Takim me kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë z. Kreshnik Radoniqi

Pejë, 13 Tetor 2017 – Përfaqësues të Lëvizjes FOL u takuan sot me z.Kreshnik Radoniqi, Kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë. Gjatë këtij takimi u diskutua për punën e Gjykatës Themelore të Pejës, numrin e madh të lëndëve në këtë gjykatë si dhe kushtet e punës së gjykatësve. “Gjykata e Pejës është shumë e ngarkuar me lëndë, në veçanti Departamenti për Krime të Rënda, pasi që dihet se qyteti i Pejës përballet me probleme të mëdha të krimit”, tha Radoniqi.

Në këtë takim përfaqësues nga Lëvizjes FOL prezantuan para kryegjykatësit statistikat vjetore të vitit 2016, të lëndëve kundër korrupsion ku Gjykata e Pejës nga 53 lëndë të kësaj natyre, vetëm 29 nga to i ka zgjidh. Ndërkaq, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, Peja kishte 68 lëndë nga kapitulli i veprave të korrupsionit, e vetëm 26 nga to i kanë përfunduar. Sipas tyre Peja ka një numër të madh të lëndëve të kësaj natyre, gjë të cilën nuk e kontestoi z.Radoniqi. Ai tha se arsye për këtë numër të madh të këtyre lëndëve është edhe mungesa e gjykatësve si dhe kushtet e punës në këtë gjykatë. “Ne ende nuk kemi një zëdhënës të gjykatës, po ashtu nuk kemi as zyre të veçantë, e cila merret enkas me statistika”, tha Radoniqi.

 

 

Ky grant është  financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).