Shoqëria civile vlerëson paralajmërimin e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për financimin e subjekteve politike

Prishtinë, 21 qershor 2019 – Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë lartë paralajmërimin e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për financimin e subjekteve politike në mbledhjen e radhës së saj.

Ky paralajmërim vjen pas fushatës disa-javore të rreth njëqind organizatave të shoqërisë civile, gjatë së cilës qytetarët dhe institucionet publike u njoftuan me disa nga dispozitat e draftit të fundit të projektligjit të cilat binin në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar rishtazi nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji aktual rrezikonte integritetin e procesit të reformës zgjedhore duke cenuar pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike nga politika. Projektligji gjithashtu dështonte të adresoj prioritetet e identifikuara në Agjendën për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas të financimit të partive politike. Për më tepër, ky projektligj u ofronte subjekteve politike mundësinë për të fshehur identitetin e kontribuesve financiarë, shumëfishonte lartësinë e këtyre kontributeve, zgjaste afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe zvogëlonte gjobat në rast se vlerësohej shkelja e ligjit nga ana e subjekteve.

Shoqëria civile, këto kërkesa i parashtroi edhe në protestën e sotme para ndërtesës së Kuvendit të Kosovë, një orë para se kryeministri të paralajmëronte tërheqjen e projektligjit duke u zotuar se do të merrte një vendim të tillë në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shoqëria civile e vlerëson këtë veprim të kryeministrit dhe njëkohësisht ua rikujton të gjithë akterëve politik se janë të gatshëm të vazhdojnë mbështetjen e tyre për institucionet vendore në ndërtimin e kornizës ligjore dhe institucionale që mundëson një sistem të subjekteve politike konform standardeve të shoqërive demokratike dhe një garë zgjedhore korrekte dhe te barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.
Me respekt,

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Lëvizja FOL
Çohu
Demokraci Plus (D+)
Balkan Investigative Reporting Network (BIRN)
Westminster Foundation for Democracy (WFD)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)