Portali ‘Prokurimi i Hapur dhe Transparent’ ndikoi në rritjen e transparencës në shpenzimin e parasë publike

Prishtinë 10 korrik – Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, sot ka mbajtur diskutim rreth ndikimit të “Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent” në rritjen e transparencës në shpenzimin e parasë publike.

Mexhide Demolli- Nimani, Drejtore Ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se, “Portali i prokurimit të hapur është dizajnuar në atë mënyrë që të jetë burim informimi për gazetarë hulumtues, organizata të shoqërisë civile si dhe qytetarët të cilët dëshirojnë të hulumtojnë parregullsitë e kontratave që nënshkruhen me institucione, gjë e cila edhe po ndodh tash një vit”. “Portali i prokurimit të hapur kur u lansua tash një vit, kishte 7014 kontrata ndërkaq tani në portal mund të gjejmë të dhëna për 12 282 kontrata të nënshkruara nga të gjitha autoritetet kontraktuese”, tha Demolli-Nimani.

Christina Davis, drejtoreshë e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID Kosova, tha se ky portal ofron qasje me lehtësi në dokumente të prokurimit publik. “Ky portal ju jep mundësinë që të keni qasje në informata qofshin ato të qeverisë, qoftë të institucioneve të tjera. Është e lehtë dhe praktike edhe për gazetarët që i kemi këtu që të shohin edhe për kontratat e bizneseve. Falë këtij bashkëpunimi mes institucioneve siç është KRPP dhe këtij portali ,Kosova sot është liderë në rajon se i përket transparencës në prokurim dhe për këtë të gjithë duhet të jenë krenar”, tha Davis, duke shtuar se qytetarët, mediat dhe OJQ duhet të kërkojnë më shumë llogaridhënie nga institucionet e vendit.

Anëtari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Sami Uka, tha se ata në fillim e kishin marrë me skepticizëm dhe nuk kishin besuar në suksesin e këtij portali, pasi që sipas tij, ka qenë një fazë kritike e implementimit të platformës. “Do të jem shumë i hapur, të them që në kohën kur është biseduar për këtë portal, ne kemi qenë shumë skeptikë dhe nuk kemi besuar aspak që kjo do të realizohet. Çështja e portalit ishte në momentin kritik, sepse kishte nevojë të ruhej stabiliteti i platformës E-Prokurimi edhe ashtu i brishtë në ato faza dhe gjithashtu kishte nevojë për shumë reforma legjislative të cilat nganjëherë nuk ishin të lehta”, shtoi Uka.

Besnik Krasniqi, gazetar i gazetës “Koha Ditore”, portalin Prokurimi i hapur e cilësoi si një “revolucion” sepse është shumë i qasshëm për gazetarët, dhe iu jep atyre indikacione për aspektet të cilat lidhen me korrupsionin. “Portali i prokurimit mund të iu ndihmojë shumë gazetarëve në pikën ku lidhet me kohën. Ai është në gjendje me të dhënë një ‘fotografi’ për secilin operator ekonomik, sa kontrata i fiton, prej cilave autoritete kontraktuese, prej cilave institucione”, tha Krasniqi.

Elbasan Racaj nga FOL prezantoj modulet e reja të Portalit Prokurimi i Hapur dhe Transparent me të cilat është pasuruar ky portal gjatë këtij viti. “Në portal tash ekziston edhe data e fillimit të realizimit të kontratës dhe data e përfundimit, kërkimi në bazë të emrit të pronarit të një biznesi, moduli i abonimit i cili do të iu ofroj gazetarëve dhe hulumtueseve që të njoftohen për të gjitha kontratat e nënshkruara nga një autoritet kontraktues apo edhe për një industri të caktuar.

Hamdi Hoxha nga Administrata Tatimore e Kosovës tha se ky portal mund ti shërbej shumë edhe ATK-së. “Nga ajo që po shoh në këtë portal, ky mund të jetë një burim shumë i mirë informimi edhe për ATK-së në mënyrë që të përcjell bizneset që marrin tenderë dhe të bëj krahasime nëse po kryhen të gjitha detyrimet ndaj ATK-së.