OSHP shmang sqarimet rreth tenderit Furnizim me Automjete të Poli cisë së Kosovës

Prishtinë, 10 shtator 2014 – Lëvizja FOL me datën 26 gusht 2014, ka dërguar një kërkesë në adresë të kryetarit të OSHP-së ku ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me dy vendime të këtij organi atë të datës 30/07/2014 me numër PSH. 159,160 dhe 163/2014 dhe ai datës 08/08/2014 me numër PSH. nr. 159/14, 160/14, 163/14, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Automjete” me numër të prokurimit PK-214/14/100/111, i iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Policia e Kosovës. Ndërsa me datën 08 shtator 2014, Lëvizja FOL ka pranuar një letër nga OSHP ku thuhet se janë sqarimet që FOL ka kërkuar nga ky organ në lidhje me këto dy vendime.

Edhe pse në ditën ndërkombëtare të shkrim-leximit, fatkeqësisht letra e dërguar nga OSHP në adresë të Lëvizjes FOL përpos që nuk i përgjigjet kërkesave që janë adresuar, ajo nuk përmbush as kriteret bazike formale që ky institucion do duhej të aplikonte në komunikimet zyrtare.

Duke parë një situatë konfuze dhe të dyshimtë rreth këtyre dy vendimeve të OSHP-së për të njëjtin aktivitet prokurimi, Lëvizja FOL e ka parë të arsyeshme se duhen sqarime shtesë rreth këtyre vendimeve. Në këtë kontekst FOL ka dërguar letër në adresë të kryetarit të OSHP-së z. Hysni Hoxha dhe ka kërkuar këto sqarime që nuk janë as në vendimet e OSHP-së e as në ligjin e Prokurimit Publik siç janë:

Nëse në vendimin e kryetarit të OSHP-së thuhet se vendimi i parë i Panelit Shqyrtues është marrë nën masën e ndikimit, atëherë:
1. Bazuar sidomos në nenin 130 të LPP-së specifikisht nën çfarë ndikimi kanë rënë anëtarët e Panelit Shqyrtues?
2. Nëse Kryetari i OSHP-së ka konkluduar se ky vendim është marrë nën ndikim atëherë çfarë masash janë marrë nga ana e OSHP-së për anëtarët e këtij Paneli Shqyrtues?
3. A është njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme rreth kësaj situate dhe a ka dhe çfarë janë rezultatet e MPB-së rreth kësaj çështje në përputhje me nenin 130 pika 3 të Ligjit të Prokurimit.

Në asnjërën nga këto pika nuk është dhënë asnjë përgjigje specifike, vetëm përgjigje të përgjithësuar duke ju referuar vendimit që ka marrë kryetari i OSHP-së.

Me qëllim të rritjes se transparencës dhe llogaridhënies së këtij institucioni dhe në mënyrë që të evitohen paqartësitë dhe dyshimet për keq-menaxhim dhe keq-përdorime të mundshme, Lëvizja FOL publikisht ripërsëritë kërkesën e saj drejtuar kryetarit të OSHP-së duke kërkuar sqarime të plota rreth këtyre vendimeve.

Ju lutem, më poshtë gjeni edhe njëherë kërkesën e dërguar në OSHP nga Lëvizja FOL dhe përgjigjen origjinale që organizata ka marrë nga ky institucion në lidhje me këtë kërkesë.

1. Kërkesë për sqarime shtesë rreth tenderit Furnizim me Automjete të Policisë së Kosovës
http://www.levizjafol.org/documents/20140826145858574.pdf
2. Përgjigja e OSHP-së

http://levizjafol.org/documents/20140910120953816.pdf