Për tre muaj, në tetë institucione, njëzet tenderë të parregullt

Prishtinë, 4 Maj – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportin e saj të rregullt “Monitoruesi i Prokurimit” për periudhën janar-mars 2013. Në këtë raport pasqyrohen shkeljet dhe parregullsitë ligjore të ministrive, ndërmarrjeve publike (KEK dhe PTK) dhe komunave gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se “Ministritë, Ndërmarrjet Publike (KEK dhe PTK) dhe Komunat e Republikës së Kosovës edhe në periudhën e parë tre mujore të këtij viti kanë vazhduar trendin e shkeljeve dhe parregullsive ligjore në fushën e prokurimit publik. Në këtë periudhë tre mujore, institucionet e lartë-përmendura kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 20 tenderë të ndryshëm. Nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit prej këtyre 20 tenderëve 17 janë kthyer në ri-vlerësim, kurse 3 sosh janë kthyer në ri-tenderim”.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, ministritë kanë shkelur dispozitat ligjore të prokurimit publik në 3 tenderë të ndryshëm, duke vazhduar me KEK dhe PTK ku kanë bërë shkelje ligjore në 11 tenderë të ndryshëm, si dhe komunat të cilat kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 6 tenderë.

Duke pas parasysh nivelin e lartë të keqpërdorimeve dhe aferave korruptive, si dhe nivelin e ultë të transparencës së proceduarve të prokurimit publik, Kenan Tora më tej ka pohuar se “Lëvizja FOL ka rekomanduar fillimin e ndryshimeve në Ligjin e Prokurimit Publik, me qëllim që të përgatitet baza e mirëfilltë ligjore për funksionalizmin e prokurimit elektronik”. Kjo, sipas përfaqësuesit të kësaj Lëvizje, “do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe në zvogëlimin e mundësisë për keqpërdorime dhe shkelje ligjore në këtë fushë.

Galeria e aktivitetit

Per tre muaj ne tete institucione njezet tendere të parregulltPer tre muaj ne tete institucione njezet tendere të parregullt2