Pasuria e (pa)ndarë – Analizë e posedimit të pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politik

Prishtinë, 8 mars 2021 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung (KAS) ka analizuar të dhënat nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publike sa i përket posedimit të pasurisë së grave zyrtare publike dhe të grave të zyrtarëve publik. Për të diskutuar për gjetjet e këtij raporti të ftuara ishin Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit dhe Luljeta Demolli, Drejtore Ekzekutive, Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Gjithashtu në linjë direkte ishte edhe Daniel Braun, drejtor i zyrës së KAS’it për Kosovë dhe Maqedoni.

Mexhide Demolli-Nimani- drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha qëllimi i këtij raporti ishte të reflektojë mbi kushtet e grave zyrtare publike si dhe gratë e zyrtarëve publikë në deklaratën e pasurisë në emër të të dy bashkëshortëve, por edhe pjesëmarrjen e gruas si pronare në trashëgiminë e dhuruar ose (individualisht) pronë e blerë. “Ky raport përfshinë deputetët e dy legjislaturave të fundit të Kuvendit, kabinetet qeveritare të qeverisë Haradinaj, Kurti dhe Hoti si dhe kryetarët e Komunave”, tha ajo.

Daniel Braun – drejtor i zyrës së KAS-it për Kosovë dhe Maqedoni tha se barazia ekonomike është shumë e rëndësishme për t’u arritur në mënyrë që gratë të jenë të barabarta pastaj në të gjitha sferat e tjera.

Alba Jakupi nga Lëvizja FOL prezantoi gjetjet e raportit ajo tha se:

  • Në Qeverinë Hoti, vetëm 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes, ndërsa 18.5% e zëvendësministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes: Kjo qeveri ka pasur 3 ministre gra, dy nga te cilat kanë pasuri në emër të tyre ndërsa një nuk ka.
  • Në Qeverinë Kurti, 85% e ish ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes; 50% e zëvendësministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Në këtë qeveri, 50% e ministreve gra kanë pasuri të tyre, ndërsa vetëm 33% e zëvendësministreve kanë pasuri të tyren.
  • Në Qeverinë Haradinaj, vetëm 25% e ish ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes; ndërsa 50% e ish zëvendësministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Kjo qeveri ka pasur vetëm një ministre grua, e cila ka pasur pasuri në emër të saj, tha Jakupi.

Edi Gusia, drejtoreshë e Agjencisë Për Barazi Gjinore në zyrën e kryeministrit, ka thënë se pavarësisht që Ligji për familjen e njeh pronën e krijuar pas martesës si pronë që ju përket të dy bashkëshorteve, fatkeqësisht ende nuk janë vetëdijesua që të regjistrojnë në emër të të dy bashkëshortëve. “Më vjen mirë që 55% e kryetarëve të komunave kanë të regjistruar pasuri në emër të bashkëshorteve edhe pse asnjë grua nuk udhëheq në nivelin komunal”, tha Gusia.

Ndërkaq, Luljeta Demolli – drejtoreshë në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se në Kosovë nuk është e kënaqshme ndarja e trashëgimisë dhe siç thotë ajo, kjo tregon se ka ende mbetje të patriarkatit në familje dhe institucione. “Ndarja e pasurisë është ndarje e pushtetit prandaj mund të shihet se në Kosovë ky pushtet nuk ju takon të dy gjinive njësoj”, tha ajo.