Reagim: Organizatat e shoqërisë civile në përkrahje të protestës për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi

Prishtinë, 29 gusht 2018 – Pas dorëheqjes së ish prokurorit special z. Elez Blakaj, ne si organizata të shoqërisë civile përkrahim plotësisht protestën e organizuar nga grupi i qytetarëve për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi. Letra shpjeguese e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit të drejtësisë, në veçanti prokurorisë së shtetit përballë ndërhyrjeve politike, shantazheve dhe kërcënimeve, që vijnë edhe nga vetë kryeprokurori i shtetit.

Ndërhyrjet e kryeprokurorit Lumezi për të shmangur përballjen e figurave të larta të politikës me procesin e drejtësisë janë alarmante për drejtësinë në Kosovë. Në anën tjetër përbëjnë fakte të mjaftueshme që ne si shoqëri civile dhe qytetarë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tij.

Ne besojmë fuqishëm se vetëm një sistem i drejtësisë i pavarur, me integritet dhe imun ndaj interferimeve të politikës do të mund të garantojë sundimin e ligjit, që është parakusht për funksionimin e shtetit demokratik.

Dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi, do të rriste besimin qytetarë në drejtësinë e pavarur, prandaj ne përkrahim protestën qytetare, dhe kërkojmë që përveç shkarkimit të tij të fillojë edhe procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë sikurse në të gjitha vendet e rajonit.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të protestojnë sot për të garantuar një drejtësi të pavarur nesër!

Organizata e Shoqërisë Civile:

Demokraci Plus – D+
Grupi për Studime Juridike dhe Politike-GLPS
Iniciativa për Progres – INPO
Instituti Columbus
Instituti D4D
Instituti Demokratik i Kosovës – KDI
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Instituti INDEP
Instituti KIPRED
Lëvizja FOL
Organizata Çohu!
Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim-ATRC
Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional- CLARD