Fokus grup me zyrtaret e prokurimit në institucionet qendrore

Prishtinë, 22 shkurt 2018 – Lëvizja FOL sot ka mbajtur diskutim/fokus grup me zyrtare të prokurimit publik në ministritë e caktuara. Gjatë këtij diskutimi u fol për rëndësinë e hapjes se planeve të prokurimit si mjet i promovimit të transparencës dhe rritjes së llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Zyrtaret e pranishëm vunë në pah se hapja e planeve nuk paraqet problem pasi që me hapjen e planeve do të përfitonin edhe vet autoritetet kontraktuese dhe departamentet e prokurimit duke qenë se shumë shpesh ata përballen me probleme që mund të dalin gjatë aktiviteteve të prokurimit.

Lëvizja FOL prezantoi statistika rreth realizimit të planifikimit të prokurimit publik në Ministrinë e Financave, Zhvillimit Ekonomik, Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nga statistikat e paraqitura u hap diskutimi për devijimet buxhetore që ndodhin gjatë implementimit të planeve dhe procesit të prokurimeve qendrore.

Duke ditur se planifikimi i prokurimit publik paraqet fazën kryesore prej të cilës varet edhe procesi i tërësishëm i prokurimit publik, Lëvizja FOL ka monitoruar planet e prokurimit në institucionet qendrore të Kosovës.

Ishte përfundim i përbashkët me zyrtarë të prokurimit nëpër ministri të caktuara se;

  • Korniza ligjore duhet të jetë unike dhe e harmonizuar dhe duhet të rregullohet hapja e planifikimit të prokurimit
  • AQP duhet të planifikoj dhe publikoj prokurimet e përbashkëta në afate të caktuara duke mënjanuar dyfishimin e planifikimeve edhe në autoritete kontraktuese edhe në AQP
  • Planifikimi paraprak duhet të filloj dhe përfundoj më herët dhe jo në fund të vitit, pasi kjo i jep hapësirë autoriteteve kontraktuese që të japin më shumë detaje në planifikim.