Përfundimi i mbikëqyrjes një e arritur ndërkombëtare, sfidat e brendshme mbesin

Prishtinë, 10 shtator 2012– Lëvizja FOL uron qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës për punën që kanë bërë në kuadër të përmbushjes së obligimeve për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Sot është një ditë e rëndësishme për procesin e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës. Nga kjo fazë e mbikëqyrjes nëpër të cilën ka kaluar Kosova, shumica e qytetarëve kanë mbetur të zhgënjyer për mungesë të rezultateve sidomos në: shtrirjen e autoritetit në veri, zhvillimin ekonomik, si dhe pavarësimin dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë.

Megjithatë, është e rëndësishme që Kosova po bën një hap kyç drejt fuqizimit të legjitimitetit ndërkombëtar dhe parandalimit të bosnjëzimit të vendit. Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë duhet të rrisë llogaridhënien ndaj qytetarëve të Kosovës dhe në asnjë mënyrë hapësira e krijuar të zhvendoset në adresa të tjera. Pas datës 10 shtator 2012, institucionet e vendit nuk mund më të fshihen pas ndërkombëtarëve për dështime në politikën e brendshme dhe kjo paraqet një mundësi të veçan për të dëshmuar pjekurin shtetërore të Kosovës. Po ashtu, kjo nënkupton angazhim shtesë nga Shoqëria Civile për të rritur pjesëmarrjen dhe mbikëqyrjen civile ndaj sjelljes dhe punës së institucioneve të shtetit.

Korrupsioni dhe kriminaliteti po dëmton besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovës dhe kjo përbën shqetësim jetik për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Prandaj, është detyrë e domosdoshme e institucioneve tona, që pas një procesi të tillë të mbikëqyrjes, të merren me sfidat reale të shtet-ndërtimit, të kthimit të besimit në shtetin e ri, për rendin dhe ligjin, për ekonomi të favorshme për qytetaret e Kosovës, në mënyrë që të gjitha këto të jenë në funksion të realizimit të parimeve të lirisë dhe demokracisë.