Zgjedhjet që nuk zgjodhën gjë

Nga: Ramadan Ilazi

Zgjedhjet e 12 dhjetorit megjithatë kanë prodhuar diçka pozitive- kërkesën për Qeveri të pastër. Ky është momenti nga i cili Kosova duhet të ngrihet si fituese, jo me patriotizëm provincial, por duke luftuar krimin dhe korrupsionin me gjithë mend

Meqë në Kosovë demokracia është reduktuar vetëm në demokraci elektorale,  dëmtimi edhe i këtij procesi ka rrezikuar vetë thelbin e këtij koncepti.  Zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk e zgjidhen krizën politike e institucionale në Kosovë. Përkundrazi, e kanë thelluar atë duke e futur vendin në një krizë edhe më të vështirë. Sfida për të dëshmuar pjekuri demokratike, është barrë e të gjitha partive politike që morën pjesë në zgjedhje, por jo vetëm.

Duke qenë të vetëdijshëm për shkallën e lartë të krimit dhe korrupsionit në Kosovë, do të kishte qenë surprizë nëse zgjedhjet do të shkonin në rregull. Vështir të ketë zhvillim ekonomik, stabilitet politikë dhe zgjedhje të lira e të ndershme në Kosovë përderisa krimi i organizuar dhe korrupsionit që janë futur thellë në sistem të zhduken.  Situata e krijuar, përkatësisht manipulimet e zgjedhjeve po çojnë vendin drejt një krizë të re, një krizë nga e cila Kosova ka mundësi të ngritët vetëm duke shpallur luftë të njëmend krimit dhe korrupsionit.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, Gjyqësori si dhe Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX janë institucionet të cilat kanë mundësuar zhvillimet e fundit në Kosovë me neglizhencën dhe indiferencën e tyre. Përderisa gjatë vitit 2010 progresi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit ka qenë evident në krahasim me vitet e kaluara, ky progres ka qenë i kufizuar, minimal dhe në asnjë mënyrë në përputhje me atë që vendi ka nevojë të shoh në këtë aspekt.
Mos-ndëshkimi i shkelësve të ligjit nga ane organeve të drejtësisë, ka krijuar hapësirë për trima të dorës së tretë, të krijojnë  kulturën e mbi-ligjit.

Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar llogari nga institucionet për gjendjen e rëndë të sundimit të ligjit, përkatësisht për nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit në vend.  Ngjarjet e 12 dhjetorit, besoj kështu duhet ti quajmë tani e tutje,  shpjegojnë edhe gjendjen që kemi në Kuvend. Prej deputeteve që fitojnë mandate përmes manipulimeve nuk mund të presim shumë. Shumë prej deputetëve të legjislaturës së kaluar kanë qenë në konflikt interesi dhe nuk kanë gëzuar pavarësi të vendimmarrjes. Si mund të presim që një deputet të përfaqësoj qytetarët në një diskutim për KEK-un, ose PTK-në kur janë të punësuar dhe marrim paga të majme nga këto institucione.

Përderisa opsion për dalje nga kriza e krijuar në shtator dhe tetor të vitit 2010 ishin zgjedhjet e parakohshme, mbetet të shihet se si kriza e krijuar tani do të adresohet. Në cilindo rast vetëm rruga dhe mënyra institucionale duhet të mundësojë zgjidhje. Një gjë është e sigurt: ato parti politike që do ta injorojnë problemin e krijuar, duke nxituar në krijimin e koalicioneve për formimin e qeverisë do ta thellojnë edhe më tej krizën.  Andaj, duhet të dialogu politik nga i cili do të krijohej konsensusi i nevojshëm për dalje nga situata. Një dialog i tillë duhet të prodhoj mbështetje për reformën e ligjit të zgjedhjeve dhe mbi të gjitha për pastrimin e sistemit nga krimi dhe korrupsionit sepse ndryshe Qeveria e pastër mund thjesht të jetë një grimë që përpiqet të mbuloj një shëmti.

Botuar ne Koha Ditore me 17 janar 2011