dhënat zyrtare të pranuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës Download

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit

Kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore

Luftimi i korrupsionit në Administratën Publike të Kosovës – masat disiplinore kundër nëpunësve civil për korrupsion dhe shkelje etike

Shkarkimi i paligjshëm i të punësuarve në sektorin publik – pasojat në buxhetin e shtetit

Performanca E Prokurorisë Në Luftën Kundër Korrupsionit

Performanca E Prokurorisë Në Luftën Kundër Korrupsionit

Përtej Numrave-Performanca e Prokurorive dhe Gjykatave në luftën kundërkorrupsion për vitin 2017

Përtej numrave – performanca e Gjykatave Themelore në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Mars 2017

Prishtinë, 3 Tetor 2017 – Lëvizja FOL ka publikuar raportin “Përtej numrave – performanca e Gjykatave Themelore në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Qershor 2017” .  Gjykatat_Janar Mars  Gjykatat – Prill Qershor

Përtej numrave – performanca e Gjykatave Themelore në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Mars 2017 Download