Sfidat e menaxhimit të lëndëve të korrupsionit në Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës

Prishtinë, 4 Prill 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutim me zyrtarë të Prokurorive dhe Gjykatave Themelore të ngarkuar me punë në grumbullimin e statistikave të lëndëve të korrupsionit në Gjykata dhe Prokurori. Në këtë takim u diskutua për sfidat e menaxhimit të statistikave të lëndëve të korrupsionit në Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës, që nga mungesa e zyrtarëve për statistika deri te ngatërresat rreth ndarjes së lëndëve.

Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL tha se gjatë vizitave që FOL ka realizuar në Gjykata dhe Prokurori të Kosovës, ka vërejtur se ekzistojnë probleme të shumta rreth menaxhimit të statistikave të lëndëve të korrupsionit, e kjo si pasojë edhe e mungesës së zyrtarëve për statistika. “Neve na intereson të jetë një kategori e veçantë, ku tregohen se sa është numri i lëndëve të parashkruara”, tha Zulfaj.  

Besnik Ramosaj- Drejtor i Zyrës së Statistikave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës tha se mundësia e gabimeve në statistika është e mundshme, për shkak të numrit të madh të veprave. “Ka problem për shkak të ndërrimit të gjykatave. Numri ndryshon edhe kur një lëndë kalon nga një departament në departamentin tjetër. Në Prizren kemi pas problem me zyrtarin e statistikave, kanë shku zyrtarët i kanë numruar veç e veç të gjitha lëndët”, tha Ramosaj duke shtuar se burim i informacioneve për statistika duhet të jetë zyrtari i statistikave dhe jo ndonjë zyrtar tjetër.

Nurije Aliu nga Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se kur ndërrohet kualifikimi i veprës, nuk kemi mundësi se si ta raportojmë, duhet të jetë një rubrikë e veçantë për raportimin këtyre veprave. “Lëvizja e lëndëve nga një departament në tjetrin na shkakton telashe në statistika. Duhet të jepet mundësia që të tregohen rastet kur është bërë rikualifikimi i veprave. Ne raportojmë te Laura Pula çdo muaj për statistika, pra raporti i njëjtë shkon edhe në Këshillin Prokurorial”, tha Aliu.

Ndërkaq Xhemile Morina nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë tha se nuk ka hasur në raste kur përzihen veprat nga kapituj tjerë. “Në Mitrovicë janë vetëm dy zyrtarë që merren me statistika e që janë zyrtarë të shkrimoreve, pra e kemi si punë shtesë këtë punën e statistikave”, tha ajo.

Pranvera Ademi nga Gjykata Themelore në Pejë tha se kanë probleme edhe me kualifikim të veprës, ngase Prokuroria vjen me kualifikim tjetër ndërsa gjykata e kualifikon ndryshe dhe për këtë dalin dallime në statistika.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).