Sa është duke punuar Kuvendi në zgjidhjen e çështjes së financimit të partive politike?

Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL

Megjithëse Kuvendi i Kosovës bëri hapë të mirë me miratimin e Ligjit për Deklarimin dhe Prejardhjen Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, ky institucion po çalon në nxjerrjen e Ligjit për Financimin e Partive Politike i cili përbën një rëndësi të veçan në luftën kundër korrupsionit.  Projektligji është miratuar në leximin e pare me 29 Nëntor 2009 mirëpo që nga kjo datë Kuvendi nuk ka lëvizur duke shkelur kështu afatin prej 2 muajve që rregullorja e punës parasheh brenda së cilës periudhë do të duhej që Kuvendi të shqyrton ligjin.

Problemi kryesor me këtë projektligj është se nuk po është e saktë cilat janë çështjet kontestuese në përmbajtjen aktuale të tij.  Ajo çka dihet është se sanksionet janë shumë te dobëta apo më mirë të themi ndëshkimet financiare janë shumë të ulëta në shumat që parashikohet. Diferenca për ndëshkimin e një është shume e vogël diku 500 ? 3000 për kandidat , ndërsa 3000-10000 për partitë. Neni 21 i projektligjit në pikën 2 deklaron se personi përgjegjës brenda partisë politike dënohet ne shume prej 300 deri ne 1000 euro për cenim te dispozitave te ligjit. Ky sanksionon mund ti inkurajoj partitë politike të vazhdojnë të injorojnë kërkesën për transparencë dhe llogaridhënien në prejardhjen e pasurisë së tyre dhe financimit të fushatave elektorale.

Pothuajse të gjitha Partitë kryesore politike në vend kanë munguar në dëgjimin publik për projektligjin i cili mbetet dhe aktiviteti i vetëm i komunikimit me jashtë sa i përket projektligjit. Grupi punues i cili është duke e përpunuar projektligjin përbehet nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa ku ligji trajtohet në mënyrë institucionale. Pra pjesëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa përbëjnë edhe grupin e punës për projektligj duke lënë anash kështu përfaqësim më të mirë te partive ose grupeve që do të duhej të ofronin mendimin e tyre rreth këtij projektligji të rëndësishëm, duke përfshirë edhe organizatat jo-qeveritare,.

Shqyrtimi i projektligjit për Financimin e Partive Politike po bëhet prapa dyerve të mbyllura duke sinjalizuar se shqetësimet rreth transparencës së financimit të partive politike nuk do të zgjidhen me këtë ligj duke qenë se vetë procesi i hartimit të ligjit po është përjashtues. Nuk ka informacion të rëndësishëm rreth këtij projektligji duke përfshirë çështje qenësore që kanë të bëjnë me mënyrën dhe shumat që do ti paguhen partive politike nga Buxheti Shtetërore, para këto të taksapaguesve kosovar.