Zbatimi i Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike, mund të ndikoj në rritjen e sigurisë së viktimave të dhunës në familje

Prishtinë, 7 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, ka publikuar sot raportin me titull “Byzylykët elektronik: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”, qëllimi i të cilit ishte avokimi dhe tërheqja e vëmendjes së institucioneve për rëndësinë e zbatimit të dispozitave të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike në mbrojtjen e viktimave të krimit në përgjithësi, e në veçanti në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se duke u nisur nga fakti i ekzistimit të rasteve të shumta të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në përgjithësi, si dukuri negative mjaft të përhapura në shoqërinë tonë dhe që rëndë po e përjetojmë për çdo ditë të jetës, të gjithë jemi të kthyer kah institucionet për të kërkuar veprime dhe masa konkrete institucionale për parandalimin e këtyre veprimeve negative që shpesh herë kanë epilog tragjik.

Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL, prezantoi gjetjet e këtij raporti. Sipas Hasanit, ajo që mbetet shqetësuese edhe 6 vite pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, është se institucionet e Kosovës vazhdojnë të kenë probleme në ndërmarrjen e hapave konkret në drejtim të funksionalizimit të plotë dhe efikas të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike. Pra, shqetësuese vazhdon të mbetet ekzistimi i këtij ligji vetëm në letër dhe moskrijimi i kushteve për zbatimin e tij në praktikë.

Hasani theksoj se, sipas të dhënave të siguruara nga Lëvizja FOL, në Kosovë nuk ekzistojnë as salla operative për mbikëqyrjen elektronike, siç përcaktohet me Ligjin për Mbikëqyrjen Elektronike, nuk janë mbajtur trajnime për personelin që i ekzekutojnë vendimet, si dhe nuk ka pajisje për sigurimin e mbikëqyrjes (byzylykë elektronik, siç quhen në bazë të ligjit). Prandaj sipas këtyre të dhënave, nuk ka qenë e mundur marrja e ndonjë vendimi nga gjykatat për shqiptimin e kësaj mase.

“Përkundër garancisë dhe sigurisë që ky ligj mund të ju ofroj viktimave të dhunës në familje, krijimi i kushteve për jetësimin e tij në praktikë nuk është përmendur as në Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016 – 2020, të sjellë nga Ministria e Drejtësisë një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike”, tha Hasani.
Në fund, Hasani shtoi se një hap pozitiv në këtë drejtim pritet të bëhet me sjelljen e strategjisë së re kombëtare kundër dhunës në familje. Përkatësisht, krijimi i kushteve për zbatimin e mbikëqyrjes elektronike së fundi është përmendur në Draft – Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, e cila është ende në proces të draftimit.

Shefi i Misionit të EULEX, Z. Lars – Gunnar Wigenmark, tha se në Kosovë ju keni miratuar një kornizë ligjore për të qenë në përputhje me Konventën e Stambollit e cila është mjaft specifike dhe që flet si të zbatohen ligjet kur bëhet fjalë për dhunën në familje. Kosova ka ndryshuar kushtetutën për të luftuar dhunën në familje, dhunën seksuale dhe ju jeni gjithashtu në proces të ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Sipas Wigenmark, EULEX ka parë më konkretisht se si duhet t’i mbështesim viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e ngacmimeve seksuale dhe ne duhet të dimë se ndonjëherë dhuna nuk duhet të jetë vetëm fizike. Dhuna në familje është krim dhe duhet të trajtohet si çdo krim tjetër dhe gjithashtu të raportohet si krim.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, tha se sa i përket ligjit që u publikua, avokatit i popullit ka dalur me një raport ku ka konstatuar qe shteti ka dështuar në zbatimin e këtij ligji, sepse nuk ka pajisje që të bëhet zbatimi i këtij ligji, gjithashtu policia kanë nxjerrur udhëzime, por që nuk ka pasur mjete.

“Është obligim i të gjithëve që me e dënu dhunën si veprim i kundërligjshëm që s’duhet me pas vend mes neve dhe nëse i shohim rastet, është shqetësuese se kohëve të fundit po rriten numrat dhe besoj qe ka edhe më shumë rritje të numrit të dhunës në familje, e kjo na bënë neve me e luftu edhe më shumë”, tha z. Qelaj.
Arsim Shala, Koordinator i Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, tha se dhuna në familje viteve të fundit u shndërrua në një fenomen shqetësues që kërkon tretman nga policia e shtetit. Sipas Shalës, ka rritje të vazhdueshme të dhunës si dhe rritje të raportimeve. Me punën e gjithë akterëve është shtuar siguria te qytetarët.

“Kemi pasur raste që kanë përfundu me fatalitet dhe është një faktor shtytës për neve si polici dhe për akterët tjerë që me punu në parandalimin e dhunës në përgjithësi. Ne jemi akterët kyç me ndiku në parandalimin e dhunës dhe është e vërtetë që edhe ne kemi ngecë dhe jemi vonu në këtë drejtim por ne kemi personel të mjaftueshëm dhe mekanizma të mjaftueshëm të shtrira në Kosovë, për me realizu edhe obligimin sa i përket Ligjit për Mbikëqyrje”, tha z. Shala.
Alban Muriqi, Këshilltarë i Ministrisë së Drejtësisë, tha se ky ligj e ka pas dhe e ka kuptimin e mirë se çka do të rregulloj dhe duhet si ministri me bo ma shumë me ndërmarrë vendime konkrete me implementu këtë ligj. “Nuk ka pas diçka konkrete në zbatimin e këtij ligji, dhe ka pasë mungesë vullneti. Duket se institucionet tona nuk kanë qenë të përgatitura sa duhet për me zbatu këtë ligj. Policia ka një rol të mirë për siguri por ka me dhanë përgjegjësi në monitorimin e këtij ligji dhe zbatimin e ligjit”, tha z. Muriqi.