Transparenca financiare e subjekteve politike drejt përkeqësimit!

Prishtinë, 14 maj 2019- Amendamentimet e ligjit nga ana e deputeteve, të krijojnë përshtypjen se janë mbledhur zyrtarët për financa të subjekteve kryesore politike dhe kanë ndryshuar dispozitat të cilat ju shkaktojnë kokëçarje atyre gjatë manipulimit me mjete të subjekteve të tyre, të cilat kryesisht vijnë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Transparenca e partive politike është një prej themeleve të partive politike demokratike. Financimi, shpenzimi dhe auditimi i partive politike zë vend të pazëvendësueshëm brenda transparencës politike posaçërisht për shtetet ku partitë politike financohen nga taksat e qytetarëve, siç është rasti në Kosovë. Për disa vite me radhë në Kosovë, partitë politike nuk publikuan raportet e tyre financiare dhe rrjedhimisht nuk u audituan. Ligji për financimin e subjekteve politike, që është aktualisht në fuqi, cilësohej si i pazbatueshëm.

Pas kërkesës së komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të shoqërisë civile, amendamentimi i ligjit për financimin e subjekteve politike u fut si një prej veprimeve të Agjendës Evropiane për Reforma, të njohur si ERA. Grupi punues qeveritar bëri një punë të mirë në hartimin e draft amendamenteve të cilat edhe u dërguan për opinion nga Komisioni i Venedikut. Ky është ligji i parë pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës që dërgohet për opinion te ky Komision.

Komisioni lavdëroi punën e bërë por, ndër të tjera, kërkoi avancim të mëtutjeshëm të dispozitave që kanë të bëjnë me: përcaktimin më të mirë të definicionit të kontributit, sigurimin e paanësisë politike të auditorëve, rritjen e pavarësisë dhe kompetencave të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe sanksione më të avancuara për moszbatim të këtij ligji. Grupi  punues qeveritar punoi tutje duke adresuar rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe dorëzoi një projektligj mjaft të avancuar në Zyre të Kryeministrit për procedim të mëtutjeshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me 24 prill 2019, Komisioni për Buxhet dhe Financa miratoi Raportin me Amendamente të Ligjit për Financim të Subjekteve Politike. Këto amendamente jo vetëm që e degradojnë projektligjin e dorëzuar nga grupi punues qeveritar por paraqesin regres edhe në krahasim me ligjin aktual në fuqi. Duke lexuar amendamentet shihet se janë deformuar dispozitat që sigurojnë transparencë ose thënë ndryshe ato dispozita që mundësojnë një kontroll të mirëfilltë financiar të subjekteve politike. Për më tepër, krijohet përshtypja se janë mbledhur zyrtarët për financa të subjekteve kryesore politike dhe kanë ndryshuar dispozitat të cilat ju shkaktojnë kokëçarje atyre gjatë manipulimit me mjete të subjekteve të tyre, të cilat kryesisht vijnë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Amendamentet e bëra nga komisionet përkatëse në Kuvend në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthortë: dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e shpërndarjes së Fondit për Demokratizim; cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave; nuk përmbush veprimin e paraparë në ERA për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike (Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike); pamundësojnë transparencën e subjekteve politike pasi që eliminojnë publikimin e emrave të pronarëve të personave juridik (kompanive) që japin kontribut për subjektet politike dhe dyfishojnë tavanet e kontributeve për persona fizik dhe juridik gjatë fushatës zgjedhore; dhe zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejon zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës dhe zvogëlojnë gjobat për shkeljet e dispozitave ligjore nga subjektet politike deri në 75%.

Nëse miratohet projektligji me amendamentet aktuale të propozuara tërësisht do të mospërfillen rekomandimet e Komisionit të Venedikut, bash në projektligjin e parë të dërguar për opinion si shtet i pavarur. Më tutje, duke qenë degradim edhe në krahasim me ligjin aktual në fuqi, BE-ja do ta cilësojë se veprimi i paraparë në ERA nuk është përmbushur, edhe kjo mu bash në kohën kur qytetarët më të pashpresë presin ndonjë sinjal pozitiv për liberalizim të vizave. Prandaj, miratimi i projektligjit më amendamentet aktuale do të dëshmonte se klasa politike ende nuk po tregon vullnet të mirëfilltë për transparencë dhe reforma. Kjo më së paku na duhet tani.

Prandaj, në bazë të arsyeve të dhëna më sipër, ne, organizatat e poshtëshënuara shohim dy opsione shpëtimi nga kjo gjendje e krijuar: Kuvendi të refuzojë amendamentet e bëra nga Komisionet përkatëse dhe të miratojë versionin e grupit punues qeveritar ose, si opsion i fundit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ta tërheqë këtë projektligj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 

 

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Demokraci për Zhvillim (D4D)

Lëvizja FOL

Çohu

Demokraci Plus (D+)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Balkan Investigative Reporting Network (BIRN)

Westminster Foundation for Democracy (WFD)