Parregullsitë dhe keqmenaxhimi vazhdon ta përcjell prokurimin publik

Prishtinë 1 dhjetor 2017 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit Ngritja e Llogaridhënies së Institucioneve mbi mënyrat e shpenzimit të parasë publike ka publikuar sot tw gjeturat nga monitorimi i kontratave të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Ky raport paraqet të gjeturat nga monitorimi 3-mujor i kontratave me vlera të mëdha nga  Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Gresa Smolica nga Lëvizja FOL tha se nga monitorimi i tërësishëm i procesit të prokurimit në këto tri ministri rezulton se Prokurimi publik mbetet një sektor jotransparent ndaj publikut pasi që qasja në dokumentacionin e kontratave mbetet e kufizuar. Sipas Smolicës, FOL ka monitoruar procesin e prokurimit duke u nisur nga planifikimi i aktivitetit të prokurimit e deri tek nënshkrimi i kontratës dhe implementimi i aktivitetit. “Në shumë raste, institucionet hezitojnë të hapin këto dokumente siç është rasti i Ministrisë së Infrastrukturës, e cila nuk na ka dhënë qasje në kontratat e kërkuara, duke e bërë të domosdoshme përfshirjen e Institucionit të Avokatit të Popullit, përmes ankesës që ka parashtruar Lëvizja FOL për mospërgjigje në kërkesën për qasje në dokumente publike”, tha ajo.

Dosja e kontratës e kërkuar nga MI “Ndërtimi i autoudhës A7.1- Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)- Dheu i Bardhë- Pjesa : Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)- Udhëkryqi- Bresalc- L=22.31km” nuk i është dhënë FOL-it me arsyetimin se lënda gjendet në OShP.

Ndërkaq në Ministrinë e Shëndetësisë është analizuar kontrata “Furnizim me barna nga Lista Esenciale” me numër prokurimi 206-17-452-1-1-1. Kjo kontratë është shoqëruar me disa parregullsi dhe ende sot ka mbetur e paimplementuar në tërësi, për shkak të keqplanifikimit të buxhetit për realizimin e kësaj kontrate.  Pjesa apo Loti 6 i kësaj kontrate, pasi i është dhënë operatorit ekonomik për të u realizuar, është anuluar nga Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit Alban Pozhegu, me arsyetimin se Operatori Ekonomik ka ofertuar me çmim më të lartë se çmimi i tregut. Kjo tregon keqmenaxhimin në procesin e prokurimit por edhe keqplanifikimin e buxhetit për ilaçet e caktuara.

Për të njëjtin zyrtar, Lëvizja FOL ka gjetur se nuk posedon certifikatë licencimi të lëshuar nga KRPP, dhe po i njëjti nuk ka ndjekur trajnimet obliguese në KRPP në kohën e nënshkrimit të kontratës që kemi monitoruar. Pas ankesës së operatorit ekonomik pranë OShP-së, ekspertiza e OShP argumenton se Autoriteti Kontraktues Ministria e Shëndetësisë me anulimin e kontratës ka vepruar në kundërshtim me nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe kërkon që lënda të kthehet në rivlerësim. Parregullësitë që kanë shoqëruar këtë proces, mosrespektimi i afateve të përcaktuara nga OShP si dhe konstatimi edhe nga KRPP se ky zyrtar nuk plotëson në tërësi kërkesat sipas nenin 25.6 për të ushtuar në pajtueshmëri të plotë detyrën Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit, me 13 Tetor 2017, KRPP merr vendim që Alban Pozhegut të i pezullohet e drejta për të shërbyer si Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit.

Sipas saj, të gjitha këto elemente bëjnë që edhe institucionet por edhe shoqëria civile të angazhohen më shumë për gjetjen e mënyrave më adekuate për të rritur transparencën në këtë fushë.  “Ndryshimet në Ligjin për Prokurimin Publik janë ende të nevojshme sidomos tek parimet e transparencës, kurse rritja e integritetit të zyrtarëve publik është esenciale për mbarëvajtjen e procesit të prokurimit publik. Ngritja e llogaridhënies në këtë sektor është e mundur vetëm atëherë kur ana ligjore përputhet me përgjegjshmërinë e zyrtarëve dhe publiku gëzon qasjen që i garantohet me ligj”.