Pesë vite FOL për anti-korrupsion, transparencë dhe llogaridhënie

Prishtinë, 25 qershor 2014 – Lëvizja FOL, sot shënon 5 vjetorin e themelimit të saj. E ballafaquar me sfida të shumta në funksionalizimin dhe qëndrueshmërinë e saj, FOL sot ka arritur që të avancojë misionin e saj në promovimin e qeverisjes së mirë, zbatimin e rendit dhe ligjit si dhe ngritjen e qytetarisë aktive. Sot, Lëvizja FOL konsiderohet organizatë lidere në fushën e promovimit të luftës kundër korrupsion, transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe kohore 5 vjeçare, Lëvizja FOL ka realizuar mbi 290 aktivitete publike, nga të cilat janë realizuar 54 publikime të ndryshme (Raporte dhe Analiza), 67 konferenca për shtyp, janë organizuar 57 tryeza të rrumbullakëta në nivel qendror dhe lokal, kemi koordinuar 10 deklarata të përbashkëta të Shoqërisë Civile, kemi pasur 33 reagime publike, kemi nënshkruar 9 marrëveshje mirëkuptimi me institucione të nivelit qendror dhe lokal në fushën e qasjes në drejtësi dhe prokurimit publik. Kemi organizuar 7 Turne Kombëtar dhe Përgatitor të Debatit të formatit “Karl Popper”. Kemi organizuar Kampin veror 2012 me vullnetarët e rinj të FOL-it, kemi realizuar Platformën e deklarimit dhe e krahasimit të pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe gjithashtu kemi lansuar Platformën e Statistikave Anti-Korrupsion si platformë e vetme jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë që matë performancën e institucioneve në luftën anti-korrupsion. Me qëllim ngritjen e nivelit të qytetarisë aktive FOL ka realizuar një seri performancash rrugore përmes së cilave ka reaguar kundër fenomeneve dhe ngjarjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me misionin e organizatës. Po ashtu kemi organizuar fushatën Testi i përgjegjshmërisë në tetë komuna të Kosovës, konsultimet publike në procesin e anëtarësimit të Kosovës në PQH dhe fushatën Java e FOL-it nëpër fshatra të ndryshëm të Kosovës. Që nga viti 2009, Lëvizja FOL ka ndarë 5 çmime për Guxim Qytetarë.

Lëvizja FOL ka iniciuar dhe bashkë koordinuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur – PQH dhe nga janari i këtij viti FOL është bërë anëtare e Konventës Anti-Korrupsion i Kombeve të Bashkuara – Koalicioni UNCAC duke e përfaqësuar Regjionin e Evropës në Komitetin Koordinues të këtij koalicioni.

FOL është e përkushtuar që të vazhdojë edhe më fuqishëm përpjekjet dhe kontributet e saja për ta sjellë institucionin më afër qytetarit, të ndikojë në uljen e korrupsionit në vend, si dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike në shpenzimin e buxhetit të shtetit.

Lëvizja FOL me rastin e 5 vjetorit ka përgatitur buletinin i cili përmbanë një sërë aktivitete kryesore të realizuara gjatë këtyre viteve. Për më shumë klikoni këtu!

Lëvizja FOL edhe në këtë 5 vjetor falënderon të gjithë anëtarët e Bordit Këshillëdhënës, anëtarët e Kuvendit të FOL-it, aktivistët dhe mbështetësit, mediat dhe donatorët për ndihmën dhe përkrahjen e madhe që i kanë dhënë FOL gjatë këtyre viteve.

FOL do të vazhdoj të flasë gjithmonë për interesin publik!