Qeveri me duar, por jo të pastra

Prishtinë, 21 shkurt – Sot bëhen dy vjet që nga formimi i qeverisë Thaçi 2. Pikërisht dy vjet më parë, qytetarët e Kosovës patën shpresuar se qeveria e Kosovës do të jetë “qeveri e duarve të pastra”. Pritjet e qytetarëve, por edhe të mekanizmave ndërkombëtarë, patën ardhur pas një periudhe tre-vjeçare të keq-qeverisjes së PDK-se dhe LDK-së, e të cilat parti dëshmuan që vetëm qeverisje demokratike dhe transparente nuk mund të bënin. Pra, duke keq-qeverisur për tri vite me radhë, duke krijuar afera të mëdha korruptive, dhe duke treguar mungesë vullneti për të ndërtuar shtetin e ri, partia më e madhe e koalicionit, PDK-ja, dy vite më parë tentoi që të krijojë iluzione për një “qeveri me duar të pastra”, siç u quajt atëkohë. Mirëpo, kjo periudhë qe shumë e shkurtër dhe shumë shpejtë u dëshmua e kundërta e saj.

Ne, si Lëvizje FOL, pikërisht dy vite me parë patëm kërkuar që Kuvendi i Kosovës, përkatësisht deputetët e Kuvendit të kishin shumë kujdes se çfarë qeverie do të votonin. Ne, në mënyrë simbolike patëm hedhur “detergjent dhe sapunë”, për të dhënë mesazhin që ata do të duhej të zgjedhnin një qeveri me duar të pastra.

Falë aferave të shumta korruptive përgjatë këtyre dy viteve, qeveria e Kosovës ka dëshmuar se është një qeveri e korrupsionit dhe po ashtu një qeveri e duarve të ndyta. E gjitha çfarë mbajmë në mend, pra nga kjo periudhë dy vjeçare, janë skandalet e shumta të korrupsionit. T’i përmendim disa prej tyre:

– Një zv. Kryeministër është i akuzuar për afera korruptive, e i cili është në proces gjyqësor;
– Një zv. Kryeministër është i përfshirë në një aferë korruptive me rastin e privatizimit të hotelit Grand;
– Aferat korruptive të zyrtarëve të lartë të Ministrinë e Shëndetësisë;
– Para pak muajsh doli skandali tjetër që nuk mbeti vetëm Brenda Kosovës, ai i prodhimit të pasaportave biometrike. Në këtë aferë të rëndë korruptive, Natali Veliaj, shpalosi hapur përfshirjen e zyrtarëve të lartë të MPB, mirëpo ministri Rexhepi vazhdon i qetë punën e tij edhe sot e kësaj dite.

Prandaj, ne si Lëvizje Fol kemi organizuar një performancë të tillë, e cila përveç karakterit të saj simbolik ka edhe karakterin e saj revoltues përballë nivelit të lartë të korrupsionit politik të kësaj qeverie, e i cila gjatë kësaj periudhe dy vjeçare ka qeverisur me duar të ndyta.

Galeria e aktivitetit

Qeveri me duar - por jo te pastra

Qeveri me duar - por jo te pastra2

Qeveri me duar - por jo te pastra3

Qeveri me duar - por jo te pastra4

Qeveri me duar - por jo te pastra5

Qeveri me duar - por jo te pastra6