Përditësimi i Platformës për Deklarimin dhe Krahasimin e Pasurisë për 307 zyrtarë publikë për vitet 2010-2014

Kryetarëte Komunave të zgjedhur në 2013 janë 30% më të pasur, Kabineti qeveritar 15% mei pasur se parapraku dhe Deputetët 2014 janë 2.2% më të pasur
Prishtinë, 31 tetor 2014-Lëvizja FOL ka zhvilluar një konferencë për media ku ka prezantuar të dhënat e përditësuara të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik për vitet 2010-2014, në kuadër të Platformës së Deklarimit dhe Krahasimit të Pasurisë (http://deklarimi.levizjafol.org/).

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL tha se në këtë Platformë është përfshirë pasuria e gjithsej 307 zyrtarë të lartë që nga viti 2010 e deri më sot. Totali i pasurisë së deklaruar nga zyrtarët e lartë publik të përfshirë në këtë platformë në vitin 2010 ka qenë 15,977,344€, ndërsa totali i pasurisë së zyrtarëve të lartë publik të përfshirë në këtë platformë për vitin 2014 është 407,386,440 € ose 2449.78% më lartë se ajo e vitit 2010.

Krerët e Shtetit

Në këtë kategori janë përfshirë krerët e shtetit, përkatësisht pasuria e deklaruar nga Presidentët e vendit, Kryeministrat dhe zëvendës kryeministrat e periudhës 2008-2010 dhe të periudhës 2011-2014. Totali i pasurisë së krerëve të shtetit në periudhën 2008-2010 ka qenë 1,042,827 €, ndërsa pasuria e krerëve të shtetit për periudhën 2011-2014 është 215,937,139 € përkatësisht rreth 20606.90 % me lartë se ajo e periudhës paraprake.

Në këtë kategori prinë pasuria e zëvendës kryeministrit z. Behxhet Pacolli prej 215,108,975 €, i dyti në këtë kategori është pasuria e kryeministrit z. Hashim Thaçi prej 694,153 € dhe e treta pasuria e Presidentes së Kosovës znj. Atifete Jahjaga me total të pasurisë prej 134,011 €.

Kuvendi

Në kuadër të platformës për krahasimin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik është përfshirë pasuria e deputetëve të tre legjislaturave, pra pasuria e deputetëve të legjislaturës së viteve 2008-2010, legjislaturës së viteve 2011-2014 dhe legjislaturës së re të zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2014. Shuma totale e pasurisë së deputetëve të legjislaturës së viteve 2008-2010 ka qenë162,554,589 €, e legjislaturës së viteve 2011-2014 ka qenë143,529,289 €, ose -9.73 %me ulët se totali i pasurisë në krahasim me legjislaturën e kaluar, ndërsa pasuria e deputetëve të legjislaturës së re është146,743,636€ ose 2.23% më e lartë se pasuria e legjislatura e kaluar.

Në legjislaturën e re prinë deputeti z. Ramiz Kelmendi me pasuri në total prej 46,566,512 €, i dyti është deputeti z. Hamza Balje me total të pasurisë prej 4,905,580 €, ndërsa deputeti i tretë me radhë është znj. Blerta Deliu-Kodra me total të pasurisë së deklaruar prej 2,857,711 €.

Ministrat dhe zëvendësministrat e Kabineteve Qeveritare

Gjithashtu në këtë platformë janë të përfshirë pasuria e deklaruar nga ministrat dhe zëvendës ministrat e kabineteve qeveritare të ministrave të viteve 2008-2011 dhe të kabinetit qeveritar të viteve 2011-2014. Totali i pasurisë së ministrave dhe zëvendës ministrave të kabinetit qeveritar të viteve 2008-2011 ka qenë 20,772,836 €, ndërsa pasuria e ministrave dhe zëvendës ministrave të kabinetit qeveritarë të viteve 2011-2014 është 23,907,667€, ose 15.09% më e lartë se pasuria e ministrave dhe të zëvendës ministrave të kabinetit të kaluar.

Në këtë kategori prinë sa i përket pasurisë së deklaruar zëvendës ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik z. Ramadan Hasani me totalin e pasurisë prej 2,551,396 €, i dyti është zëvendës ministri i Ministrisë së Administratës Publike z. Nexhmedin Kastrati me totalin e pasurisë prej 2,065,000 €, ndërsa i treti me radhë është ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë z. Dardan Gashi me totalin e pasurisë prej 1,159,400 €.

Kryetarët e Komunave

Në bazë të krahasimit të pasurisë së kryetarëve të komunave të periudhës 2009-2013 dhe kryetarëve që kanë marrë pushtetin në vitin 2013 del të jetë 30.70% më lartë përkatësisht pasuria e kryetarëve të komunave të viteve 2009-2013 në total pasuria e tyre ka qenë 15,912,373€ ndërsa pasuria e kryetarë të komunave që janë zgjedhur në vitin 2013 është 20,797,998 €.
Prinë kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri me total 7,685,000€. I dyti kryetari i Komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri me total 2,418,400€. I treti është kryetari i Komunës së Obiliqit z. Xhafer Gashi me total të pasurisë prej 2,010,612€.

Gjithashtu ai deklaroi se ne kemi vërejtur se në Agjencinë Kundër Korrupsion nuk është publikuar pasuria e deputetëve të rinj: Adem Hodza, Besa Baftija, Labionte Murtezi-Demi, Fisnik Ismajli, Nezir Çoçaj, Pal Lekaj, Raif Qela, Sevdije Halimi, Shpejtim Bulliq (nuk hapet formulari). Kryetarët e komunave të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë: Sami Lushtaku, Burim Berisha, Muharrem Svarqa, Vucina Jankovic (Zveçan) dhe kryetaret të cilët nuk e kanë deklaruar pagën e Komunës: Begzad Sinani, Svetislav Ivanovic (Novobërdë), Imri Ahmeti (Lipjan), Dragan Nikolic (Partesh), Idriz Vehapi(Rahovec).

Poashtu në edhe tek kategoria e anëtareve të kabinetit qeveritar ne kemi vërejtur se Avni Kastrati (zv. ministër i Tregtisë dhe Industrisë) nuk e ka deklaruar pasurinë.
Fidan Kalaja tha se gjatë procedimit të të dhënave të pasurisë së zyrtarëve të lartë ne kemi vërejtur se disa shifra të formularët e agjencionit nuk kanë qenë në rregull dhe kërkojmë nga Agjencioni Kundër Korrupsion që të jap sqarime për disa shifra të pasurisë së këtyre zyratërve: Lutfi Haziri në formularë i është prezantuar paga për 2013 në vlerë prej 96 000 euro, Fadil Ismajli paga prej 7 000 euro, Begzad Sinanit shtëpia në vlerë prej 8640 euro, Gani Kocit banesë në vlerë prej 5912 euro dhe Biserka Kostiq e cila në vitin 2014 ka deklaruar pagat vjetore për 4 vitet e fundit, e të cilat nuk janë të njëjta me formularët e viteve të kaluara.